Raporti i PD me mediat në vitin 1995. Kur hidheshin themelet e varësisë së mediave ndaj politikës në Shqipëri. Strategjia për të shuar zërat kundër qeverisë, nëpërmjet “blerjes” së mediave. Cilat ishin gazetat pro dhe kundër PD në vitin 1995
Pas tre viteve të para të qeverisjes, 92-95, në të cilat PD kishte një marrëdhënie të vështirë me median, në vitin 1995 ajo hartoi strategjinë e parë të “skllavërimit” të media. Partia Demokratike dhe presidenti i atëhershëm, Sali Berisha, e panë të nevojshme që të kishin një raport të ri me shtypin, ndërkohë që gjatë viteve të para të demokracisë ishin hapur shumë media, kryesisht gazeta, shumica e të cilave konsideroheshin prej zyrtarëve të PD-së si media kundërshtare.
Në mars të vitit 1995, kryesisë së PD-së ju paraqit një relacion që kishte të bënte me pasqyrën e mediave të atëhershme në raport me PD-në. Një grup pune i ngarkuar të analizojë me imtësi politikën editoriale të secilës gazetë, i paraqiti kryesisë së PD një raport të detajuar për numrin e gazetave pro dhe kundër PD-së, tirazhin e tyre dhe një strategji me të cilën të krijoheshin raporte të reja të shtypit me PD. Bëhet fjalë kryesisht për gazetat që ishin me një politikë editoriale kundër PD-së.
Joshja nëpërmjet reklamave të qeverisë ishte një prej pikave më të forta të strategjisë së grupit të punës pranë PD për të “blerë” mediat kundër PD. Paralelisht me këtë, pjesë e strategjisë ishte edhe fuqizimi i mediave pranë PD, me qëllim që t’i kundërviheshin opozitës së atëhershme socialiste. Raporti i mëposhtëm dëshmon qartë se qysh herët ka munguar dëshira dhe vullneti i politikës për të kontribuar në hedhjen e themeleve për media ta pavarura në Shqipëri. Blerja e mediave nga politika është një fenomen i hershëm, qysh në nisje të tranzicionit në Shqipëri.
Material mbi shtypin drejtuar anëtarëve të kryesisë së PDSH
RELACION MBI STRUKTURËN E SHTYPIT NË SHQIPËRI
Të dhënat janë bazuar në kërkimet e bëra në muajin janar
I- Botimi i gazetave pro në periodik javor
a) Gazeta të përditshme
1. Rilindja Demokratike 8000 kopje
2. Rilindja 19000 kopje
b) Gazeta tre here në javë
1. Lajmi i Ditës 4000 kopje
c) Gazeta dy herë në javë
1. Republika
2. Sindikalisti
3. Zëri i rinisë
4. Bashkimi
5. Kosova
d) Gazeta javore
1. Drita
2. Liria
3. Dardania
4. Çamëria
5. Ora e PDK
6. Antena
Dh) Gazeta të tjera që botohen dhe nuk janë kundra
1. Balli i Kombit
2. Gazeta Shqiptare
3. Aleanca Nacionale
e) Janë aktualisht gazeta të mbyllura për arsye financiare
1. Harku i dhjetorit
2. Studenti
3. Studenti i bujqësisë
II- Të dhëna shtesë për gazetat “pro” dhe “Kundra”
1. Në muajin janar 1995 janë botuar 6 gazeta të përditshme. Konkretisht
“Pro”
1. Rilindja Demokratike
2. Rilindja
“Kundra”
1. Zëri i Popullit
2. Koha Jonë
3. Populli Po
Asnjanës
Gazeta Shqiptare
2. Sipas numrit të gazetave në muajin janar 1995 janë botuar:
Gazeta pro- 14 tituj
Gazeta kundër- 19 tituj
3. Sipas periodikut javor në janar 1995 janë botuar;
Gazeta pro- 105 gazeta;
Gazeta kundër- 241 gazeta
4. Sipas tirazhit në janar 1995 janë botuar;
Gazeta pro 104.000 gazeta;
Gazeta kundra 285.000 gazeta
5. Është në prag të falimentimit për arsye financiare “Zëri i Rinisë”
6. Botohen gazeta të FRPD dhe të PD në rrethet Lushnje, Shkodër, Laç, Elbasan, Fier, Lezhë, Kavajë, Vlorë, Korçë, etj.
7. Botojnë gazeta ose buletin të posaçëm Ministria e Arsimit, Mbrojtjes, Bujqësisë, ndërkohë që nuk boton ministria e Ekonomisë.
8. Asnjë gazetë “pro” nuk shkon në zonat fshatare, ndërkohë që kundërshtaret po.
9. Asnjë gazetë “pro” nuk e ka rrjetin e shpërndarjes të siguruar nëpër qytete, pasi pikat e shpërndarjes kontrollohen që në 1991 nga ish- punonjës të nomenklaturës.
