Policia s’është me ne!

18 Janar 2011, 11:17Politika TEMA

Nga Idlir Peçi

Një natë vere në vitin 1993, teksa po kthehesha për shtëpi me disa shokët e mi, një furgon policie na ndalon para këmbëve dhe na kontrollon pa na dhënë asnjë arsye. Përgjigja ndaj pyetjeve tona për arsyet e kontrollit ishte nga një shpullë për person. Të poshtëruar nga kjo ngarje, u kthyem të gjithë në shtëpi, pa bërë zë dhe pa folur me askënd për këtë ngarje. Të nesërmen, një shoku im i ngushtë ndalohet nga një furgon policie. Policët e ftojnë gjithë ‘delikatesë’ në furgon dhe përfundimi ishte një sy i nxirë dhe disa shenja blu nëpër trup. Shoku im dhe sot e kësaj dite nuk e di arsyen e saktë të kësaj ngjarjeje, megjithëse dyshon te flokët e tij të gjata apo bluxhinset e tij të grisura. Disa ditë më vonë, duke shtyrë orën në një nga bilardot e shumta të qytetit tim, të lodhur nga kotësia e atyre ditëve gri me diell, na nderon me vizitën e saj policia e shtetit. Policët ishin të armatosur, kishin maska në fytyrë dhe më i sjellshmi prej tyre na shau nga ‘robt e shpisë’. Në atë çast kuptova sa naivë kishim qenë kur në demonstratat e vitit 1991 bërtisnim ‘Policia është me ne!’. Gjithësesi, vitet kaluan, unë dhe shokët e mi premë flokët dhe veshëm bluxhinse te pagrisura, se asnjëherë nuk i dihet se ç’mund të ndodhi rrugës. Por dhe policia ama filloi të ‘zbutej’. Të paktën në dukje, episode si ato të verës të vitit 1993 filluan tw bëheshin të rralla. Aq të rralla, sa fillova të besoj se ato ngjarje ishin thjesht një trillim fantazie apo një ëndërr e keqe. Kaq larg shkoi naiviteti im, saqë fillova të besoja se më në fund policia e vendit tim po bën atë që bën çdo polici e një vendi të lirë: të jetë ne shërbim të qytetarit.

