Një kërkim shkencor i Prof. Daniel Ursprung arrin në përfundimin se media dhe shoqëria civile në ish vendet komuniste nuk duhet të lejojnë një lider të vetëm të bëhet shumë i fuqishëm dhe të ushtrojë të gjitha pushtetet
Deutsche Welle
Daniel Ursprung ka zgjedhur argumente origjinale për këtë konkluzion të njohur. Ai ka studiuar se si shfaqet kulti i individit përmes fotove tek tre ish diktatorë komuniste: Stalinit, Nikolai Çausheskut dhe Enver Hoxhës. E përbashkëta e tyre: legjitimi i pushtetit përmes krijimit të një imazhi të idealizuar për veten e tyre.
Duke paraqitur rezultatet e këtij studimi, ai thotë për programin shqip të DW: “Që të tre i jepnin shumë rëndësi shfaqjes së personalitetit të tyre: në çdo institucion zyrtar, në gazeta, TV etj duke synuar të idealizonin imazhin e popullit për ata.”
Por në këtë synim të përbashkët studiuesi Daniel Ursprung ka gjetur edhe ndryshimin mes kultit të individit tek Stalini, Çaushesku dhe Hoxha: “Në rastin e Enver Hoxhës ai ishte i interesuar të paraqitej si një lloj babai i kombit, të kishte shumë kontakte me njerëzit e thjeshtë në të gjithë Shqipërinë, të takonte fshatarë, punëtorë të fabrikave, gjë që duket qartë në fotot që kam studiuar. Ndërsa në rastin e diktatorit komunist rumun, Nikolae Çaushesku në foto është vetëm ai, udhëheqësi dhe i pashoqëruar nga rumunët e thjeshtë. Diktatori komunist Hoxha e mori së pari modelin e ndërtimit të kultit të individit nga Stalini. Por me kalimin e kohës kulti i tij mori një lloj tradite kombëtare duke u lidhur me çështje të realitetit shqiptar, figurave kombëtare si Skënderbeu apo luftëtarë si Çerçiz Topulli,” thotë z. Ursprung.
Legjitimim i pushtetit në mungesë të zgjedhjeve të lira
Studimi i fotografive të Stalinit, Çausheskut dhe Hoxhës e ka çuar Daniel Ursprung në konkluzione që i vlejnë së sotmes dhe fateve të demokracisë në vendet ish komuniste të Europës Jug- Lindore. “Komunistët erdhën në pushtet duke shkatërruar shoqërinë e vjetër dhe u përpjekur për të legjitimuar pushtetin e tyre në kushtet e mungesës së zgjedhjeve të lira. Prandaj u duhej kulti i individit, një formë karizmatike e lidershipit, ku lideri paraqitej pothuajse si një lloj shenjtori. Kjo duket qartë në rastin e Shqipërisë kur në çdo shtëpi në kohën e diktaturës komuniste kishte një fotografi të diktatorit Hoxha gjë që nuk ishte në Rumani p.sh.”
Mësimet nga e kaluara i shërbejnë të sotmes
Pasojat nga kulti i individit dhe përqendrimi i të gjitha pushteteve tek një njeri shërbejnë si mësime nga historia. Nuk mund të ndërtosh të ardhmen pa njohur të shkuarën, përsërit Daniel Ursprung. “Mësimet nga e kaluara? Kurrë nuk duhet lënë një lider që të bëhet shumë i fuqishëm. Duhet ushtruar parimi i demokracisë “check and balance” – kontroll dhe ekuilibër. Nuk ka një person apo një institucion të vetëm që të ketë të gjitha pushtetet. Përkundrazi, në demokraci pushtetet nuk i ushtron një njeri i vetëm dhe as një institucion i vetëm. Është shumë i rëndësishëm roli i shoqërisë civile dhe i medias për të vëzhguar se çfarë po bën qeveria, për të kritikuar në kuptimin pozitiv të fjalës kultin e individit. Pikërisht ky është mësimi i madh që jep e kaluara,” thotë z. Ursprung.
Në Shqipëri -shumë pak studime për diktaturën komuniste
Ky mësim përftohet dhe transmetohet në shoqëritë e sotme postkomuniste përmes kërkimeve shkencore për periudhën e diktaturës komuniste. Për fat të keq në Shqipëri të tilla studime janë të pakta. “Është shumë e rëndësishme të bëhen më shumë kërkime për periudhën e komunizmit. Kam mbetur vërtet shumë i habitur që në Shqipëri ka shumë pak studime për periudhën e Hoxhës ndërkohë që në Rusi janë shkruar qindra- mijëra libra për Stalinin, po kështu edhe në Rumani për Çausheskun, kurse për Enver dhe periudhën e diktaturës komuniste në Shqipëri ka shumë pak. Dhe kjo është disi e çuditshme sepse Hoxha ishte në pushtet 40 vjet ndryshe nga Çaushesku që ishte vetëm 25 vjet,” thotë Daniel Ursprung.
Por ai beson se kjo është çështje kohe. Shembulli i studimit të periudhës se nazizmit ne Gjermani është një argument në favor të optimizmit të tij: “Nëse shikojmë se çfarë ndodhi në Gjermani në 1945… u deshën rreth 20 vjet që të fillonin vërtet studime historike shkencore për periudhën e nazizmit. Më parë kishte shumë pak dhe jo kërkime të mirëfillta shkencore për atë periudhë. Edhe sot e kësaj dite në Gjermani zbulohen çështje të reja mbi periudhën e nazizmit, që kanë qenë krejt të panjohura. Mendoj se pas periudhash të gjata diktature njerëzve u duhet kohë që të distancohen prej tyre dhe vetëm pas kësaj studiues të rinj tregojnë interes për të zbuluar një periudhë ku ata nuk jetuan por që e kanë dëgjuar nga prindërit dhe gjyshërit e tyre. Jam optimist që në te ardhmen do të ketë më shumë studime për periudhën e diktaturës komuniste në Shqipëri,” përfundon ai.
Comments are closed.
Mendoj qe studimet per periudhen komuniste dhe diktatorin Hoxha ne Shqiperi nuk jane ceshtje harrese.
Perkundrazi jane ndaluar dhe devijuar nga institucine dhe individe te vecante duke inkluduar ketu edhe vete diktatorin e kamufluar Berisha . Ai duke qene pjelle e asaj diktature dhe personi i perzgjedhur nga ato per te bere gjoja pluralizmin ne shqiperi , nuk ia bente zemra te shahej idhulli Hoxha dhe politika e tij . Persa i perket institucioneve si p.sh Akademia e Shkencave , nuk do te ndodhe asgje deri kur te zhduken pleqte komuniste qe e drejtojne. Keta te fundit vetem genjejne dhe nuk duan qe te mbahet gjalle ajo kohe per qellime te caktuara ,si p.sh te perseritet si pasoje e harreses .