10. Agjencia shtetërore e shtypit është jashtë funksionit, pasi nuk ka mundësi të komandojë rrethet për mbledhjen e pareve.
11. Të vetmet gazeta “pro” që marrin informacion të mjaftueshëm zyrtar janë RD e Lajmi i Ditës, ndërkohë që në rrugë tjetër furnizohen rregullisht nga administrate shtetërore, gazetat kundërshtare Koha Jonë, Zëri i Popullit, Populli Po, apo Gazeta Shqiptare.
12. Rreth 50% e drejtuesve të gazetave “pro” nuk ftohen në konferencat për shtyp të presidenti, PD apo qeverisë.
13. Rreth 50% e drejtuesve të gazetave “pro” nuk janë të pajisur sipas ligjit me pasaporta shërbimi, ndërkohë që kundërshtarët kanë të gjithë.
14. Organizmat shtetërorë për vitin 1995 janë abonuar në të gjitha gazetat kundërshtare dhe vetëm në 50% të gazetave “pro”
15. Shpërndahen në Maqedoni, Zvicër, Gjermani e Austri vetëm gazetat Rilindja dhe Dardania, ndërkohë që ato në mënyrë të rregullt në Greqi…
16. Rreth 40% e stafit drejtues të gazetave “pro” vazhdojnë të jenë pa asnjë perspektivë strehimi familjar.
Propozime
1. Të caktohet nga PD ose institucione e saj një zyrë dhe një përgjegjës, i cili të mbajë kontakte të vazhdueshme me të gjitha gazetat. Kjo zyrë duhet të marrë masa të parapërgatisë lexuesin (një javë ose dy përpara) për të gjithë vendimet e rëndësishme që do të marrë PD, qeveria, parlamenti e presidenti.
2. Të merret parasysh dhe në mënyrën më serioze projekti shpërndarës i shtypit të gazetës “Rilindja”, i cili i garanton shtypit demokratik shpërndarjen më të mirë pa asnjë investim shtetëror. Ky është çelësi i gjithë punës me shtypin.
3. Shteti nëpërmjet njoftimeve, ose ato të AKP, të ndihmojë së pari gazetat pro tij, duke bërë përzgjedhjen sipas rëndësisë dhe frekuentimit të tyre.
4. Çdo drejtues i gazetave pro duhet të thirret në konferencat e shtypit të institucioneve politike.
5. Nëpërmjet Ministrisë së Jashtme, zyrës së shtypit, sipas ligjit, të pajisen me pasaporta shërbimi edhe drejtuesit e gazetave “pro”.
6. Si furnitor kryesor i armatës së gazetarëve duhet patjetër të bëhen ndryshime të vogla në stafin drejtues të katedrës së gazetarisë në Fakultetin Filologjik, ku drejtuesit e sotëm janë individë të PAD-së, ish/funksionar të ZP e “Jeta e Partisë”.
7. Nëpërmjet entit kombëtar të banesave, drejtuesit e gazetave pro duhet të ndihmohen nga shteti për strehim (kredi 20-vjeçare) ose me troje për gazetat që mund t’i gjejnë vetë paratë.
8. Shteti nëpërmjet licencave tregtare-letrare duhet t;i ndihmojë gazetat meqenëse gjithçka është në bazë ligjore
9. Të sistemohen në zyra gazetat “pro”, të cilat ende vazhdojnë të paguajnë qira nëpër familje tiranase.
10. Shteti duhet të ndërhyjë urgjentisht për vendosjen e përforcuesve televiziv në të gjitha zonat ku janë hequr ose s’ka pasur.
Disa mendime për përmirësimin e punës në shtyp
A) Mbi shtypin në përgjithësi
Tani pas tre vjetëve nga 22 marsi ’92, për arsye të ndryshme ka një tablo të tillë:
– Shtypi opozitar është më i suksesshëm, është numerikisht më i lartë si tituj gazetash, më i lartë në tirazh dhe më i organizuar. Financiarisht më i fortë.
– Shtypi ynë, RD dhe gazetat me orientim pro zhvillimeve demokratike kanë ruajtur seriozitetin e një shtypi korrekt, dhe janë në disavantazh në numër, tirazh e me pak të ardhura financiare.
Ndaj çështja shtrohet të vendoset ekuilibër në raportet e mësipërme
1. Të vlerësohet roli i zëdhënësve të ministrive e zyrës së shtypit të kryeministrit, të krijohen sa më shpejt ku s’ekzistojnë të jenë sa më të pranishëm në të gjitha organet e medias së shkruar dhe veçanërisht të shfrytëzojnë hapësirën e RTV.
