Në tre vjetët e fundit, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka qenë partia më e zhurmshme opozitare që ka kritikuar qeverisjen e koalicionit PDK-LDK. Për mandatin në vijim partia e Ramush Haradinajt do që të bashkëqeverisë pikërisht me këto dy subjekte politike.
Lajmin e ka bërë të ditur për “Kohën Ditore” nënkryetari i parë i kësaj partie, Blerim Shala. Ai ka thënë se ka mbështetjen edhe të forumeve vendimmarrëse të AAK-së për ta promovuar idenë e koalicionit PDK-LDK-AAK. Ka thënë ta ketë përmendur në ambasada, ndërsa propozimin për formulën qeverisëse ka ndërmend t’ua shtrojë në tryezë përfaqësuesve të subjekteve politike menjëherë pasi të certifikohen rezultatet e zgjedhjeve të 12 dhjetorit. Sipas tij, një Qeveri e këtillë do ta stabilizonte vendin dhe do të merrte vendimet kapitale për çështjet kyç, të cilat e presin Kosovën.
Ai është kundër një Qeverie me mbështetje jo të gjerë në Kuvend, që pritet ta krijojë Thaçi i PDK-së, e po ashtu edhe kundër një Qeverie teknike të përkohshme që do ta përbënin të gjitha partitë, që e do Mustafa i LDK-së.
Sipas Shalës, legjitimiteti i institucioneve që do të dalin nga zgjedhjet do të jetë i lënduar për shkak të manipulimit të votave. Për manipulim ka bërë përgjegjës të gjitha partitë. Madje, edhe AAK-në.
Por, ka thënë se pas një periudhe, minimum 2-vjeçare, do të mund të bëheshin ndërrime në ligj që do të garantonin proces të mirëfilltë zgjedhor, si dhe do të bëheshin ndërrime në Kushtetutë që i referohen mënyrës së zgjedhjes së presidentit. Deri atëherë, Qeveria PDK-LDK-AAK, sipas Shalës, do t’u jepte zgjidhje edhe 10-20 temave të tjera madhore.
Në intervistën me “Kohën Ditore”, Blerim Shala zgjedhjet e fundit i ka vlerësuar si “ më të këqijat të organizuara në Kosovën e pasluftës, me manipulime të shumta.”
Ai e ka pranuar zhgënjimin e AAK-së edhe sa u përket rezultateve. “Aktualisht ne kemi 11.2 për qind të votës së përgjithshme. Kemi humbje fizike nga zgjedhjet lokale të vitit 2009. Ju e dini që kemi pasur dyfishim të votës në zgjedhjet e vitit 2009. Tash kemi rënie të votës. Jemi përpjekur që të kemi rezultat të mirë. Është e vërtetë që mungesa e kryetarit Haradinaj gjithsesi se është reflektuar edhe në organizimin tonë, edhe në cilësinë tonë, edhe në aftësitë logjistike, por në përgjithësi mund të them se ky rezultat është befasues për mua. Dua t’ ju them diçka që, për bindjen time, është paradoksale… Dy partitë më të mëdha, PDK dhe LDK, të cilat gjithsesi janë më të merituarat për këtë tatëpjetë të madhe të Kosovës. Kanë marrë më 12 dhjetor më shumë vota fizike dhe përqindje më të madhe sesa që kanë marrë në vitin 2007. Në vitin 2007 së bashku i kanë pasur 62 deputetë, e sipas të gjitha gjasave tash do t’i kenë 64 ose 65 deputetë. Kjo flet për një paradoks politik. Partitë që e kanë dërmuar Kosovën, e kanë prurë Kosovën në gjendje të keqe, nuk janë sanksionuar nga vota e qytetarit”, është shprehur Shala.
Sipas pohimeve të tij në këtë intervistë, është dëmtuar vota jonë në shkallë Kosove. “Fatkeqësisht, po e them hapur, ka pasur manipulime brenda listës së Aleancës, ka pasur abuzim me votë brenda listës së Aleancës, të kandidatëve të ndryshëm. Pra, thënë me gjuhën krejtësisht popullore, ne jemi bërë horë me këto zgjedhje, pavarësisht cila parti dhe qysh…”
I pyetur nëse AAK-ja do të pranojë rezultatin e zgjedhjeve, Shala tha se do të shohim sesi do të përmbyllet procesi në Mitrovicë. Kam drojën, si politikë kosovare, s’po flas më si Aleancë, që jemi në një situatë gati të pashtegdalje. Mospranimi i zgjedhjeve prej shumicës së partive e thellon krizën e madhe politike në Kosovë. Kjo është një e keqe e madhe. Po, edhe ky opsioni tjetër i pranimit të rezultateve, të cilat ashiqare janë të manipuluara, na bën që ne të kemi një fenomen shumë të rrezikshëm të deficitit të legjitimitetit. Ne nuk e dimë me të vërtetë se cili është vullneti i popullit – a është ky vullnet 11 për qind për Aleancën, apo është 14, a është 34 për qind a 32 për qind për PDK-në, apo më pak. Tash jemi në situatë kur, nëse hyjmë në refuzim total të zgjedhjeve, ti nuk ke shtegdalje.
