Duhet një çmim për politikanët e pakorruptuar

13 Dhjetor 2010, 15:14Editorial TEMA

Nga Florian Bieber*

Kur Ivo Sanader u arrestua nga policia austriake, morën fund spekulimet e bëra prej muajsh në lidhje me një hetim të mundshëm ndaj tij, që sipas dokumenteve të Departamentit të Shtetit, publikuar nga WikiLeaks, kishin nisur që në fillim të këtij viti.

Edhe pse Sanader nuk është i pari ish- kryeministër në rajon që është arrestuar, lista në mënyrë të habitshme është shumë e shkurtër: Ramush Haradinaj është arrestuar dy herë pas qëndrimit të tij të shkurtër si kryeministër i Kosovës.

Në vende të tjera, ish- kryeministrat kanë qenë relativisht të mbrojtur nga hetimi, edhe kur qeveritë kanë ndryshuar.

Në Serbi, Partia Demokratike ka qenë e gatshme që të hetojë Koshtunicën për mbështetjen që i ka dhënë Beretave të Kuqe në “protestën” e vitit 2001. Vetëm së fundmi motra dhe nëna e Xhinxhiç kanë kërkuar formalisht nisjen e hetimit për rolin e Koshtunicës.

Arrestimi i Sanader lidhet megjithatë me rëndësinë e korrupsionit në Europën Juglindore. Kur dhjetë vite më parë, opozita demokratike në Kroaci dhe Serbi mposhti regjimet gjysmë- autoritare të Franjo Tuxhman dhe Sllobodan Millosheviç, shumë votues i mbështetën ata, jo për shkak të politikave të tyre ose sepse po refuzonin nacionalizmin e këtyre regjimeve, por për shkak të korrupsionit që kishte sunduar në këto dy vende.

Ndërsa opozita dhe qeveritë që pasuan punuan mirë në lidhje me premtimin se do të nxirrnin vendin nga izolimi ndërkombëtar, korrupsioni mbeti i pamposhtur.

Dështimi për të luftuar korrupsionin, veçanërisht atë në nivele të larta, është dështimi i madh i qeverive demokratike në rajon gjatë dekadës së fundit. Miliardat e eurove që u kanë humbur qytetarëve nuk janë i vetmi dëm.

Në të vërtetë, korrupsioni po i bën qytetarët më indiferentë dhe ka zhdukur diferencat mes autokratëve dhe demokratëve, nacionalistëve dhe liberalëve.

Monedha që ndihmoi më shumë demokratët të marrin pushtetin në Serbi e Kroaci një dekadë më parë është bërë domeni i populistëve, që ofrojnë politikën e pastër, që nga Vetëvendosja në Kosovë e deri tek Partia Progresive Serbe në Serbi.

Arrestimi i Sanaderit mund të jetë një sinjal se kjo periudhë e lulëzimit të korrupsionit po merr fund. Fakti që Sanader u arrestua në Austri ka një domethënie shtesë.

Duke pasur kontakte të mira biznesi me këtë vend, lidhje me politikanët më të lartë aty dhe i përfshirë në një nga skandalet më të mëdha që përfshin bankën austriake “Hypo-Alpe-Adria Bank”, karriera e Sanader përfundoi dhe aty ku nisi.

Fakti që miqësia e tij personale me drejtues konservatorë në Europë, që nga ish- kancelari austriak, Volfgang Shysel deri tek drejtuesit demokristianë gjermanë nuk e ndihmoi atë, është inkurajuese.

Në të shkuarën, sinjalet nga BE dhe drejtuesit kryesorë politikë evropianë kanë qenë kontradiktore: nga njëra anë kërkohej që të luftohej korrupsioni dhe nga ana tjetër liderët politikë, të zhytur thellë në korrupsion, mbeteshin partnerë të mirëpritur dhe kompanitë e BE që investonin në këtë rajon krijonin krejt kollaj lidhje të ngushta me këta liderë.

Tani hetimi i Sanader dhe arrestimi i tij mund të sjellin fundin e kësaj. Nëse BE kërkon të perceptohet se po ndihmon këto vende që të dalin nga korrupsioni, ka një rrugë të gjatë përpara për të rikthyer kredibilitetin në rajon.

Në Afrikë, “Çmimi Ibrahim” jepet për presidentët demokratikë, që lënë detyrën e tyre duke respektuar kufijtë kushtetuese. Në Ballkan një çmim i tillë duhet të jepet për ata demokratë që largohen nga detyra pa u bërë miliarderë.

*Florian Bieber është një profesor dhe studiues austriak, njohës i mirë i Ballkanit. Shkrimi u botua në Balkan Insight

2 komente në “Duhet një çmim për politikanët e pakorruptuar”

  1. SKENDER BEU says:

    MIRE ESHTE TE KETE DHE NJE CMIM PER POLITIKANET,KRYEMINISTRA TE KORUPTUAR,QE ATA TE DEKLAROHEN VEHTE SEPSE KANE LAKMI TE MARIN EDHE KUR JANE CMIMME POSHTERIMI.SALI BERISHA DO ISHTE I PARI QE DO SULMONTE KETE CMIM I PASUAR NGA NANO DHE ILIR META.

  2. xhoni says:

    I vetmi politikan i PA KORRUPTUAR NE SHQIPERI PAS 90-tes ESHTE VETEM ALFRED MOISIU!!!!Ndersa politikani LYPSAR(domethene fukarai me fukara,por nga TRUTE) eshte Sali BErisha!!!Ai aq fukara eshte sa dhe BAXHANAKUN E VET,pra burrin e motres se guas se vet,nuk e dinte qe punonte si MENAXHER NE FABRIKEN E VDEKJES KU BURONIN MILIONA EURO PER BERISHEN!!!Haaaa!!!

Comments are closed.

Lini një Përgjigje