Ambasadorja e Gjermanisë në vendin tonë, në një intervistë dhënë për radion “Deutsche Welle” disa ditë përpara 21 janarit, deklaroi se është e nevojshme që të arrihet një kompromis politik që njerëzit të mos humbasin besimin tek politika. Ishte një rrëfim i sinqertë për atë që po ndodhte e që mund të jepte fryte më vonë.
Ditën e protestës ambasada amerikane lëshoi një paralajmërim për qytetarët e saj duke thënë se nuk duhej të qëndronin në zonat ku do të mbahej mitingu i opozitës për shkak se ai mund të bëhej i dhunshëm. Gjithashtu në paralajmërim thuhej se demonstrata mund të përhapej në qytete të tjera. Ambasada shkruante se nuk kishte informacione se mund të kishte dhunë, por druhej se situata do precipitojë. Ishte një mënyrë për të thënë se dhuna nuk do ishte e orkestruar, por nuk mund të parashikohet shpërthimi i njerëzve të mllefosur.
Si për t’i vënë kapakun, The Economist në një shkrim të sajin thoshte se për më shumë se 1 vit e gjysëm situata kishte zier. Tani do shpërthente pasi politika nuk i kishte hequr kapakun tenxheres.
Çfarë ka ndodhur? Politika ka dalë jashtë loje. Mesazhet e mësipërme janë mëse të qarta. Kryeministri Sali Berisha, edhe pse thotë se emri i dytë i tij është kompromisi, nuk ka bërë për asnjë moment politikë. Pazare, vjedhje e dhunë po!
Gjithçka nisi me zgjedhjet e kontestuara të qershorit 2009 e më pas kulmoi me bashkëpunimin mes Metës e Berishës. Është e paktë që të thuhet se janë armiq politikë, se armiq politikë ka në çdo demokraci. Por ishte një bashkëpunim mes dy njerëzve që e kanë quajtur dhe kanë prezantuar njëri- tjetrin si mafiozë e vrasës. Por disa ligjësi në demokraci nuk bien kurrë. Asnjë betejë për votën nuk është humbur e po ashtu asnjë koalicion pazaresh nuk ka rezistuar.
Ekonomia
Pak më sipër vendit ku u bë demonstrata e 21 janarit ndodhet Hotel Dajti. Nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë me demonstratën, por indirekte po. Të gjithë e mbajmë mend kur ai iu shit Bankës së Shqipërisë, e cila nxori 30 mln dollarë nga arka, ia dha qeverisë së mbetur pa qindarkë dhe tha se do bëjë zyrat aty. Në të vërtetë rikonstruksioni i Bankës po mbaron por tek Hotel Dajti nuk ka lëvizur asgjë.
Po ashtu para pak ditësh një agjenci kineze (pak e habitshme) raportonte se Berisha po u bën presione kompanive të telefonisë celulare e bankave për të ulur çmimet. Sipas agjencisë kineze, kjo bëhet në prag të fushatës së zgjedhjeve lokale të 8 majit. Berisha, shkruante “Xinhua” kërkon të marrë flamurin e mbrojtjes së konsumatorëve.
Edhe pse agjencia kineze të paktën hodhi një dyshim mbi një skandal të qeverisë, çka nuk e bëri asnjë media në Shqipëri, e vërteta ishte më ndryshe. Sërish, e mbetur pa para, qeveria kërkon të taksojë kompanitë e telefonisë e bankat, e jo për hir të konsumatorëve (kush e beson që rritja e taksave do ulë çmimet?!), por për të pasur ca para në arkën e shkretuar të shtetit.
Pasi po rrezikon edhe ekuilibrat makro-ekonomikë të Shqipërisë, siç ka paralajmëruar Komisioni Europian, asgjë nuk ka më rëndësi për këtë qeveri. Mirëpo gjithçka bëhet për ekonominë.
Është interesante të shohësh se si personat që u vranë në protestë kishin lidhje me emigracionin. Ishin të dështuar në emigrim e të dështuar në Shqipëri. As në ajër, as në tokë.
Ndërsa po u flisja prindërve të mi për rritjen galopante të çmimit të naftës, njëri prej tyre më tha se dy fqinjët po u kërkojnë që të paktën gjellën e tepruar të mos e derdhin, por t’ua japin atyre sepse nuk kanë bukë për të ngrënë. Madje edhe makaronat janë bërë të papërballueshme për ta.
Kurrë nuk do e kisha përmendur këtë detaj që gjithkush mund ta dëgjojë e hasë në jetën e tij, po të mos ishte struktura e këtyre familjeve që më bën të mendoj. Secila ka nga një fëmijë në emigracion, që pasi ka dërguar para për vite e vite në shtëpi, i ka ndërprerë ato për dy arsye: së pari sepse kërkojnë të vijojnë jetën e tyre normale në emigracion me familjet e tyre të reja; dhe së dyti sepse paratë që kanë dërguar kanë bërë vetëm një vrimë në ujë, kanë shkuar vetëm për bukë, ilaçe e në një pjesë të madhe për korrupsionin. Dhe ta mendosh se janë miliarda euro që kanë shkuar në këtë mënyrë, pa u investuar për të sjellë një të ardhme më të mirë. Më e shumta janë harxhuar në dyqane e diploma kioskash universitare.
