Zhvendosja e presionit social nuk e zhduk atë

1 Dhjetor 2010, 18:56Blog TEMA

Nga Enton Palushi

Në fillim të këtij viti, kompania çeke CEZ u përfshi në një skandal në vendin e saj të origjinës. Bëhej fjalë për një njësi paraushtarake të kësaj kompanie, që stërvitej për të ndërprerë lidhjet e paligjshme të energjisë. Videoja e publikuar shkaktoi zemërim, çka solli dhe reagimin e ashpër të kryeministrit të këtij vendi. Në video shfaqet kjo skuadër paramilitare teksa futet në shtëpi, qëllon mbi një person e më pas duket një grua që gjen bashkëshortin e vdekur. Kompania ka mohuar një gjë të tillë, por ka thënë se vjedhja e energjisë është një problem serioz.

Në një vend me standard shumë më të lartë jetese si Çekia, problemi i vjedhjes së energjisë është shumë serioz. Në vendin tonë ky problem duhet të jetë dramatik. Megjithatë, kjo nuk e ka ndaluar kompaninë çeke që të hyjë në një tender dhe të blejë Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes së energjisë në Shqipëri. Disa media e analistë të huaj kanë raportuar se kjo kompani nuk ka ndërmend të bëjë investime në këto blerje problematike, por do fokusohet më shumë në vendin e saj për të derdhur para.

Gjëja që të intrigon më shumë në këtë histori është se si pret ta zgjidhë problemin e vjedhjes së energjisë në Shqipëri kjo kompani. Në Çeki përdori një njësi paraushtarake, në Shqipëri ndoshta do të duhet një ushtri.

Mirëpo nuk është e nevojshme që të preket ky problem. Sasia e energjisë së humbur, të vjedhur e të papaguar do të vazhdojë të jetë e njëjta. Qeveria nuk ka ndërmend të krijojë probleme sociale në këtë drejtim. Zona të tëra nuk e paguajnë energjinë, por CEZ zor se do të rrezikojë për t’u ndërprerë energjinë. Në të kundërt, me qeverinë është rënë dakord që të rritet çmimi i energjisë për të paktën pesë vite rresht, duke bërë që konsumatorët që paguajnë energjinë të paguajnë edhe kostot e vjedhjeve, mashtrimeve dhe abuzimeve.

Për politika të tilla si ajo që aplikohet në Perëndim ku një familje nuk i hiqet kurrë energjia për të furnizuar së paku llampat, as që bëhet fjalë. Ndaj dhe kur bie fjala për tragjedi si ajo e Sukthit, CEZ bën moral familjar duke u mësuar shqiptarëve se nuk duhet të lënë fëmijët vetëm. BBC raportonte para disa kohësh për një organizatë rebele në Afrikën e Jugut, që ua lidhte energjinë familjeve të varfra sa herë u ndërpritej. Organizata kishte numër telefoni dhe kushdo mund të kërkonte ndihmën e saj për të rilidhur energjinë. Kjo organizatë deklaron se e ka detyrim të rilidhë energjinë për shkak se qeveria ka premtuar që çdo familje do dalë nga varfëria e nuk do i mungojë energjia. Qeveria nga ana e saj nuk guxon të provokojë trazira sociale duke prekur këtë organizatë.

Edhe qeveria jonë përpiqet që të ruajë një status-quo në këtë drejtim, duke lënë të pazgjidhur këtë problem të rëndë social. Por ai nuk është i vetmi. Problemi i pronësisë dhe ai i moskontrollit të territorit janë të tjera bomba sociale, që janë gati për shpërthim.

Qeveria është përpjekur të kurojë me kujdes këto probleme. P.sh për pronat dhe për çështjen e dritave është kujdesur që të mos ngacmojë zona gjaknxehta. Dritat nuk paguhen kryesisht në disa qytete të verilindjes. Po ashtu në disa zona ndarja e pronës është bërë sipas parimit “prona tek i zoti”. Ndërsa në pjesë të tjera të vendit, ku ka një lloj garancie se dritat paguhen e për pronat nuk reagohet ashpër, qeveria ka vepruar ndryshe. Po ashtu problemin e ndërtimeve pa leje e ka kthyer në një kartë elektorale, pa u kujdesur seriozisht për t’i dhënë drejtim problemit kryesor: urbanizimit të këtyre zonave për t’i mbrojtur së pari nga fatkeqësitë.

Këto probleme nuk mund të shtyhen më shumë. Koha për t’u dhënë një zgjidhje po kalon. Raporti i fundit i Komisionit Europian, që na refuzoi statusin e kandidatit, e nënkuptonte qartë nevojën për t’u dhënë zgjidhje me themel problemeve të tilla si pronësia. Presioni social nuk është zhdukur, vetëm sa është zhvendosur.

Lini një Përgjigje