Kryeministri në largim i Kosovës, Hashim Thaçi, është bërë nevojtar i Ramush Haradinajt.
Partia Demokratike e Kosovës, që pritet t’i fitojë zgjedhjet që ende nuk kanë përfunduar, krahas AKR-së dhe minoriteteve, po këmbëngul që në koalicionin e ardhshëm qeverisës ta ketë edhe AAK-në. Bazuar në rezultatin e deritanishëm, ka gjasa që PDK-ja të mos arrijë fare që ta bëjë qeverisjen vetëm me AKR-në e me minoritete, por edhe nëse do të arrinte, koalicioni do të ishte i brishtë dhe i paqëndrueshëm, shkruan sot gazeta Koha Ditore.
Burime të gazetës kanë bërë të ditur se konsultimet e faktorit ndërkombëtar dhe të zyrtarëve të PDK-së me udhëheqësit e AAK-së nuk kanë munguar. Të njëjtat burime kanë shpjeguar se Aleanca e Haradinajt nuk është e disponuar që të hyjë në koalicion me PDK-në e Thaçit, përderisa nuk e ka një miratim të tillë nga lideri i saj, Ramush Haradinaj, që aktualisht po mbahet në Hagë.
“Nuk është e vërtetë se jemi afruar me PDK-në. Mund të them se as bisedime serioze për koalicion nuk ka pasur. Ne kemi pritur se Ramushi do të jetë këtu gjatë kësaj kohe. Vetëm ai mund të bisedojë për një koalicion të tillë, dhe vetëm ai mund të vendosë”, i ka thënë gazetës në kushte anonimiteti një zyrtar i lartë i AAK-së.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk është e kënaqur me rezultatin që ka shënuar në zgjedhjet e fundit, ndërkaq lideri i saj po mbahet në Haga, pasi që i janë kthyer në rigjykim disa nga pikat e akuzës për krime lufte.
Ish-prijësi i UÇK-së dhe ish-kryeministri i Kosovës e ka të ndaluar që të ketë aktivitet politik përderisa po përballet me Hagën, megjithatë, partia e tij preferon që të ketë edhe miratimin e liderit në rast të ndonjë vendimi për koalicion.
Burime të tjera të Kohës Ditore kanë bërë të ditur se qëndrimi aktual i Haradinajt është kundër koalicionit me PDK-në. Ky disponim ka bërë edhe që të raportohet për një iniciativë të Thaçit që të takohet personalisht me Haradinajn në qendrën e paraburgimit në Hagë.
Takimi është pamundësuar, pas sqarimit të mbrojtjes së Haradinajt se Tribunali do të vlerësonte një takim të tillë si aktivitet politik dhe nuk do ta lejonte.
Në një prononcim të shkurtër për “Kohën Ditore”, njeriu që tash po e udhëheq AAK-në, nënkryetari Blerim Shala, ka mohuar raportimet se ka afrim të AAK-së me PDK-në.
“Asgjë nga qëndrimet tona të mëhershme për koalicionin me PDK-në nuk ka ndryshuar. Nuk ka ndryshim në qëndrimin tonë”, ka thënë Shala..
“KOHA DITORE”