Misioni i ODIHR-it mbledh informacione për zgjedhjet

18 Janar 2011, 23:22Politika TEMA

Përfaqësuesit e misionit të ODHIR-it që po viziton Shqipërinë këto ditë janë takuar dje me disa ministra, kryetar partish e krerë institucionesh për të parë situatën parazgjedhore për zgjedhjet lokale të 8 majit. Ministri i Brendshëm Lulzim Basha informoi përfaqësuesit e këtij misioni mbi përgatitjet e deritanishme për zgjedhjet vendore të 8 Majit 2011, si dhe me udhëzimet e drejtuara për njësitë e qeverisjes vendore për këtë qëllim.

Sipas një njoftimi publikuar në faqen zyrtare të ministrisë së Brendshme thuhet se përfaqësuesit e misionit të ODHIR-it vlerësuan përmbushjen rekomandimeve që kanë të bëjnë me shpalljen në kohë të listës paraprake të zgjedhësve dhe me pajisjen e votuesve me dokumentet e nevojshme të identitetit.

Ndërsa Ministri  i jashtëm Edmond Haxhinasto tha pas takimit se  “misioni përkatës, është duke bërë vlerësimet e të gjithë elementëve që çojnë në një proces zgjedhor me zgjedhje të lira e të ndershme dhe  në fund të këtij Misioni ato do të dalin më një raport ku do të përcaktojnë pikërisht vlerësimin e tyre  për situatën politike në Shqipëri për përgjegjësitë e secilës forcë politike dhe për çështjet e administrimit zgjedhor”. Sipas tij problemi më i madh është angazhimi politik i opozitës për të marrë pjesë në përgatitjen e të gjithë atyre amendimeve që tashmë janë të qarta.

Lini një Përgjigje