Ti duhet të kesh votim të ri në Kosovë. Votim të ri në Kosovë nuk mund të bësh para 3-4 muajve, minimum. Ndërkohë e ke një Qeveri të shkarkuar. E kemi një ushtrues detyre të presidentit, të cilit i skadon mandati më 28 mars të këtij viti, e kemi një situatë kur Kosova faktikisht është pa zot shtëpie me 100 telashe. Nuk ke as Ligj për buxhetin, nuk ke as para në kuletën tënde e lëre më tema të tjera, kështu që variantet, të cilat ne i kemi në përdorim, janë secili më i keq se tjetri.
Blerim Shala legjitimitetin e pushtetit të dalë nga zgjedhjet e 12 dhjetorit e konsideron paraprakisht me defekte të mëdha. “Çfarë po them unë është se matematika e thjeshtë – 65, 66, 70 deputetë, nuk mund të sjellë deri te një Qeveri stabile duke e ditur se çfarë ka ndodhur më 12 dhjetor. Përshtypja jonë, bindja ime, është që duke pasur parasysh çfarë ka ndodhur më 12 dhjetor, ne duhet të ulemi dhe të bisedojmë fare hapur çfarë na ndodhi më 12 dhjetor dhe çka duhet bërë që disi t’i komponojmë këto institucione të Kosovës me një legjitimitet sa më të fuqishëm të mundshëm.
I pyetur se cili është opsioni, ai ka preferuar opsionin e një koalicionitë gjerë PDK-LDK-AAK, me një mandat të qartë, me një funksionim të qartë, me një marrje të detyrave apo obligimeve, apo detyrimeve që të ndërrohet sistemi zgjedhor, ligji. Pra, me një përpjekje që ta stabilizojmë vendin dhe t’i marrim vendimet kapitale për çështjet kyç, të cilat e presin Kosovën.
Ndërkaq për kohëzgjatjen e formulës së kësaj bashkëqeverisjeje ka thënë se
“kjo mund të jetë temë edhe e bisedimeve midis PDK-së, LDK-së dhe AAK-së.”
Në rast se PDK-ja do t’ju bëjë ofertën, pa LDK-në, a do të pranonit të hynit në Qeveri? – ishte një pyetje e “Kohës Ditore”, ndërkaq përgjigjja e Shalës ishte:
Qëndrimi ynë është i qartë, vendimi i Aleancës është i qartë, nuk ka ndryshuar. Krejt kjo çfarë ka ndodhur kohëve të fundit me deklarata, spekulime, kundërspekulime është absolutisht jashtë së vërtetës. Po më vjen shumë keq që duhet t’ ju them që në ballë të këtyre spekulimeve kundër meje personalisht dhe kundër Aleancës ka qenë portali koha.net. Motivet pse e ka bërë këtë portali koha.net, që është pjesë e grupit mediatik KOHA që udhëhiqet nga familja Surroi, nuk e di. E dinë ata më mirë. Por, besoni – mund t’jua tregoj këtë shkrimin që ka dalë sot në “Kohën Ditore”, asnjë fjalë nuk është e vërtetë (i referohet një artikulli të portalit koha.net, i cili, duke u thirrur në burime, thotë se AAK-ja është e gatshme të hyjë në koalicion me PDK-në, me kusht që Shala të jetë kryeministër v.j.). Prej këtyre shkrimeve është fituar një përshtypje sikur Blerim Shala nuk ka gjë tjetër në jetë, pos ka pretendime apo ambicie të jashtëzakonshme të bëhet njëri prej kryeprotagonistëve në politikën e Kosovës. Unë jam përfaqësues i Aleancës. Nuk jam njeri i pavarur. Aleanca vendos në fund çfarë duhet të bëjë. Po kush vendos në kuadër të Aleancës? Nuk vendos Blerim Shala. Nuk vendosin as nënkryetarët tjerë. Vendosin strukturat e partisë. Mekanizmi vendimmarrës në Aleancë është shumë i qartë: ne jemi trup këshillëdhënës, shihemi për çdo ditë gati dhe bisedojmë për çdo temë, por kur të bëhet oferta dhe nëse bëhet oferta prej z. Thaçi – ku e di unë, ndoshta ai e ka formulën e gatshme dhe nuk na fton fare – ajo ofertë është obligative prej nesh ta sjellim në Kryesi, në Këshillin Drejtues dhe ta trajtojmë dhe të përgjigjemi në mënyrë politike a e pranojmë apo e refuzojmë.
KD: Domethënë, nuk keni një jo për PDK-në tani?
Shala: Vendimi që është në fuqi është jo, por ne duhet t’i respektojmë edhe disa procedura demokratike: zgjedhjet kryhen, certifikohen, z. Thaçi, qysh na ka thirrur në 2007-n, mund të thotë qëndrimi ynë është ky. Ai ndoshta vetëm sa për të na informuar ne mund të na thërrasë dhe të na thotë nuk llogaris në Aleancë dhe kam ndërmend të bëj koalicion me dikë tjetër. Kjo është pjesë e lojës demokratike. Momentalisht vendimi që është në fuqi është ky. Kush mund ta ndryshojë këtë vendim? Vetëm Kryesia e Aleancës dhe Këshilli Drejtues i Aleancës.