Ish/ ministri i Ekonomisë Ilir Meta ka dhënë konferencën e fundit në ambientet e Ministrisë lidhur me video-përgjimin ku ai përmend shifra 700 mijë dhe 7 për qind. Edhe pse ka kaluar tashmë një javë nga publikimi i videos Meta plotëson gati çdo ditë alibinë e tij me nga një sqarim të ri mbi ato çfarë ai tha në bisedën e regjistruar me Dritan Priftin. Duke sqaruar shifrën 7 për qind që në video ai e afron si ryshfet për Priftin nëse firma në fjalë fitonte tenderin, Meta dje tha se në fakt kjo shifër ka kuptim tjetër.
“U mbushën tre vjet që kjo shoqëri është angazhuar dhe po investon konform ligjit, për ndërtimin me konçension të HEC-eve mbi lumin Shushicë-Elbasan. Investimi dhe shpenzimet e kryera deri tani nga aksionerët e shoqërisë e kalojnë shifrën 700 mijë euro ku disa kompani hungareze kanë qenë pjesë e kësaj shoqërie të përbashkët dhe ku në veçanti, njëra prej tyre ‘Guns-Egypt’ ishte një kompani shumë e rëndësishme sepse ajo siguronte teknologjinë, turbinat etj, e cila kishte një përqindje prej 6.66 për qind, apo diku tek 7 përqindëshi nëse kjo gjë ekziston në bisedën e montuar”, është shprehur Meta. Meta deklaroi gjithashtu se ndërhyrja e tij tek ish-ministri i Ekonomisë, Prifti ishte sipas ligjit, pasi kompania kishte fituar të drejtat nga Gjykata e Apelit. Ai madje hodhi poshtë dhe deklaratën e kryetares së Gjykatës së Lartë Shpresa Breçaj, e cila tha se vendimi i gjykatës së Apelit për të cilin flet Meta në video është marrë tre muaj më pas.
“Gjykata e Lartë, për rastin konkret nuk ka asnjë lidhje. Ky është një vendim i Gjykatës së Apelit të formës së prerë për çështjen e procedurave, për vazhdimin e tyre. Vendimi tjetër që bëhet fjalë është për gjykimin e çështjes në themel, nuk ka lidhje me këtë vendim dhe sipas tij, duhet të vazhdonim procedurat”, theksoi Meta.