Të padëshiruar për botën

15 Shkurt 2011, 11:19Rajoni TEMA

Për dymbëdhjetë muaj të vitit të kaluar, presidenti i vetëshkarkuar Fatmir Sejdiu dhe kryeministri në ikje, Hashim Thaçi nuk kanë arritur, të dytë së bashkë, të zhvillojnë më shumë se 12 vizita te homologët e tyre jashtë vendit. Ky dinamizëm është vlerësuar shumë i ngathët nga përfaqësuesit e partitive opozitare dhe nga analistët e pavarur, të cilët vitin 2010 kanë perceptuar si “vit i vdekur” i politikës së jashtme kosovare.

Përjashtuar disa vizita si pjesëmarrës nëpër konferenca dhe organizime të ndryshme dhe vizitën në Departamentin Amerikan të Shtetit, që ishte zhvilluar nga “çifti” Sejdiu e Thaçi, liderët e vendit nuk kanë arritur të “fotografohen” me burrështetas të tjerë.

Ish-anëtari i Komisionit për Politikë të Jashtme i Kuvendit të Kosovës, Ibrahim Gashi, thotë se aktivitetet ndërkombëtare të Kosovës gjatë vitit 2010, kanë qenë më shumë të përqendruara në organizata ndërkombëtare, ku janë miratuar rezoluta që kanë “kërcënuar” Kosovën, sesa te qeveritë e vendeve mike.

“Jemi treguar pak modestë, ndoshta edhe në kursim të buxhetit që të mos kemi takime, të mos kërkojmë takime në nivelit të lartë, përderisa ato takime kanë rëndësi shumë të madhe në marrëdhëniet ndërkombëtare”, thotë Gashi.

Gashi beson se mungesat e Thaçit dhe Sejdiut në botën ndërkombëtare do të kompensohen gjatë këtij viti, ngase është e domosdoshme që të intensifikohen takimet e nivelit të lartë ndërkombëtar.

Ndërkaq, nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ahmet Isufi, thotë se ish-koalicioni qeverisës e ka dëmtuar jashtë mase Kosovën në politikën e jashtme.

“Kemi pasur vizita të reduktuara, qoftë të presidentit apo kryeministrit jashtë vendit,

qoftë edhe të liderëve tjerë që kanë ardhur në Kosovë”, është shprehur Isufi.

Ish-deputeti i Kuvendi të Kosovës thekson se agjenda e “lodhur” ndërkombëtare ka ardhur ngase qeveria në largim e ka nisur punën pa një program të mirëfilltët qeverisës.

Drejtori i Klubit për Politikë të Jashtme, Ylli Hoxha, ndërkaq, konsideron se performanca anemike e Ministrisë së Punëve të Jashtme (MPJ) është pasqyruar edhe tek institucionet tjera të vendit.

“Natyrisht që nuk mund të jem i kënaqur me atë që është bërë, me atë nivel, me atë intensitet që është treguar, qoftë në Presidencë, në Kryeministri apo në MPJ”, thotë ai.

Hoxha thekson se është vërejtur fare lehtë se gjatë vitit të kaluar politika e jashtme nuk ka qenë në agjendën e qeverisë në largim, nuk është marrë me seriozitet nga Prishtina zyrtare dhe si rrjedhojë ka pasur një tendencë të zbarkimit të të gjitha sfidave në këtë fushë te shtetet mike.

“Kosova është në izolim e sipër. E kemi një rajon i cili po ecën drejt integrimeve evropiane me hapa të shpejtuar, e kemi një Kosovë, e cila po ngec, dhe ngecja nuk nënkupton qëndrim në një vend, por nënkupton izolim në raport me rajonin”, thekson Hoxha.

Por, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Memli Krasniqi, thotë se viti i kaluar ka “pasqyruar” angazhimet më aktive në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare të Republikës së Kosovës.

“Në radhë të parë në Kosovë ka pasur një numër jashtëzakonisht të madh të vizitave të ndërkombëtarëve, duke filluar nga presidentë, kryeministra, ministra të jashtëm të shumicës së shteteve evropiane dhe të SHBA-ve”, thotë ai.

Sipas tij, edhe kryeministri i vendit ka pasur një agjendë të ngjeshur në raport me vizitat jashtë vendit, dhe atë jo vetëm në Evropë dhe Amerikë, por edhe në Lindjen e Mesme. Ai thekson se vizita të shumta kanë zhvilluar edhe ish-ministri i Jashtëm, Skënder Hyseni dhe ish-presidenti i vendit, Fatmir Sejdiu.

Vizitat e ndërsjella

Gjatë vitit 2010, pritja më e lartë që i është bërë kryeministrit në largim, Hashim Thaçi, ka qenë ajo nga zëvendëspresidenti i SHBA-ve, Joe Biden, ndërkaq ish-presidenti Sejdiu është pritur nga homologu i tij turk, Abdullah Gyl. Ai ka vizituar edhe homologun e tij malazias, gjerman, atë të Katarit dhe së fundi presidentin e Maldiveve.

Ndërkaq, Kosova është vizituar nga zëvendëspresidenti amerikan Xho Bajden, kryeministri turk, Rexhep Taip Erdogan dhe ish-kryeministri i Britanisë së Madhe, Tony Blair./zëri/

1 komente në “Të padëshiruar për botën”

  1. Nabukodonosor says:

    Pyet pak keta te Shqiperise qe nuk i qasin as tek dera.

Comments are closed.

Lini një Përgjigje