Milan-Ajaks, Ronaldinjo sërish në stol

8 Dhjetor 2010, 15:47Sport TEMA

Për të disatën herë në këtë sezon, Ronaldinjo duket se do të ngrohë stolin e Milanit. Për sfidën me Ajaksin, nga pankina do ta nisë edhe Ibra. Robinjo titullar.

Megjithëse e ka siguruar kualifikimin dhe nuk ka asnjë objektiv, Milani do të zbresë në fushë për të zhvilluar një ndeshje të rëndësishme. Masimiliano Alegri, në konferencën e shtypit para takimit me Ajaksin, i fundit në grupin G, mendon rotacionin në formacion, për t’i dhënë mundësi disa prej futbollistëve të çlodhen.

Ronaldinjo me shumë gjasa do ta nisë nga stoli dhe kjo nënkuptohet edhe nga fjalët e teknikut italian. Por kjo jo për faktin e zgjedhjeve teknike, por për shkak se braziliani vuan nga një dëmtim I lehtë. “Ronaldinjo nuk u stërvit dje. Sot do të bëj një vlerësim të fundit. Nëse është mirë, do të luajë përkrah Robinjos. Ibra nuk do të jetë titullar”, deklaroi trajneri i Milanit.

Alegri tenton të mbajë lart vëmendjen e lojtarëve të tij në të gjitha frontet, duke filluar nga kampionati. Fillimi i vitit tjetër pritet të jetë mjaft i ngjeshur me ndeshje. “Gjatë janarit, deri më 2 shkurt, duhet të luajmë tetë ndeshje. Në fakt, nëntë, nëse do të ketë grevë në dhjetor. Prandaj është jetike të jenë të gjithë lojtarët në dispozicion, përfshirë Paton, që rikthehet nga dëmtimi”, pohoi Alegri.

Lini një Përgjigje