Shkodra vazhdon të vuajë nga i ftohti, ndërsa uji po largohet. Malet i ka mbuluar tashmë bora dhe frika më e madhe është se mund të ngrihen temperaturat dhe shkrirja e borës mund të sjellë sërish probleme me përmbytjet. Ndërkohë qeveria ka premtuar se do të dëmshpërblejë banorët, por fillimisht ka thënë se u ka dhënë atyre solidaritet moral. Këtë deklaratë e ka bërë zv/kryeministri Ilir Meta gjatë një takimi me komunitetin e biznesit, të cilit i ka kërkuar ndihmë për këtë fatkeqësi.
“Absolutisht që gjithçka do të vlerësohet në mënyrë transparente dhe profesionale. Të gjithë ata që nxituan për të përllogaritur dëme të asaj natyre që i keni dëgjuar ju,. Nuk ishin gjë tjetër veçse në vijim të linjës së tyre jo për të dhënë kontributin për të ndihmuar banorët dhe për të ndihmuar të gjithë strukturat shtetërore që po punojnë atje, por në linjën e krijimit të një paniku krejtësisht të panevojshëm dhe tërësisht abuziv. Qeveria, sikurse e theksova edhe me përfaqësuesit e biznesit dhe të sipërmarrjes, është e vendosur ti përballojë të gjitha detyrimet që ajo ka ndaj qytetarëve shqiptarë, të cilët janë të përmbytur nga uji dhe këtë do ta bëjë me përgjegjësi dhe transparencë të plotë. Natyrisht që ky solidaritet, në radhë të parë, ka vlera të jashtëzakonshme morale. Është një tregues i një shoqërie të përgjegjshme dhe i një shoqërie me një sens të fortë human dhe njerëzor, dhe mendoj që ky është një mesazh shumë i rëndësishëm për gjithë banorët, për gjithë qytetarët, për të gjithë bashkëpatriotët tanë që jetojnë në kushte vërtet mjaft kritike sot,” tha Meta.