Komisioni Qendror Zgjedhor ka marrë vendim të enjten mbrëma që ta dërgojë në rivotim Komunën e Deçanit, si dhe atë të Skenderajt, ku pjesëmarrja e elektoratit në këtë komunë ishte evidencuar të jetë 98 për qind. Përveç këtyre dy komunave, KQZ-ja ka marrë vendim që të rivotohet edhe në Drenas, ku, sipas të dhënave të paraqitura nga vëzhguesit e partive politike dhe të institucioneve të tjera relevante, aty kishin votuar 94 për qind të qytetarëve. Ky institucion gjithashtu ka vendosur që për zgjedhjet e përgjithshme të rivotohet edhe në fshatin Shalë të Komunës së Lipjanit, si dhe në fshatin Llashkadrenovc të Komunës së Malishevës. Vendimin për rivotim, i cili do të bëhet më nëntë janar, siç ka raportuar “Koha Ditore”, është marrë pasi që Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa kishte shqyrtuar të gjitha dokumentet e kërkuara një ditë më parë nga KQZ-ja, përmes të cilave kishte vërtetuar manipulimet që ishin bërë në këto komuna në zgjedhjet e 12 dhjetorit. “Pasi që është marrë vendimi nga PZAP-i lidhur me ankesat e disa subjekteve politike sa u përket disa qendrave të vendvotimeve në Skenderaj, Drenas, Deçan, Malishevë dhe Lipjan, KQZ-ja ka marrë vendim për përsëritjen e zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës në këto komuna, si dhe përsëritjen e votimit në disa qendra të votimit në Malishevë dhe Lipjan”, ka bërë me dije Daka vendimin e KQZ-së. Ndonëse këtij institucioni PZAP-i i kishte kërkuar që të anulonte votat në shumicën e qendrave të votimit në Skenderaj, Drenas dhe Deçan, KQZ-ja me shumicë votash ka vendosur që të shkojë në rivotim të plotë për shkak, siç ka thënë kryetarja Daka, “se i gjithë procesi zgjedhor është dëmtuar në këto komuna”. Sipas Dakës, parregullsitë janë evidencuar edhe nga raportet e Qendrës së Numërimit dhe të Rivotimit. “KQZ-ja, duke u mbështetur në vendimin e PZAP-it të datës 16 dhjetor, vendos që në këto komuna të përsëritet votimi në tërësi për arsye se në shumicën e qendrave të votimit ka pasur keqpërdorime të ndryshme të evidencuara nga PZAP-ja, si dhe nga raporti i QNR-së”, është shprehur Daka. Ajo ka konfirmuar se rivotimi do të mbahet në javën e dytë të janarit të vitit 2011. “KQZ-ja vendos që përsëritja e votimit në këto komuna të bëhet më datën 9 janar 2011. Ky vendim hyn në fuqi më datën 16 dhjetor 2010”, ka thënë Daka. Kundër këtij vendimi është ankuar AAK-ja. Përfaqësuesi i saj në KQZ, Blerim Burjani, ka bërë me dije se kjo parti do të ankohet në Gjykatën Supreme ndaj vendimit të PZAP-it për rivotim në një qendër votimi në Lipjan e Malishevë. Pasi që, sipas Burjanit, PZAP-i nuk kishte kërkuar asnjë dokument shtesë për të vërtetuar parregullsitë në këto qendra votimi. “Ne do të vazhdojmë që këtë vendim sidomos të PZAP-së ta kontestojmë dhe do të bëjmë një ankesë në Gjykatën Supreme dhe drejtësia të vijë në vendin ku e ka. Konsideroj se PZAP-i ka nxjerrë një vendim për të cilin ka tentuar të bëjë një balancë në drejtësi pa fakte dhe argumente të qarta, meqenëse prej KQZ-së është kërkuar material zgjedhor vetëm për tri qendra votimi për Komunën e Deçanit, ndërsa PZAP-ja ka anuluar pesë qendra të votimit”, është ankuar Burjani. Por pavarësisht kësaj, Daka ka paralajmëruar se KQZ-ja më nuk do të japë asnjë rezultat derisa procesi zgjedhor të përfundojë edhe në këto komuna. “Do t’i presim të gjitha rezultatet pasi që këto nuk janë votime për komuna, por për Kuvendin e Kosovës. Neve na duhen të gjitha rezultatet, sepse Kosova është një zonë zgjedhore dhe ne do të dalim me rezultatet pasi që të kryhen zgjedhjet edhe në këto komuna”, ka deklaruar Daka. Ndërsa ka shtuar se “më me rëndësi është që të vihet vullneti i qytetarëve në vend, sesa të bëhet konstituimi i institucioneve”. Duke folur për procesin zgjedhor kryetarja Daka ka treguar se në bazë të vendimit të PZAP-it rivotimi në komunat e sipërpërmendura nuk do të vëzhgohet nga komisionarët e njëjtë. “Në bazë të vendimit të PZAP-it me të cilin është urdhëruar KQZ-ja që të ndërrohen komisionarët e qendrave të votimit”, ka thënë Daka. Përveç kësaj, ajo ka treguar se KQZ-ja do t’i procedojë në prokurori të gjithë emrat e vëzhguesve dhe komisionarëve që dyshohet se kanë manipuluar me procesin zgjedhor në këto komuna.
“Ne gjithsesi do ta procedojmë gjithë materialin, me emrat që kanë qenë atë ditë në ato qendra të votimit dhe i tërë ky material do të dërgohet në prokurori përkatëse për proceduara të mëtejme”, ka bërë me dije Daka. Por pavarësisht rivotimit në këto komuna, shumica e partive opozitare kanë paralajmëruar se nuk do t’i pranojnë rezultatet e zgjedhjeve as pas procesit të rivotimit, pasi që, sipas tyre, procesi zgjedhor nuk është dëmtuar vetëm në këto komuna, por në gjithë Kosovën.