Ushtruesi i Detyrës së Presidentit të Kosovës, Jakup Krasniqi, do ta ushtronte me dëshirë për pesë vjet postin e presidentit të Republikës, mirëpo arritja e marrëveshjes së koalicionit, ndërmjet partisë së tij, PDK, me AKR-në, e ka pamundësuar një gjë të tillë. Për këtë, Krasniqi veten e konsideron “viktimë të kompromiseve”.
“Thënë sinqerisht unë e kam pasur gatishmërinë t’i shërbejë vendit dhe popullit tim, por megjithatë edhe kështu si jam ndihem shumë mire”, ka thënë ai për Kosovapress, raporton Express.
Sidoqoftë, Krasniqi i cili është edhe sekretar i përgjithshëm i PDK-së, thotë se nuk ndihet i tradhtuar nga partia pse postin e presidentit i ka ofruar Pacollit.
“Jo nuk ndihem i tradhtuar. Koalicionet dhe bisedimet për koalicion i nënkuptojnë edhe kompromiset. Më ka rënë hise që unë të jem viktimë e kompromiseve”, ka thënë Krasniqi, pas mbledhjes së fundit të Kryesisë së vjetër të legjislaturës së tretë.
Ndërkaq Ibrahim Gashi nga AKR-ja, përveç që ka thënë se me arritjen e marrëveshjes PDK-AKR është hequr çdo dilemë nëse Pacolli do të jetë president apo jo, ai ka paraqitur edhe kërkesën e madhe të partisë së tij për poste ministrore.
“Natyrisht AKR pa i specifikuar cilat, ka kërkuar gjashtë ministri, postin e zëvendëskryeministrit dhe shtatë zëvendësministra dhe pastaj pjesë të tjera të marrëveshjes që nuk janë detajizuar ende”, është shprehur Gashi.
Për ndarjen e resorëve ministrore, Gashi ka thënë se ende nuk ka biseda ndërmjet PDK-së dhe AKR-së, mirëpo detaje për marrëveshjen do të dihen gjatë ditëve në vijim.