“Berisha është peng tek Meta. Fatmir Merkaj, mbulesë e Ilir Metës në biznese me 20 për qind në hidrocentrale dhe pallate e vila në Tiranë dhe Gji të Lalëzit. Berisha synon që Meta të bëhet kreu i opozitës”
Ish Ministri i Ekonomisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, konfirmoi dje publikisht origjinalitetin e videos së transmetuar në emisionin Fiks Fare duke demonstruar kasetën e plotë, të shoqëruar me kolonën e sekondave përfund saj. Zoti Prifti, i cili qëndroi dje katër orë në Prokurorinë e Tiranës, tha se videoja është origjinale dhe se atë e ka regjistruar vetë ai.
“Me ndërgjegjen më të pastër e kam regjistruar unë videon. Por ai burrë që kërcënon e mashtron në këto 12 vjet politikë është ndër njerëzit më të rrezikshëm që ekzistojnë në Shqipëri sot.”
Më poshtë Prifti tha se ka një histori të gjatë aferash me Ilir Metën prej vitit 2001 dhe deri në vitin 2010. “Kur unë isha drejtor i KESH, dhe u largova 10 ditë në Amerikë, Meta ka blerë 10 milionë dollarë energji pa praninë time… Në vitin 2001 ai më ka thirrur në zyrë dhe më ka thënë “na duhet të blejmë disa nga anëtarët e KPD-së dhe më duhen 500 mijë marka, gjej borxh ku të duash, po më duhen”.
Këto dhe detaje të tjera ilustrojnë raportet dhe mentalitetin kriminal të këtij zyrtari me vartësit e tij dhe postin e zyrtarit të lartë të vendit.
Pyetjes së gazetarit Sokol Balla përse e mbajti kaq gjatë videon, Prifti ju përgjigj se “kam tentuar disa herë të gjej rrugën për ta bërë publike atë video”.
“Kur isha ministër tentova të bindja kryeministrin që të reagonte. Kam pasur marrëdhënie të rregullt me kryeministrin dhe ai është në dijeni të çdo kërcënimi dhe çdo plani mafioz që Ilir Meta më ka bërë mua.
Ai kryeministër që kam pasë njohur unë të fluturojë Pangon për pak minuta për diçka që s’ka peshën e kësaj që ka dalë, ai kryeministër duhet të jetë në hall shumë të madh me këtë që ka bërë. Unë nuk e prisja që ai të merrte anë dhe të fliste para drejtësisë. Ai me këtë i imponohet drejtësisë.
Ia kam ofruar në kohën e duhur kur ai kishte mundësi ta shikonte dhe të reagonte ashtu siç duhej. Por me këtë që ka bërë sot ka rënë miti ia tij njeri si njeri i pastër.
Episode që bëjnë të dyshoj për Berishën:
E kam njoftuar për kontrabandën e naftës virgjine dhe nuk ka pasur asnjë reagim. E la badigardin e tij të rrijë atje në krye të punëve që bën.
Ky është rast tjetër që merr në mbrojtje Ilir Metën, kur të gjithë e kanë parë se kush është, vetëm për interes të zgjedhjeve lokale
I kam çuar një raport të kontrollit të brendshëm për koncesionet. Kur vajta ministër jam mbytur me ankesa për ish ministrin Genc ruli. Kontrolli i brendshëm te ministria ka gjetur gjëra të tmerrshme. Ai (Berisha) e mori dhe ia dha departamentit të vet anti-korrupsion dhe deri më sot s’kam dëgjuar asnjë fjalë për këtë.
Genc Ruli ka dhënë 40 koncesione gjatë dy muajve të verës në mungesën e parlamentit, pas zgjedhjeve deri në krijimin e qeverisë së re. Në atë raport kanë gjëra që opozita nuk i ka dëgjuar asnjëherë. Unë i dhashë kryeministrit se atë kisha shef.
Kur ai më njoftoi se më shkarkonte me sms, unë i thashë po me sms se ti po shkon atje për të vjedhur.
Atë koncesion ai nuk e ka dhënë sepse ai e dinte se biseda ishte e regjistruar, ndaj krimin nuk e çoi deri në fund tu jepte dhe koncesionin t’ia jepte vëllezërve Tola.
Më vjen keq që përmendet emri i një zonje të nderuar si Shpresa Beci, por është e vërtetë që vajza e asaj ka shkuar në ambasadën tonë në Vjenë, dhe e ka çuar Ilir Meta.
Artur Hajdari (personi me emrin Turi që përmendet në video sh.r) iku nga puna dhe i ka sot 900 milionë lekë borxh Albpetrolit, si ta merrja unë dhe ta bëja drejtor të inspektoratit të naftës për Durrësin e Tiranës. Ai sot është i punësuar në policinë e shtetit.
Është mëse e qartë kur thotë anulojë tenderin në Albpetrol. Për atë s’ka rëndësi as ligji, as morali, unë të jap urdhër jam shefi jot, jam kryetar i partisë dhe ti zbatoje. Nëse unë dua atë më shumë se fëmijët e mi do e zbatoja.”
