Viti 2010 ka qenë vit i themeluesit të faqes “Wikileaks” nga Julian Assange. Pa marrë parasysh se cili do të jetë fati i tij në gjykatat suedeze, britanike apo amerikane, ai ka prodhuar një makinë, të cilën askush nuk e di se si ta ndalë
Më 9 dhjetor të vitit 2006, një e-mail arriti në adresë të Daniel Ellsbergut, njeriut që zbuloi informata për luftën në Vietnam. Emri i dërguesit ishte “Wikileaks”.
Në porosi nga Ellsbergu u kërkua që të bëhet fytyrë publike e projektit, qëllimi i të cilit ishte hapja e një shtegu të ri. Ellsberg nuk kishte asnjë njohuri për këtë grup, i cili ende nuk kishte debutuar si duhet. E, nuk kishte dëgjuar as për kryesuesin, australianin 35-vjeçar, me emrin Julian Assange, i cili në rrethin e miqve të tij njihej si një haker- me vizionin që të shfrytëzojë teknologjinë si një mjet për ndryshime politike.
Guximi i shprehur në porosi e shtyri Ellsbergun që të lexojë e-mailin deri në fund. Wikileaks synonte asgjë më pak se t’i jepte fund shtypjes, me bërjen publike të fshehtësive të veta. “Qeverisja me anë të konspiracionit dhe frikës varet nga fshehtësitë. Kemi ardhur në përfundim se nxitja e një lëvizjeje globale e rrjedhjes së lirë paraqet intervenimin më efikas politik”, kishte shkruar autori.
Katër vjet më vonë, shumë gjëra mund të thuhen për Assangen, pjesa më e madhe prej të cilave janë gjëra të pakëndshme. Në Londër, ai është duke luftuar kundër ekstradimit të tij në Suedi, ku përballet me akuzat se ka abuzuar seksualisht dy mbështetëse të Wikileaksit.
Në vitin 2010, Wikileaks u shndërrua në një forcë revolucionare, duke bërë publike fshehtësi në një nivel deri më tani të paprecedent. Assange dhe kompania e tij shkaktuan çrregullime të mëdha në qendrat e pushtetit. Informatat e shpërndara në të katër anët e botës nuk kanë trazuar vetëm marrëdhëniet e jashtme të SHBA-së, por edhe aleancat dhe politikat e brendshme të shteteve të tjera.
Wikileaks është pozicionuar gjithashtu edhe si konkurrencë e medieve dhe e agjencive të inteligjencës. Me publikimin në tërësi të dokumenteve, kjo faqe ka çrregulluar tregun, siç thonë ekonomistët, duke dobësuar traditën e vjetër të editorëve dhe të analistëve që të skanojnë informatat, para se ato t’u shërbehen lexuesve dhe shikuesve.
“Ky nuk është kërcënim vetëm për ata që dëshirojnë të ruajnë fshehtësitë e tyre. Wikileaks është kërcënim edhe për ata të cilët dëshirojnë të sigurojnë fshehtësitë e të tjerëve”, deklaroi një ish-anëtar i Komitetit drejtues të Wikileaksit, i cili deshi të mbetet anonim.
Të arriturat e Assanges janë edhe teknologjike. Wikileaks ka ngjallur idenë që një nga këshilltarët e Assanges e ka cilësuar si “rishfaqje të ideve në kulturën e hakerëve- një parajsë digjitale që është anonime dhe rezistente ndaj sulmeve apo tentimeve për infiltrim të shërbimeve të inteligjencës.
Rezultatet janë impresive.
Në ditët e Ellsbergut është dashur gati një vit, për të fotokopjuar 7 mijë dokumentet e Pentagonit dhe gati një vit tjetër për t’i publikuar ato. Modeli Wikileaks ka reduktuar dukshëm afatet kohore dhe mundëson një publikim universal të arkivave në tërësi. Këtë vit, Wikilieaks ka publikuar gati gjysmë milioni faqe dokumente, duke përfshirë këtu 76 mijë faqe të raporteve ushtarakë për Afganistanin, 391 mijë për Irakun dhe që nga 28 nëntori 2010, Wikileaks ka publikuar 251 mijë faqe dokumente.
“Qeveria amerikane ka kuptuar se Wikileaks nuk është një ngjarje- është një kapacitet- dhe të gjithë ata që mund të nxjerrin informatat nga sistemi i klasifikuar, mund t’i publikojnë ato në gjithë botën, pa lejuar redaktimin apo censurimin e tyre”, thotë Clay Shirky, ekspert në Universitetin e New Yorkut për internet.
“Ideja e fshehtësive të shkëmbyera, por të sigurta, ka vdekur”, shtoi ai.
Pas publikimit të informatave të fshehta nga Wikileaksi, State Departamenti ndërpreu lidhjet mes bazës së të dhënave Net-Centric Diplomacy, në të cilën regjistrohet trafiku kabllor, me bazën e klasifikuar të Pentagonit, të quajtur SIPRNet.
