Gazeta e njohur austriake “Wiener Zeitung” në një shkrim të sajin thotë se raportuesi i Këshillit të Europës, Dik Marti, ka bërë një kthesë në qëndrimin e tij ndaj Hashim Thaçit. Ai ka deklaruar në një intervistë të tijën se Thaçi nuk është i përzier direkt, por njerëz pranë tij. Sipas gazetës, është vështirë që të besohet se Thaçi nuk ka dëgjuar për një gjë të tillë. Gazeta shkruan se në dhjetor deklaratat e Martit ishin krejt ndryshe. Ai shihej si shefi i një grupi kriminal në rajonin e Drenicës. E përditshmja vieneze thotë se kjo çështje po bëhet misterioze. Sipas saj, Marti e ka bazuar hetimin mbi deklarata të disa dëshmitarëve anonimë. Gazeta thotë se këto dëshmitarë mund të jenë tërhequr. Vëzhguesit, shkruan gazeta, druhen se Marti ka humbur dëshmitarët. Në gazetë përmendet edhe rasti i gjyqit të Haradinajt. Sipas saj, në fillim ishin dhjetë dëshmitarë që do shpreheshin kundër Haradinajt. Tani është vetëm një, madje dhe ai i ka mbijetuar një atentati.