Më poshtë Prifti shpjegoi pse e ka bërë regjistrimin në zyrën e tij dhe pse është sjellë në mënyrë konformiste me Ilir Metën. Ai sqaroi se shifra 700 që bëhet fjalë në kasetë është fjala për një ryshfet prej 700 mijë eurosh dhe 7 për qind që i ishin ofruar Priftit.
“Ilir Meta kishte 20 për qind në emër të Fatmir Merkaj, bashkë me të ka dhe pallate dhe vila në Gji të Lalzit. Ka qenë shofer i tij”.
Kjo ishte dhe deklarata më e rëndë që Prifti bëri lidhur me pasuritë e pista të Ilir Metës.
Prifti sqaroi dhe përmendjen e emrit të kryeministrit në kasetë. Ai sqaroi se konteksti në të cilën përmendet Kryeministri dhe Prokuroria ka të bëjë me zëvendësimin e Drejtorit të KESH, aty u përmend dhe Stojku. “Meta kërkonte Ëngjëllush Zeqon, atë që është sot. Unë rezistova dhe ai më tha se ka folë me kryeministrin. Lidhur me prokurorinë nuk e mbaj mend qartë, por ndoshta bëhej fjalë për Belegun. Mbase ka qenë në kontekst me të”.
Prifti tha se qeveria duhet të japë dorëheqje dhe vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme, pasi kjo është shumë e rëndë.
Prifti tha se Meta, Berisha e Nano synojnë që të largojnë me çdo kusht kryetarin e Bashkisë së Tiranës dhe t’i zënë vendin. Më pas ata synojnë të zënë vendin e tij në krye të PS. “Kështu Berisha do ketë pushtetin dhe opozitën” tha Prifti. “Nëse do të vijë kjo ditë, unë nuk do të jetoj më në Shqipëri.”
Prifti tha se është i frikësuar për familjen e jo për veten e tij. Ai tha se këtë e ka brengën e vetme. “Meta është jashtë mase i rrezikshëm. Mjafton të marrësh videon se kush hy e del në zyrën e Ministrisë për një javë, janë njerëz që kanë bërë dhjetëra vite burg.”
Prifti tha se Meta është një person me intelekt nën mesataren. Nuk ka bërë asnjë ditë punë. Prifti tha se është gati që të përballet me Metën në debat, por edhe në garën për kreun e LSI. Prifti paralajmëroi të tjera publikime.
Akuzat e Priftit ndaj Metës
“Meta ka marrë në punë një Astrit Banushin, një person që më rrinte pas zyre duke kërkuar t’i firmosja një faturë me abuzim prej 200 milion lekësh. Më pak se një muaj pas largimit tim, Meta ia firmosi lekët. Më pas Meta e ka bërë drejtor të përgjithshëm”.
“Ilir Meta ka shkuar në Çeki kur Shkodra përmbytej për t’i kërkuar CEZ t’i jepte Kastriot Ismailajt, një personi me dosje, një kontratë për të mbledhur borxhet e vjetra. Janë 200 mln euro borxhe. Nëse ai i mbledh, merr 50 përqind”.
“Nëse verifikoni lejet minerare të Metës, ka skandale pa fund. Nuk lejohet të jepen leje të tilla pa kaluar nëpër disa vendime qeverie”.
“Meta nuk do të privatizojë Albpetrolin sepse i duhen tenderat”.
Comments are closed.
Detyrat e nje kryeministri qe le detyren:
Pergatit dy letra per pasardhesin.
Letra e pare e porosit kreyeministrin qe do vije pas tij,qe per cdo hall ,fajet tia faturoje paraardhesit.
Letra e dyte e porosit kryministrin qe do ta zevendesoje,te beje edhe ai gati dy letrat ,per pasardhesin e tij.Kaq e thjeshte eshte kjo pune more zoti Sali.Prandaj mos e perjeto aq keq,sikur po behet kijameti…
Pergjejgesia e Politikaneve Shqipetare nuk matete me fajsine apo pafajsine Penale. Pergjegjesia Politike dhe Morale eshte shume e rendesishme per besimin mbi Politikanin. Nepermjet kesaj Video besimi fillestar apo baze mbi Kryeministrin Berisha dhe zv. Kryeministrin Meta per kryerjen e detyrave shteterore eshte demtuar kaq shume saqe keta persona duhet te tregojne karakterin e tyre njerzor dhe politik dhe te terhiqen per hir te interesave te vendit pergjithmone nga skena politike. Duke u terhequr ata permbushin dhe faktojne karakterin e tyre si te zgjedhur nga admiruesit e tyre. Dmth. qe Qeveria duhet te jape dorheqen menjehre dhe te bashkepunoje me Opoziten per vendosjen e dates mbi zgjedhjet e reja parlamentare. Besimi baze mbi kete Qeveri ka humbur plotesisht. Qeverisja e vendit pa dorheqe do te jete e pamundur.