Tani, edhe përkundër të gjitha përpjekjeve për të shtuar masat e sigurisë, askush nuk e di se çfarë ka ndodhur me të vërtetë. A ka përjetuar bota një akt të gazetarisë? Vjedhje? Shërbim Publik? Spiunazh?
Prokurori i përgjithshëm i SHBA-së, Eric Holder, tha se bëhet fjalë për një vepër tejet serioze, rreth së cilës duhet të bëhen hetime kriminale. FBI-ja në ndërkohë ka filluar të kërkojë dëshmi për kontaktet e mundshme mes Wikileaksit dhe ushtarakut Bradley Manning, për të cilin dyshohet se ka përcjellë një varg informatash të fshehta.
Në sipërfaqe filloi të duket një precedent i rëndësishëm ligjor. Nëse Assange nuk ka bërë asgjë tjetër, pos që ka pranuar informatat dhe ka publikuar përmbajtjen e tyre, atëherë padia kriminale kundër tij do të kërcënonte edhe gazetën New York Times dhe organizatat e tjera të lajmeve.
Por kërcënimi me aksion ligjor nuk ishte reagimi i vetëm i autoriteteve. Shumë shpejt pasoi edhe sulmi kundër themeleve ekonomike dhe strukturore të Wikileaksit. Banka e Zvicrës mbylli xhirollogarinë e Wikileaksit, ngase Assange nuk është banor i përhershëm i Zvicrës.
Amazon, një prej provajderëve kryesorë në internet, largoi Wikileaksin nga serverët e vet, pas një thirrjeje telefonike që mori nga senatori Joe Liebermann, kryesues i Komitetit për siguri të brendshme.
Për shkak se qasja në internet varet nga kompanitë private, këto precedente ishin alarmuese.
Presidenti i Brazilit, Luiz Inácio Lula da Silva, apeloi që Assanges t’i ofrohet përkrahje dhe theksoi se SHBA-ja po cenon lirinë e shprehjes.
Zëvendëspresidenti i Bolivisë, Alvaro García Linera, madje publikoi disa dokumente të Wikileaksit në faqen e tij zyrtare në internet.
Do të nevojitet ca kohë për të vlerësuar ndikimin që ka pasur Wikileaks në botë. Nga njëra anë, me qasjen shumë më të madhe në dokumentet në lidhje me atë se si punojnë qeveritë e tyre, qytetarët dhe ekspertët ishin në gjendje të vlerësojnë paraqitjen e udhëheqësve të tyre të zgjedhur dhe të marrin pjesë në drejtimin e politikës.
Por avokatët e qeverive më të hapura ishin të gatshëm që të pranojnë çmimin. Steven Aftergood, njeriu që angazhohet kundër sekreteve ekscesive, thotë se Assange nuk ka shfrytëzuar publikimin e dokumenteve për të forcuar dhe mbrojtur shoqërinë e lirë për sulme nga brenda.
Dhe në ndërlidhje me këtë, ishte vështirë të parashikohet çmimi i aferës Wikileaks. Për shembull, a do të ngadalësonte Irani programin e vet bërthamor, pasi lexoi kërkesën e mbretit saudit, Abdullah, dërguar SHBA-së për të shkatërruar këtë program? A do të tolerojnë italianët një kryeministër, i cili sipas ambasadorit amerikan, po përfiton personalisht nga kontrata për energji me Rusinë?
Këto fshehtësi nuk ishin as për së afërmi diamanti në kurorën e arkivave të klasifikuara amerikane. Asnjë nga dokumentet e publikuara nga Wikileaksi nuk e kishin vulën “top secret”. Qeveria amerikane ka pësuar në të kaluarën goditje më të mëdha. Spiunët amerikanë ua shitën sovjetikëve dizajnin e bombës së hidrogjenit, emrat e agjentëve të dyfishtë dhe lokacionet e qendrave amerikane për përgjim.
Por përmasat e rrjedhjes së fundit tejkalojnë përmasat e çfarëdo rrjedhjeje tjetër të regjistruar deri më tani.
Assange deri më tani ka hedhur poshtë akuzat se vendimi i tij për të publikuar fshehtësitë rrezikon jetët e zyrtarëve.
Sido që të jetë, viti 2010 ka qenë vit i Assanges. Pa marrë parasysh se cili do të jetë fati i tij në gjykatat suedeze, britanike apo amerikane, ai ka prodhuar një makinë, të cilën askush nuk e di se si ta ndalë.
“Nuk mendoj se është kjo një praktikë apo kulturë që do të ndryshojë. Juliani me të vërtetë ka startuar diçka. Me përjashtimin e tij, makina nuk do të ndalet”, theksoi Jennifer Robinson, njëra nga avokatët e Assanges.
Comments are closed.
Ne perjetesi e VERTETA dispononm fuqi. K.Kosta
Bota duhet te ndryshoje , dhe ndryshuesi i saj eshte Assanges