PE: Defekte serioze në zgjedhje

10 Janar 2011, 11:39Rajoni TEMA

Delegacioni Monitorues i Zgjedhjeve të Parlamentit Evropian, përmes një komunikate për medie, ka deklaruar se pa marrë parasysh përpjekjeve pozitive shumë aktivistëve dhe individëve gjatë zgjedhjeve të 12 dhjetorit dhe 9 janarit, defekte serioze kanë shënuar vullnetin politik të pamjaftueshëm, përfshirë atë në nivel baze, për të zhvilluar zgjedhje të mirëfillta në pajtim me standardet ndërkombëtare dhe praktikat e mira zgjedhore.

“Shkeljet zgjedhore çuan në përsëritjen e zgjedhjeve më 9 janar për komunat e Deçanit, Gllogocit, Skenderajt dhe disa qendra të tjera votimi. Për më tepër, më 6 janar, Gjykata Supreme e Kosovës urdhëroi përsëritjen e zgjedhjeve në shumicën e qendrave të votimit në Mitrovicë. Si pasojë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) do të jetë në gjendje të shpallë rezultatet e zgjedhjeve vetëm pas zgjidhjes së të gjitha ankesave dhe parashtresave”, thuhet në komunikatë.

Monitoruesit ndërkombëtarë vlerësojnë se edhe pse votimi është zhvilluar kryesisht në atmosferë të qetë, ata kanë marrë parasysh raportimet për mashtrime zgjedhore dhe kërcënime. “Delegacioni është duke pritur vlerësimin përfundimtar të monitorimit vendor dhe ndërkombëtar për të paraqitur konkluzionet e tij”, theksohet në komunikatë.

Delegacioni inkurajon Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për të përfunduar numërimin e votave në mënyrë të saktë dhe për të shpallur sa më shpejt që është e mundur, në mënyrë transparente dhe të hollësishme, rezultatet e zgjedhjeve.

“Delegacioni ka vërejtur përmirësime përkatëse në performancën e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe hapat fillestar për të reduktuar kulturën e mosndëshkimit. Delegacioni thekson rëndësinë e këtyre zgjedhjeve për tranzicionin e vazhdueshëm demokratik të Kosovës, për të cilën gjë Parlamenti Evropian është plotësisht i përkushtuar”, thuhet më tej në komunikatë.

Delegacioni Monitorues i Zgjedhjeve të Parlamentit Evropian shpreh keqardhjen për shkeljet e rënda zgjedhore në disa komuna, si dhe procesin e stërzgjatur të numërimit të votave të 12 dhjetorit. “Në mënyrë që të forcohet besimi publik në procesin demokratik duhet që, menjëherë dhe shpejtë, të ndërmerret një përpjekje vendimtare për të ndjekur penalisht të gjithë kryerësit e identifikuar të mashtrimeve, përfshirë këtu rastet nga zgjedhjet lokale të vitit 2009”, kanë vlerësuar monitoruesit ndërkombëtarë.

“Kosova duhet të ndërmerr hapa të menjëhershëm për të përmirësuar procesin e ardhshëm zgjedhor për të garantuar të drejtat demokratike të qytetarëve të Kosovës, si dhe për të forcuar perspektivën evropiane të Kosovës. Delegacioni mirëpret faktin që partitë politike kanë kuptuar domosdoshmërinë për të çuar përpara reformën zgjedhore në pajtim me standardet ndërkombëtare dhe praktikat më të mira zgjedhore”, theksohet në fund të komunikatës për medie të lëshuar nga Delegacioni Monitorues i Zgjedhjeve të Parlamentit Evropian.

Lini një Përgjigje