Surroi: Holbrooke - diplomati i mprehtë i terrenit

14 Dhjetor 2010, 14:49Politika TEMA
Surroi: Holbrooke - diplomati i mprehtë i terrenit

Surroi ishte ndër organizatorët e takimit të Holbrooke me UÇK-në

Publicisti Veton Surroi, kryetar i bordit të Klubit për Politikë të Jashtme në Kosovë, thotë se suksesi i diplomatit të ndjerë Richard Holbrooke, mbështetej në mprehtësinë e tij dhe efikasitetin e përdorimit të peshës së Shteteve të Bashkuara.

Zoti Surroi njihej me ‘arkitektin e Marrëveshjes së Dejtonit’ dhe ishte organizator i takimit të zotit Holbrooke me UÇK-në në qershor të vitit 1998.

Në intervistën që i dha Seladin Xhezairit të BBC-së, zoti Veton Surroi fillimisht flet se si e priti lajmin për ndarjen nga jeta të diplomatit Richard Holbrooke, në moshën 69 vjeçare. Surroi: Ka disa ditë që jam në kontakt me miq të afërt që nga operacioni dhe e kam përcjellur gjendjen e tij. Më erdhi shumë keq, natyrisht. Gjatë këtyre viteve kemi krijuar një afërsi të ndërsjelltë, një respekt të ndërsjelltë dhe e pata një lajm të pikëlluar.

Ju me të ndjerin Holbrooke jeni njohur që në fund të viteve 80-të dhe keni marrë pjesë në takimin tashmë të njohur të tij me një grup pjesëtarësh të Ushtrisë Çlirimtare Kosovës, në qershor të vitit 98-të. Çfarë ju kujtohet nga ai takim?

Me rëndësi ishte se Holbrooke vetë dëshironte të shihte, ishte njeri i terrenit. Ai dëshironte t’i shihte gjërat vetë. Blerim Shala dhe unë, asokohe, menduam se do të ishte mirë që të takohej edhe me përfaqësues të UÇK-së dhe që të shihte edhe nga këndvështrimi i zonave të izoluara, të rrethuara nga policia dhe ushtria serbe, se si funksionon. Ne e organizuam atë udhëtim dhe gjatë tij na ndodhi që në afërsi të Gjakovës, në një udhëkryq, u ndalëm. Holbrooke më tha: “Hajde të dalim e t’i pyesim këta policët serbë se çfarë kërkojnë në këtë postbllok”. Dolëm dhe biseduam me komandantin. Komandanti na tha se ishte aty për të mbrojtur popullatën shqiptare katolike nga popullata myslimane. Unë i thashë se ishte absolutisht e pavërtetë, sepse në UÇK ka si myslimanë, si katolike e nuk pyet kush se i çfarë religjioni është tjetri, sepse ishte një luftë kundër pushtuesit e jo një luftë e ndërsjelltë mes shqiptarëve.

Holbrooke njihet si arkitekt i Marrëveshjes së Dejtonit, por roli i tij është i ndjeshëm edhe në shumë operacione të tjera të paqes. Zoti Surroi, pse mendoni e mori ai epitetin si ‘buldozer’ në diplomacinë amerikane?

Sepse dinte të përdorte kërcënimin. Ishte efikas në formën e përdorimit të peshës që mbanin Shtetet e Bashkuara të Amerikës asokohe, edhe tash, natyrisht. Nga ana tjetër, kishte një mendje të mprehtë. Holbrooke dinte të depërtonte nëpërmjet gjethurinave, si të them, të politikës dhe mos t’i vinte në pah çështjet dytësore apo ato që nuk janë relevante dhe që të drejtohej tek çështjet kryesore. Mendja e tij kuptonte bukur shpejt thelbin e çështjeve, ku ai përqendrohej.

Lini një Përgjigje