E pra, gjithçka ka lidhje me ekonominë.
Institucionet
Pas demonstratës së 21 janarit, të gjithë sytë e veshët ishin nga Perëndimi, arbitri ynë i ndershëm. Deri më tani deklaratat kanë qenë pa ngjyrë, të njëjta me ato deklarata që e kanë çuar situatën në këtë pikë. Vetëm një njohës i mirë i çështjeve të Ballkanit nga Gjermania, diku kishte artikuluar se një skenar i mundshëm do ishte ndonjë dorëheqje në qeveri, për të vijuar më pas diskutimet politike për zgjedhjet. Më atë dorëheqje ai sigurisht nënkuptonte më së paku largimin e Ministrit të Brendshëm.
Por qëndrimi i Berishës ka qenë në ekstremin e imagjinuar nga çdokush. Në listën e sulmit ai ka përfshirë çdo institucion të këtij vendi. Tashmë rreziku është i dukshëm. Pasi ka nxjerrë jashtë loje politikën, ka shkatërruar ekonominë dhe nuk njeh asnjë institucion, ai është i qartë vetëm në diçka: që atij i duhet vetëm garda, policia e ushtria. Çfarë mund të presin shqiptarët kur kryeministri beson vetëm tek ato?
Comments are closed.
Te verteta jane ato qe thua i dashur Enton.Por edhe pa i thene Ti a kushdo tjeter i tha te gjitha me mire demostrata,duke e sfiduar me sakrificen me te madhe realitetin virtual mediatik qe nderton Dr.Tyryryja madje me parate e arkes se shkretuar te “shtetit”.Prej tij nuk kane pritur ndonje gje te hajrit shqiptaret, se ai nuk eshte produkt i zgjedhjes se tyre,por produkt i prostitucionit politik.Ketu eshte zgjidhja,te lihen qytetaret te zgjedhin.
Pergezime per shkrimin Enton. Ke kapur aspektin ekonomik te krizes, qe tashme nuk mund te cilesohet e tille. Kjo eshte nje krize ekonomike qe vazhdon prej me shume se 20 vjetesh. Madje fillimet i ka ne vitet e para 80′. Por ne qofte se deri ne fillim te viteve 90′ ekonomia ishte nen tutelen e shtetit dhe planifikuesi i vetem i saj per sa i perket kerkeses dhe ofertes, mbas viteve 90′ nen moton e “rendit kapitalist” dhe “ekonomise se tregut” pame fillimet e nje ekonomie ambulante qe rriti deficitin tregtar dhe “vrau” njehere e mire mundesine e tregtimit te prodhimit vendas. Kjo erdhi si rrjedhoje e politikes ne vend qe nuk denjoi te perdori “know-how” te atij sistemi per rimekembjen ekonomike qe tashme kishte avantazhin e tregut te lire. Cekia, Hungaria apo Jugosllavia e asaj kohe vazhdonin t’i perdornin akoma fabrikat, uzinat, punishtet edhe mbas nderrimit te sistemit. Ne i mbyllem njehere e mire, me perjashtime te vogla, sepse shteti nuk mund te ishte me “pronar”. Ne vendet e lart-permendura shteti vazhdonte te ishte pronar, deri ne momentin e tranzicionit tek sipermarresi privat qe plotesonte kushtet. Ne Shqiperi dihet nga te gjithe ne se c’fare ndodhi e si u shiten per pjese keta gjigande (edhe pse te ndertuar ne sistemin e kaluar), kur mund te ishin shfrytezuar shume mire per prodhimin vendas nga shteti, sipermarres vendas apo te huaj. Mbas 20 vjetesh kjo ekonomi e tregut te lire mbetet po aq e dobet sa edhe 20 vjet me pare edhe pse tani njerezit fitojne me shume dhe kane mundesine e zgjedhjes midis te mirave materiale. Por per shumicen kjo vazhdon te mbetet nje opsion sepse inflacioni nuk ka mbetur ne vend por eshte rritur gjithashtu duke e mbajtur standartin e jeteses ne te njejtat nivele.
Ju lumte,z.Palushi.Si gjithmone nuk kam shume per te shtuar.Ne te gjithe jemi deshmitare se si u mbars kjo dite,21 janari.Dite e bekuar,per te gjitha palet.Popullit i doli frika,me ne fund e kuptoi se nuk ka gje tjeter per te humbur vec prangave.Tashme ,”nje Mefisto “,po sillet rrotull kesaj junte te korruptuar qe pretendon se na qeveris.Eshte vetem ceshtje e kohes,dhe nje skote 20 vjecare qe na sundon dhe improvizon sikur po na drejton,do te iki .Nje brez i ri drejtuesish,te kohes,te shkolluar,jo kaq anadollake sa keto qe kemi.do te ngjizin nje klase te re drejtuesish.Le te hyjne ne analet e gjirizit historik,keta politokanet e sotem,pjelle e imrovizimeve post diktatorjale.Ky popull,me duket ze me ne fund u zgjua nga gjumi letargjik,shokuar mes hashashit te kesaj kaste kaq antishqiptare qe na drejtoi per 20 vjet.Nje bote e re po lind germadhash,do thoshte poeti yne i dhimbjes tone .Ato cadra te 21 janarit,na treguan se mjaftojne per te rrezuar cdo zgjedhe nga zverku jone…