Partia Socialiste, me anë të deputetes Eglantina Gjermeni, ka falënderuar qytetarët shqiptarë që morën pjesë dje në tubimin-homaxh për tre të vrarët gjatë demonstratës së 21 janarit. Gjermeni tha se qytetarët nuk ranë pre e provokimeve të Berishës dhe i dhanë një shembull të madh qytetërimi perëndimit.
“Falenderoj qytetarët nga të katër anët e vendit që u bashkuan dje në homazhet për tre viktimat që u vranë nga dora e Berishës. Ky homazh përbën mesazhin më të mirë që shqiptarët mund t’i përcjellin një bote të shqetësuar për situatën në vendin tonë. Një botë e tërë pa dje se pavarësisht provokimeve, kërcënimeve dhe sforcimeve të Sali Berishës, shqiptarët treguan se protesta e tyre paqësore e dinjitoze nuk ka për t’u ndalur”, ka deklaruar Gjermeni.
Kjo e fundit tha se drejtësia duhet të vazhdojë të hetojë atë që ndodhi më 21 janar, ndërsa pohoi se protestat e opozitës do të vazhdojnë. “Demonstrata ishte mbi të gjitha një mesazh i qartë i qindra mijëra shqiptarëve ndaj një regjimi të ngujuar me ushtarë, që përfaqëson vetëm një minorancë. Berisha ka përballë një popull evropian që nuk do rreshtë së protestuari për ato parime që shkelen përditë nga ky pushtet”, u shpreh gjatë fjalës së vet në emër të Partisë Socialiste, Eglantina Gjermeni.