Ndihmoni popullin shqiptar të përqafojë familjen e madhe evropiane!

2 Shkurt 2011, 17:28Politika TEMA

Nga Ernest Bunguri

Le Monde

http://www.lemonde.fr/idees/article/2011/02/02/aidez-le-peuple-albanais-a-rejoindre-la-grande-famille-europeenne_1473768_3232.html#xtor=AL-32280184

Shumë njerëz ndajnë ende sot bindjen se Shqipëria, njësoj si shumë vende të tjera të lindjes, u çlirua nga komunizmi në vitet 90të. Fatkeqësisht gabohen rëndë.

Sali Berisha ka qenë komunist deri në ditët e fundit të regjimit të partisë së vetme. Ai mishëron personazhin perfekt të fabulës mbi politikanin që rrëfen P.J. O’Rourke. Një burrë sheh një ditë të bukur nga ballkoni popullin të vërshojë rrugëve duke protestuar, dhe kërkon që t’i udhëheqë. Kur ndihmësi e pyet nëse e di se për ku janë drejtuar, politikani i përgjigjet: “As që e kam idenë, por duhet të jem medoemos në krye të tyre”.

Ky person, me shpurën e tij prej predatorësh çoi popullin shqiptar drejt luftës absurde civile të vitit 1997. Rënia e ‘piramidave të famshme financiare’, një mashtrim ky i shkallës më të lartë që u mbulua nga qeveria e atëhershme, prodhoi trazira shoqërore me pasojë vdekjen e mijëra njerëzve.

I flakur nga presidenca, Sali Berisha udhëhoqi një opozitë egërsisht shkatërruese, e cila pengoi funksionimin e duhur të institucioneve. Madje i njëjti person tentoi edhe një grusht shteti për të ri-marrë pushtetin.

Pas kthimit të tij në qeveri, pas zgjedhjeve të vitit 2005, me parullën e ‘duarve të pastra’, Sali Berisha harxhoi të gjithë energjitë në përpjekje për të ndryshuar imazhin e vendit, një pjesë të madhe të të cilit e kishte ngritur vetë ai duke akuzuar ish-kryeministrin Fatos Nano për ç‘do të ligë. Pjesa tjetër e veprimeve të tij mbetën vetëm premtime të pa-mbajtura ndonjëherë. Apo gënjeshtra po aq të mëdha sa dhe qesharake. A nuk ishte ai që deklaroi në vitin 2006 në tribunën e Senatit belg se “Shqipëria është tashmë si Zvicra, e për më shumë laget nga dy dete”?

Sali Berisha është përgjegjës edhe për shpërthimin e uzinës së çmontimit të municioneve në Gërdec, në vitin 2008, ku 26 vetë u vranë vetëm pak ditë para se Shqipëria të ftohej t’i bashkangjitej NATO-s. Kjo tragjedi ku përzihen trafiqe armësh, interesa gjeo-politikë dhe shfrytëzimi i një krahu pune të mjerë, ka nxitur Paramount Pictures ta kthejë në temën e filmit të parë të madh për vendin tim të vogël e të panjohur, me aktor kryesor Will Smithin.

Para disa javësh, një regjistrim klandestin video-audio, shfaqi nëpërmjet zëvendës-kryeministrit Ilir Meta, se si vepron korrupsioni në nivelet më të larta të Shtetit. Rast ky që një koleg gazetar e ilustroi me një shprehje mjaft therëse: “është tjetër gjë kur dëgjon se gruaja ju tradhton, dhe krejt tjetër kur e sheh me sytë e tu”. Dëshpërimi kundër atyre që zhgënjejnë prej 20 vitesh shpresën e shqiptarëve ka arritur pa dyshim pikën kulmore.

E pamë të premten e 21 janarit, kur tre qytetarë, ndër më të varfrit, u vranë me plumba ndërkohë që duart i kishin në xhep, në një manifestim që të përkujtonte në të njëjtën kohë ngjarjet e vitit 90të dhe ato të vitit 1997të. Si zakonisht, Sali Berisha rendi të fshihej pas Kushtetutës dhe Shtetit Ligjor, të cilat ai vetë i shkel me të dyja këmbët sa herë i jepet mundësia. Sot kërcënon shefin e opozitës me “ndëshkim ekzemplar”, akuzon presidentin e Republikës, prokuroren e përgjithshme, shërbimin sekret të vendit dhe pesë gazetarë se janë pjesë e një ‘puçi’, ndërkohë që policia refuzon të zbatojë urdhër-arrestet e prokurorisë për gjashtë udhëheqës të gardës së republikës në lidhje me urdhrat për të qëlluar me plumba mbi manifestuesit e ‘armatosur’ me çadra, gurë e shkopinj. Në një lojë absurde pasqyrash, ai shkon më larg kur shan manifestuesit si “bastardët e Ben Ali-së”.

Nënë Evropë, ndihmoje popullin tim të rrëzojë “perden e hekurt” të gënjeshtrave, të korrupsionit, të debateve boshe, të aleancave fasadë, të paturpësisë politike. Ma ke borxh, pasi në punën time prej 7 vitesh si gazetar i akredituar në Bruksel nuk kam reshtur kurrë duke të paraqitur para qytetarëve të mi si një hapësirë demokratike dhe qytetare. Si shqiptar, kam lavdëruar institucionet e tua para kolegëve francezë e të vendeve të tjera anëtare. Ju flas për të tashmen, për të ardhmen; ju rikujtoj me pasion të kaluarën tënde të shkëlqyer, e cila në vendin tim nuk përfaqëson ende ndonjë të tashme të prekshme.

