Drejtësi!

28 Janar 2011, 22:00Politika TEMA

Rreth 200 mijë qytetarë me lule e qirinj kanë nderuar dje tre viktimat e 21 janarit, që janë shndërruar tashmë në tre simbole për opozitën. Nën parullën e vetme “drejtësi”, opozitarët treguan dje qytetari në protestën e tyre dhe një organizim perfekt për të drejtuar turmën e njerëzve që kishte “pushtuar” Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Kortezhi i njerëzve u nis nga qendra e Tiranës drejt kryeministrisë, ku u vendosën mijëra lule e qirinj e u derdhën lot për tre njerëz, të cilët të premten e kaluar kishin qëndruar në atë shesh për të protestuar ndaj qeverisë, ndërsa dje ishin shndërruar në fotografi gjigante, ku opozitarët shprehnin admirim dhe keqardhje. Familjarët e tyre ecnin në heshtje e dhimbje në krah të kryetarit të PS-së Edi Rama dhe liderëve të tjerë të opozitës. Nën ritmin funebër që përcillte ankth dhe heshtje, tingujt e Mozart e Bach i shkonin shume një turme të heshtur njerëzish që nuk i ngjante asaj të së premtes së shkuar. Mbi një turmë që zemërimin kishte vendosur ta mbante ndër vete. Ngjanin si dy bulevarde të ndryshme… në dy kohë të ndryshme… por në fakt ishte i njëjti vend, të njëjtët njerëz që para shtatë ditësh shpërthyen në zemërim.

Edi Rama ishte ai që kryesonte këtë kortezh të përmotshëm që përcillte atmosferën e vdekjes e pasvdekjes që në traditën shqiptare përjetohet të paktën deri në 40 ditë me ceremoni e vaje. Edi Rama ndryshe nga e premtja e kaluar, kur tha se opozita nuk bëhej digë për zemërimin e popullit, këtë herë luante me zjarrin duke marrë përsipër të bënte një tubim paqësor, pavarësisht thirrjeve të forta të ndërkombëtarëve për anulimin e tij dhe deklaratës së policisë se nuk merrte përsipër mbarëvajtjen e tij. Masat e marra ishin të forta. Djem të FRESSH-it me shirita të verdhë në krah kishin bërë gardh përgjatë gjithë Bulevardit për të ruajtur drejtimin e turmës dhe qetësinë e saj. Dhjetëra policë, të cilët si rrallëherë kishin rrethuar dhe Piramidën, jo vetëm Kryeministrinë, duhet të kenë shkuar dje me frikë në detyrën e tyre, por u kthyen të qetë në shtëpi pasi qëndruan disa orë në të ftohtë.

Ajo që mbeti pas dy orë e gjysëm udhëtim në zi ishin qirinjtë e lulet tek vendet ku u vranë Hekuran Deda, Faik Myrtaj dhe Zyber Veizi. Ata të tre ishin kthyer dje e ndoshta për një kohë të gjatë në dëshmorë të përpjekjeve të opozitës për demokraci, që kanë nisur që pas zgjedhjeve të 28 qershorit 2009.

Homazhi

Për më shumë se dy orë me radhë mijëra qytetarë kanë nderuar tre viktimat e demonstratës së 21 janarit. Marshimi ka nisur rreth orës 14:00, nga qendra e Tiranës, ku qytetarë nga e gjithë Shqipëria, të ndarë në disa grupe, të cilët drejtoheshin nga deputetë të selisë rozë, kanë parakaluar përpara fotove të të ndjerëve të vendosura para selisë së Kryeministrisë.

Në krye të kortezhit janë vendosur familjarët e tre të vrarëve. Kanë qenë prekëse momenet kur ato janë afruar pranë fotove të të dashurve të tyre. Ata janë lëshuar në lot. E gjithë kjo skenë ka prekur edhe kryetarin e opozitës, Edi Rama, që është përlotur gjithashtu.

Ndryshe nga shumë tubime të tjera, në bulevard janë parë shumë gra e vajza, studentë e të rinj të cilët përloteshin e vendosnin lule. Për më shumë se një orë njerëzit kanë kaluar përpara fotove të të vrarëve. Si rrallë ndonjë ngjarje tjetër, mediat e huaja i kanë kushtuar shumë vëmendje asaj. Ato nuk kanë parë askund elementë të krimit të organizuar, apo njerëz me kallashë e thika me helm, siç thotë kryetari i qeverisë, por qytetarë të ndershëm e të revoltuar me gjendjen ku ndodhet vendi i tyre. Mesazhi që i është përçuar botës, sidomos Perëndimit ka qenë i fortë. Përballë gjuhës makabre të kryeministrit, vetëm pak minuta para nisjes së protestës është vendosur qytetaria, heshtja, paqja, forca e popullit.

5 komente në “Drejtësi!”

  1. AlbinoBlackSheep says:

    Pamjet e femijeve jetim qe me lot ne sy preknin fotografite e baballerve te vrare ishin shume prekese.
    http://www.balkanweb.com/fotoAlbum/index.php?id=2323&IDFoto=2323

  2. liri says:

    Sot kemi pare nje pamje te tmerrshme ndoshta me te tmerrshme se 21 janarit ai vaj i tmerrshem e ato lote te femijeve te mbetur jetime nga dora e sali berishes nuk do ti harroj sa te vdes,ta vrasesh njeriun pse del dhe proteston per nje jete me te mire vetem nje sadist si berisha mund ta bejeprandaj prokuroria shqiptare shoqeria civile dhe opozita duhet ti bejne padi penale ne gjykaten e Hages per KRIME KUNDER NJEREZIMIT qe ai i ka kryer me shumice ne kete toke te vuajtur duke filluar nga 2 prilli e me radhe.Ai duhet te perfundoj patjeter si Milloshevici sepse ai eshte Milloshevici shqiptar.

  3. bbb says:

    Nuk di po “cdrejtsi” pritet tani kur ambasada amerikane dhe keta horrat e BE, i thone Berishes se eshte burre shteti dhe se ska zgjedhje te reja, duke mos i thene gje se ka vrare 3 njerez pa faj. Taktika e Rames ishte gabim. Qe te shtunen ekalur duheshin protesta te fuqishme

  4. Patriot Kodra says:

    Pse nuk kujtohesh per tre oficeret e shikut qe ju i vrate ne vlore.?

  5. arsen says:

    Ne kohen e Enverit, kishte vetem nje Drejtesi. Gjykata Popullore (me gjyqtare qe zgjidheshin ne votime) dhe Drejtesia e Partise.
    Ne 20 vjet “Demikraci” nuk patem kurre nje Gjykate te nirefillte. Edhe ajo eshte e partise ne pushtet.
    Lejoi moskthimin e prones tek pronari ligjshem
    Nuk ndaloi pushimin nga puna te mijra specialisteve qe jane hequr per arsye ndrimi pushtetesh.
    Nuk luftoi kprrupaionin galopant dhe perhapjne e ekonomise informale.
    Jo se nuk ka Ligje dhe Kode, porse edhe gjykatesit u bene me 2-3 shtepia dhe makina.
    PRANDAJ ESHTE MIRE (qe mbase me degjohet fjala) 3 GJYKATAVE TU VIHEN EMRAT E 3 MARTIREVE QE RANE ME 21 janar
    Populli duhet ta mbaje lart kete fryme. DREJTESI!

Comments are closed.

Lini një Përgjigje