Por do ti, që një të shtunë (jo më larg se para 7-8 ditësh), policia e Fierit dhe e Vlorës vuri nën sitë me dhjetëra lokale që frekuentohen nga të rinjtë. Policët ishin të armatosur dhe me maska në fytyrë. Deri në 100 të rinj u shoqëruan nëpër komisariatet e policisë. Të shoqëruarit janë marrë në pyetje dhe u janë marrë shenjat e gishtave. Për më tepër pretendohet se policia ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj tyre. Ndërsa unë ndjeva një rrëqethje në trup dhe pata një ‘deja vu’! Nuk paska qenë fare ëndërr vera e 1993! Gjëra të tilla vazhdojnë të ndodhin në vendin tim. Megjithëse gjërat kanë ndryshuar. Shqipëria po ndryshon! Të paktën informacioni nuk mungon. Një drejtor policie del e jep arsyet e shoqërimit masiv. Sipas tij shoqërimet janë kryer në kuadër të disa verifikimeve. Ai deklaron se në të ardhmen mund të ketë edhe raste konkrete arrestimesh. Policia është duke zbatuar një plan masash për sigurimin e rendit dhe parandalimin e krimit. Ministri ynë i policisë, i cili demek është shkolluar në një universitet perëndimor që ka një traditë të gjatë në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, del e mbështet policët e vet. Madje ai deklaron që aksione të tilla do të ketë edhe në ditët ne vijim (natyrisht në qoftë se skandali ‘Meta’ do ta lejojë të merret me vogëlsira të tilla). Ndërsa unë, pedagog i të drejtave të njeriut i po atij universiteti ku është shkolluar ministri ynë i policisë, vë duart në kokë e mërzitem sepse universiteti im jo gjithmonë ia del të brumosë studentët e vet me frymën Evropiane të të drejtave të njeriut dhe shtetit ligjor.
Sa më shumë mendoj për aksionet e fundit të policisë, aq më shumë abuzim të kompetencave ligjore të policisë, dhe si rrjedhojë shtrembërim te shtetit ligjor dhe shkelje të të drejtave të njeriut, konstatoj. Nuk dua t’i mërzis lexuesit me analiza të stërholluara juridike, por ama nja dy fjalë për parimet bazë të shtetit ligjor dhe të drejtat e njeriut dua t’i them. Një nga parimet bazë të shtetit ligjor është parimi i ligjshmërisë, që përkthyer në gjuhë të thjeshtë, do të thotë që shteti në përgjithësi dhe policia e shtetit në veçanti mund të ndërhyjnë në jetën private të qytetarit dhe të kufizojë liritë e tij vetëm në ato raste që parashikon ligji. Dhe kjo nuk do shumë mend ta kuptosh. Është populli ai që me votën e tij të lirë autorizon ligjvënësin të miratojë ligje të cilat, në shërbim të interesit të përgjithshëm, kufizojnë liritë e qytetarit. Pra jo më kot kemi një Kod të Procedurës Penale, një Kushtetutë apo ligje të veçanta, siç është Ligji për Policinë e Shtetit, që rregullojnë aktivitetin e Shtetit në fushën penale. Këto ligje kufizojnë gjithashtu kompetencat e shtetit përkundrejt lirive të qytetarit. Fakt është që në kontrollet e ushtruara nga policia në Fier dhe Vlorë, të rinjve në fjalë iu kufizua apo iu hoq përkohësisht liria. Liria e personit mund të kufizohet vetëm në rastet dhe mënyrat e përcaktuara në ligj (shiko Nenin 2 dhe Nenin 5 të Kodit të Procedurës Penale si dhe Nenin 27 të Kushtetutës). Kushtetuta jonë lejon kufizimin apo heqjen e lirisë së qytetarit vetëm në rast se ai është dënuar me burg nga gjykata, apo kur ai nuk ka zbatuar një urdhër të ligjshëm të lëshuar po nga gjykata, për moszbatim të një detyrimi ligjor, sepse ndaj tij rëndojnë dyshime të arsyeshme se ka kryer një vepër penale, për mbikëqyrjen e të miturit, kur personi në fjalë është përhapës i sëmundjeve ngjitëse apo i paaftë mendërisht dhe i rrezikshëm për shoqërinë dhe së fundmi nëse personi në fjalë ka hyrë në mënyrë të paligjshme në territorin e Shqipërisë apo në raste ekstradimi (shiko Nenin 27 të Kushtetutës si dhe Nenin 5 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut). Nga deklaratat e policisë në Fier dhe Vlorë nuk rezulton se të rinjtë ne fjalë ishin të dyshuar për vepra konkrete penale apo të dënuar nga gjykata. Ata janë marrë në ambjentet e komisariateve për të parë nëse mund të jenë autorë të krimeve të ndryshme, ose thënë ndryshe, ata janë kontrolluar nëse janë të dyshuar. Policia deklaroi se personat në fjalë janë shoqëruar në ambjentet e komisariateve përkatëse. Ligji për Policinë e Shtetit (Neni 45) i jep fuqi policisë të shoqërojë një person vetëm në kushtet apo rastet e parashikuara nga Kushtetuta (pra Neni 27 i Kushtetutës i përmendur më lart). Nëse kemi parasysh Kushtetutën, shoqërimi mund të ndodhë pra vetëm nëse dikush është i dënuar, i dyshuar apo nuk ka zbatuar një detyrim ligjor. Dy mundësitë e para i kemi eliminuar dhe e kam shumë të vështirë të gjej një detyrim ligjor që të rinjtë nuk kanë zbatuar, i cili ka çuar në shoqërimin e tyre. Këtë le të na e thotë policia. Policia deklaron se personat e shoqëruar janë marrë në pyetje dhe pastaj janë lënë të lirë. Por unë e kam shumë të vështirë të gjej një dispozitë ligjore që i jep fuqi policisë të shoqërojë një qytetar, ndaj të cilit nuk rëndon asnjë dyshim, dhe ta marrë në pyetje në ambjentet e komisariatit pa ndonjë arsye konkrete. Për më tepër, vetëm ky fakt në vetvete përbën dhunë psikologjike. Mënyra se si ka vepruar policia dhe deklaratat e saj më bëjnë të mendoj se përveç heqjes apo kufizimit të lirisë të të rinjve në fjalë, është shkelur në mënyrë flagrante edhe prezumimi i pafajsisë, që është një nga garancitë themelore të një procesi të drejtë dhe të ligjshëm. Çdo person, përfshi edhe të dyshuarin apo të pandehurin, prezumohet të jetë i pafajshëm deri në momentin kur ligjërisht provohet e kundërta ndaj tij. Por në rastin e Fierit dhe të Vlorës të gjithë u prezumuan fajtorë deri në momentin që ndaj tyre u provua e kundërta; dhe kjo jo në mënyrë të ligjshme sepse nuk e provoi gjykata, por policia! Nëse ky aksion do të shtrihet në qytete të tjera, pyetja që lind është: mos vallë të gjithë qytetarët e ketij vendi prezumohen fajtorë deri sa ndaj tyre të provohet e kundërta? Frikshëm…shumë frikshëm! Gjithësesi, në çdo rast kufizimi të lirisë, pavarësisht etiketës që i vihet kufizimit, personit në fjalë duhet t’i komunikohet arsyeja e kufizimit të lirisë. Por të rinjtë ne fjalë nuk e kishin të qartë se përse ishin shoqëruar. Policia deklaroi gjithashtu se personat në fjalë u ndaluan për identifikim. Ligji për Policinë e Shtetit thotë se policia mund të kontrollojë identitetin e një personi kur ai është i pranishëm në vendgjarje, kur ekzekutohet një urdhër i organeve përkatëse, kur bëhet kontrolli i personave të dyshuar për prishje të rendit publik ose kur personi në fjalë hyn ose del nga territori i Republikës së Shqipërisë (Neni 39). Por në rastin e Fierit e të Vlorës nuk ka patur ndonjë vendngjarje, nuk dihet se cili urdhër ështe zbatuar (por edhe nëse është zbatuar një urdhër ai prapë duhet të jetë i bazuar në ligj); siç thamë, personat në fjalë shoqërohen për të parë nëse mund të dyshohen dhe jo sepse janë të dyshuar dhe natyrisht që ata as nuk hynë e as nuk dolën nga Shqipëria. Për të bërë shoqërimet policia hyri/bastisi lokalet që janë pronë private. Në përgjithësi hyrja në një pronë private bëhet vetëm me mandat nga gjykata dhe në raste shumë të veçanta policia mund të hyjë në një pronë private forcërisht dhe pa lejen e gjykatës. Këto raste janë nëse ka të dhëna të besueshme se në mjedisin konkret është duke u kryer një krim apo duhet shmangur një rrezik publik i çastit ose duhet dhënë ndihmë ose në raste aksidentesh apo fatkeqësish natyrore (Neni 43, Ligji për Policinë e Shtetit). Por asnjë nga këto rrethana nuk ishte e pranishme në rastin e Fierit apo të Vlorës kur policia ka hyrë me një demonstrim force në lokalet private ku ndodheshin të rinjtë në fjalë.
Sa përmenda më lart, të dashur miq, janë thjesht maja e ajsbergut e shkeljeve të të drejtave të njeriut dhe abuzimit të kompetencave të policisë në rastin e Vlorës e të Fierit. Por besoj, se mjaftojnë për të kuptuar se Shqipëria po ndryshon vërtet. Por nuk e di nëse Shqipëria po ndryshon për mirë apo për keq. Atë gjykojeni ju. Unë për vete për një gjë jam shumë i sigurtë: Policia s’është me ne!