Por ja ke borxh edhe vetes, gjithnjë qorre, e paorganizuar, e dobët dhe e ndarë përballë sfidave të kësaj bote dhe atyre që të imponojnë fqinjët e tu të afërt.

Para 20 vitesh, në vendin tim, çirreshim me plot zemër: “E duam Shqipërinë si e gjithë Evropa”. Duke i mundësuar qytetarëve shqiptarë të vizitojnë Evropën, Sali Berisha iu dha mundësinë të shohin me sytë e tyre sa larg është vendi nga modeli që ëndërronin 20 vite më parë.

Kjo thirrje buçet akoma, gjithnjë e më e fortë. Të kam falur që nuk e ke dëgjuar dhe që ke mbyllur sytë. Por sot, të përgjërohem, vepro shpejt Evropë, në emër të jetëve të bashkë-qytetarëve të mi të varfër dhe të të ardhmes së vendit: bëju krah popullit tim.

11 komente në “Ndihmoni popullin shqiptar të përqafojë familjen e madhe evropiane!”

  1. Bonna says:

    A E MERITON POPULLI SHQIPTAR TE VUAJE NGA NJE MAFIOZ ME EMRIN SALI ???

  2. 21Janari says:

    Ndoshta pikerisht tek kjo parulle “E duam Shqipërinë si e gjithë Evropa”, qendron edhe problemi i ketyre 20 viteve tranzicion!
    A mund te me thote dikush se : “Kush ja solli “Europen” kontinentit Europjan”?
    Ne se do te kishim punuar te gjithe me motivin “Ta BEJME Shqiperine si gjithe Europa”, sot do te ishim ne kushte krejtesisht te tjetera. Pra , “Europa” nuk mund te dhurohet, por ndertohet perdite nga pak.
    Perseri edhe sot po kerkohet qe Lirine te na e sjelle Europa! Jo,te dashur miq, Liria duhet te fitohet qe te vlersohet pastaj.
    Liria nuk mund te dhurohet, por duhet te MERITOHET!

  3. huri says:

    O POPULL SHQIPTAR:NDIHMO VETVEHTEN,PA TE TE HDIHMOJE EVROPA…nje gjyshi im i thosh i shkreti;EVROPI

  4. deni says:

    Europa duhet te shprehet hapur, pa ekuivoke e ambiguitete, kundrejt nje horri ordiner qe e ka kthyer Shqiperine ne nje republike bananesh. Nuk mund te sillesh me diplomaci me nje plak te shkare nga trute e kokes. Regjim i felliqur, mbeturinash komuniste.

  5. VL says:

    Por edhe me dhune nuk shkohet ne evrope. Le te futet Edi Rama ne kuvend e te votoje per ligjet e popullit, le te marri pjese ne zghedhje ne 8 Maj e ti fitoje a pastaj te fitoje dhe zgjedhjet e tjera kur tu vije koha. Por te krijosh rremuje e te demtosh popullin tend se do ai karrige tani, kte moment, eshte budallallek.

    1. huri says:

      A c’dashke nje uturak plot dhe ti.Po a nuk ka dy vite ai qe po rreket sa me KROKODILA e sa me BE-ra e sa me CE-ra ,e hic ,po hic fare Saliu yt.Yti po them,se kuptohet qe ose je edhe ti i familjes ose ke hallin e karrikes tende.Ose pastaj je ndonje sekretar i koklope Ilir Metes te LSI.C’ligje po thoj ti more:ligjet e Jozefines per 2 minuta,si ankandin e Londres te Sothebise,apo me votim te hapur sikur bastet e kuajve apo qenve ,apo bastet e gjelave ne Tajlande.Tjeter eshte te improvizosh dhimokracine dhe tjeter ,fare tjeter nga kjo e jona eshte DEMOKRACIA…

  6. Falcon says:

    maloku nuk ka mesuar te eci ne bulevard le pastaj te bej shqiperine si europa..akoma nuk i ka ik era e dhive te vucidolit

  7. MEMEDHETARI says:

    Pershendetje te perzemerta autorit!
    Shkrim me te vertete prekes dhe trondites…
    E permbi te gjitha real!
    Le te shpresojme…

  8. sapun_per_djathe says:

    POPULLI SHQIPTAR NUK KA NEVOJE, AI ESHTE EUROPIAN, EUROPA DUHET TE HEQE DORE NGA POZICIONI I KURVES

  9. aljeda says:

    Interesant shkrimi. Vihet re qe autori i ben thirrje hapur Europes per veprim dhe pozicionim me te qarte ne kete perpjekje te brendshme interesash per qytetaret shqiptare dhe klasen politike. Duket si nje thirrje e pashprese, por qe buron fuqishem nga makthi i mosefikasitetit te demokracise ne kete vend nga njera ane dhe nga ana tjeter nga rrezikshmeria precipituese qe mund te shfaqet ne nje degjenerim tjeter te dhunes ne viktima, si reagim ndaj revoltes se shprehur qytetare kundrejt elites politike te korruptuar.
    Me preku mbyllja, sepse perceptoj nje thirrje, qe duke e tejkaluar irracionalen e mos veprimit europian, nuk kerkon asgje me shume, vecse ‘’ndihme per nje te ardhme normale’’ dhe ’’ndihme per nje egzistence fizike te sigurte’’ dhe kjo eshte pika me tragjike e gjithe kesaj historie.

  10. rexha italia says:

    Qeferija jon ngjan si puna e atij thesit qe sa me shum te mbushet aq me shum qendron ne kembe por per thesin jo per qeverin

Comments are closed.

Lini një Përgjigje