2. Përshëndesim praktikën e nisur të konferencave të shtypit të anëtarëve të qeverisë, duke sugjeruar këtu që konferenca e shtypit nuk bëhen vetëm nga titullarë e në përvjetorë, por edhe nga zyrtarë të ndryshëm të administratës, qoftë edhe për një problem të caktuar. Zëdhënësit mund të institucionalizojnë aktivitete të tilla.
3. Mund të jetë e dobishme një gazetë qeveritare, 1 javore ku zëdhënësit e ministrive informojnë mbi aktivitet përkatëse. Puna drejtohet nga zyra e shtypit dhe informacionit të kryeministrisë. Shumë të rëndësishme do të jenë botimet e vendimeve të qeverisë në këto gazeta. Komenti i zëdhënësve dhe prononcimet e qeveritarëve do të jenë sqaruese dhe do t’i detyrojnë gazetat e tjera për referim. Çmim simbolik.
4. Buletin të përditshëm të Kuvendit Popullor, ku të jepet qartë plani i punës për javën, puna në komisione, vendimet e marra e ligjet e miratuara, rezultati i votimit dhe mundësisht kush voton kundër, pro e abstenim.
5. Gazeta “Lajmi i ditës” të dalë çdo ditë, me tirazh të madh, të bëhet gazeta nr. 1 e informacionit në Shqipëri. Do të çlirojë edhe gazetën RD nga një pjesë e dhënies së informacionit zyrtar.
6. Të organizohet një propagandë më e mirë për zhvillimet jashtë, veçanërisht për zhvillimet në Evropën Lindore.
a) ATSH+TVSH, të dërgojnë gazetar në vendet përkatëse për reportazhe, intervista, krahasime me gjendjen në vendet e tjera ish-komuniste.
b) Të rritet cilësia dhe shpejtësia e lajmeve të ATSH në këtë drejtim.
c) ATSH të përcjellë shtypin e huaj që shkruan pozitivisht për Shqipërinë.
7. Doli “Tribuna Demokratike”, dhe ajo duhet të alternohet me RD për tema konkrete. Pozicioni i saj më komod më i lirë në prizmin partiak, më agresiv ndaj opozitës, dhe më i djathtë në fizionominë e gazetës. Të jetë fillimisht 2 deri në 3 herë në javë me perspektivën e së përditshmes. Ka filluar seriozisht puna në këtë drejtim nga dega e PD, Tiranë.
8. Mundësia e mbështetjes së krijimit të gazetave të pavarur me orientimin të djathtë, pro proceseve demokratike.
9. Të mbështetet gazeta “Bashkimi”, e cila duhet të hyjë tanimë fuqishëm në trajtimin e problemeve politike, ekonomike etj.. Sepse trashëgon një emër. Po kështu Zëri i Rinisë duhet të rritet dhe gradualisht të çelë një rubrikë ku të sjellë mendimet e rinisë për proceset aktuale që zhvillohen.
10. RD, Lajmi i Ditës, Tribuna Demokratike, Zëri i Rinisë, Bashkimi, Antena etj, mund që për ngjarje të veçanta dhe momente të caktuara të koordinojnë punën. Kjo është detyrë me rëndësi për departamentin e shtypit dhe informacionit në PD.
11. Të funksionojë me efikasitet sektori i propagandës pranë PDSH
Detyra kryesore e tij:
A) Drejtimi në princip i propagandës tonë çka nënkupton
a1)teza themelore
a2) strategjia e imponimit të këtyre tezave shtypit në përgjithësi
a3) teza të përkohshme në përputhje me mendimin
B) Kryesore:
Studimi i propagandës së opozitës. Skedimi në kompjuter i të gjithë politikanëve kryesor të partive politike, vendi, data e deklarimit. Synimi: publikimi në gazeta, broshura, revista, pse jo dhe libra në prag të fushatës për të dëshmuar inkonsekuencën e tyre politike, për të dëshmuar se drejtuesit socialistë shqiptar janë të parinovueshëm. Ka rëndësi edhe në një plan individual të figurave kryesore politike.
Në Shqipëri, duke mos u përballur me praktika të tilla me shtypin, shumë efikase në botë, ka papërgjegjshmëri në qëndrime e deklarime. Duhen shfrytëzuar.
C) Publikimi i broshurave mbi PD, e zhvillimet demokratike në gjuhë të huaj për EDU, IDU e organizma të tjera ndërkombëtar.
12. Departamenti i shtypit duhet të jetë i përkryer në mekanizmin e lidhjes së gazetës me aktivitet partiake. Veçanërisht me pasqyrimin e punës së seksioneve apo grup-seksioneve.
Grupi i punës për marrëdhëniet me shtypin
Tiranë
27 mars 1995
Comments are closed.
O bo ,bo.Komunistet me Salen nuk vdesin kurre
Ngjan si dy pika uji me Tezat e KQ TE PPSH per nje hov revolucionar per punen me shtypin.