Autori është Lektor i të Drejtës Penale dhe të Drejtave të Njeriut në Universitetin e Utrecht-it, Hollandë. Botuar tek respublica.al

3 komente në “Policia s’është me ne!”

  1. saimir says:

    Luli i Hollandes ,po pergatit policine ne nje teren te ngjashem per te mos bere buje ne Tirane!Ne fakt kjo nderhyrje e policise eshte vendosur te zbatohet ne ashtequajturin “Grusht bashkiak te 8 Majit”ku policia e shtetit Sahilist do te neutralizoje çdo levizje te lire ç’do kunderpergjigjie te opozites deri ne shpalljen e rezultatit nga lobuesit e paguar te Ilirit,Salise !Thone qe komisioner kete radhe ka per te ardhur edhe z.Nano,si i derguar nga Austria.I respektuar z.I.Peçi ne çdo vend te botes se qyteteruar e demokratike : Individi eshte i pafajshem deri sa ti vertetohet fajesia,ne ç’do diktature qofte kjo dhe Sahiliste :Individi eshte iç fajeshem deri sa ti vertetohet pafajesia.Ky eshte edhe motivi perse polici nderhyn me vend e pa vend.Luli po pergatit nje force qe do ta kete zili edhe vete Kosova ,pasi n.q.se ne 96-97 trupat e gjeneralit famekeq A.Shehu nuk dinin shqip,ndersa trupat speciale te Lulit dine shqip.

  2. LORA says:

    Policia eshte e detyruar ne misionin e saj kushtetues te jete ne mbrojtje te qytetarit,te jetes,prones e sovranitetit te tij;ne te kundert,si polici e nje vendi anetar te natos,do te balladaqohet rishtazi me leksionin e Dukatit.

  3. Nabukodonosor says:

    Policia ne Shqiperi eshte e paafte,e korruptuar ,servile pa asnje moral dhe me kujton qenin qe kur i kanosesh me dru trembet dhe kur i hedh ushqim tund bishtin.

Comments are closed.

Lini një Përgjigje