Një studim i Bankës Botërore sugjeron se Shqipëria do të hasë me probleme ekonomike në të ardhmen. Ajo që quhet bum ekonomik në këto vite, është thjesht i përkohshëm dhe sfidat e vërteta të Shqipërisë fillojnë tani. Sipas BB, rishpërndarja e fuqisë punëtore ka sjellë një rritje ekonomike në vend, por kësaj rishpërndarje do i vijë fundi.
“Rritja ekonomike e kohëve të fundit i atribuohet në masë të madhe lëvizjes së dukshme të punëtorëve nga bujqësia në sektorët e shërbimeve dhe prodhimit. Kjo rishpërndarje ndër-sektoriale e fuqisë punëtore nga aktivitete me produktivitet të ulët tek ato me produktivitet më të lartë është e mirëpritur, por kjo ka të ngjarë të jetë vetëm një mënyrë e përkohshme për të përmirësuar produktivitetit të përgjithshëm. Dikur, këtij procesi do ‘ti vijë fundi në Shqipëri dhe rritja ekonomike do të duhet të gjenerohet gjithnjë e më shumë nga politikat që mbështesin rritjet brenda-sektoriale të produktivitetit”, thuhet në raportin e BB.
Në raport thuhet se kriza e fundit në botë nxori në pah rrezikun që mund t’i kanoset në një të ardhme të afërt edhe Shqipërisë.
Në raport kërkohet ndërhyrje në sektorin e arsimit. Sipas BB, nuk ka rëndësi sasia, por edhe cilësia. Gjithashtu kërkohet që të nxitet rikthimi i shqiptarëve të mirëarsimuar nga jashtë. Shqipërisë i kërkohet gjithashtu të investojë sa më shumë në teknologjinë e komunikimit, që është në nivele të dobëta. Kërkohet hyrja në tregun e shërbimeve të lidhura me internetin.
Shqipërisë i kërkohet dhe të kalojë në tregun rajonal të energjisë.
Në raport theksohet se rrjeti i rrugëve lokale është në gjendje shumë të keqe. Po ashtu theksohet se Porti i Durrësit mund të bëhet një konkurrent i fortë rajonal nëse investohet siç duhet. Sa i përket fushës së transportit, kërkohet që të liberalizohet tregu për të tërhequr investime të huaja.
Problem sipas BB mbetet qeverisja e dobët dhe moszbatimi i ligjit në vend.
Kërkohet që ligjet dhe rregulloret e miratuara të jenë të qarta dhe efikase.
Në raport theksohet se duhet luftuar sa më shumë korrupsioni. Gjithashtu kërkohet zgjidhja e çështjes së pronësisë, në mënyrë që ekonomia të ecë përpara. Raporti ka rezervuar kritika për punën e bërë nga ALUIZNI sa i përket legalizimit. Sipas BB, ndërtimet pa leje kanë vazhduar, sidomos në zonat turistike.
Cilësia e administratës publike është një shqetësim që evidentohet nga Banka Botërore. Thuhet se është bërë pak progres në përmirësimin e kësaj administrate.
Kërkohet që të kryhen konsulta mes qeverisë dhe biznesit për ligjet që prekin këtë të fundit. Ngritja e gjykatës administrative është një kërkesë tjetër.
Comments are closed.
eee ja ke fututr kot fare, nuk eshte e vertet, nje fshatar ne vicidol kishte nje dhi , ajo beri kec ket vit , dhe ekonomia u rrit 100/100 e shikon qe ne jemi te paret, ekonomia jone eshte e para, ndaj mos ja fut kot, kjo eshte rrita ekonomike e saliut, sa qesharak qe je o i marr sali… je bere per te ardhur keq , se shum shpejt e ke vendin tek qypi, o tinzar dhe i flliqur, qe dhe surrati jot ta shpreh qarte, ligesine tende ,shpirterore.