Pacolli i pasigurt në votat e PDK-së

16 Shkurt 2011, 10:20Rajoni TEMA

Behgjet Pacolli aktualisht nuk mund të llogarisë në mbështetjen e të gjithë deputetëve të PDK-së për t’u bërë president shteti, ani se Këshilli Drejtues i partisë që drejtohet nga Hashim Thaçi, një ditë më herët ka vendosur që Presidencën t’ia lërë Koalicionit për Kosovën e Re. Një nga zyrtarët e lartë të PDK-së, ka folur të martën me siguri të plotë, se tani për tani janë tetë deputetë që nuk do të votojnë pro Pacollit në Kuvend, shkruan sot “Koha Ditore”. Ai nuk e ka përjashtuar mundësinë që numri i mospërkrahësve të liderit të AKR-së të rritet gjatë ditëve në vazhdim, por, ka thënë se edhe numri i tanishëm, e vë në pikëpyetje zgjedhjen e Pacollit në krye të shtetit. “Në PDK llogarisim që koalicioni qeverisës të ketë 66 ulëse në Kuvend. Dhe, nëse tetë deputetë të shumicës parlamentare nuk e votojnë kandidatin për president, atëherë ai nuk do të mund të zgjidhet në këtë post, pasi ka pak gjasa që të marrë mbështetje nga opozita”, ka thënë ai, në kushte anonimiteti. Ai ka rikujtuar se votimi për presidentin do të jetë i mbyllur, gjë që ua lehtëson deputetëve ta shprehin lirshëm vullnetin e tyre, për ose kundër kandidatit për president. “E mira e kësaj pune është se votimi do të jetë i fshehtë, dhe kjo e shmang presionin që mund të bëhet ndaj deputetëve qoftë nga partia, qoftë nga ‘miqtë ndërkombëtarë’”, ka theksuar ky zyrtar i lartë i PDK-së. Me Kushtetutën e Kosovës kandidati për president votohet nga deputetët në tri raunde. Për t’u zgjedhur president, në raundin e tretë të votimit kandidati duhet të marrë votat e 61 deputetëve. Dështimi i partnerëve të koalicionit qeverisës për ta votuar presidentin e shtetit, mund ta shpjerë vendin sërish në zgjedhje të parakohshme. Me Kushtetutë parashihen që në raste të tilla zgjedhjet të organizohen brenda 45 ditësh. Mirëpo, nënkryetari i AKR-së, Ibrahim Gashi, nuk beson se do të vijë puna deri në këtë shkallë.
“Ne presim shumë dhe jemi të bindur se do të marrim mbështetjen e Parlamentit të Kosovës për ta marrë postin e presidentit për pesë vjetët e ardhshëm. Ne nuk kemi ndërruar qëndrim dhe Behgjet Pacolli do të jetë kandidat për president nga AKR-ja”, është shprehur ai.
Ndonëse ka mbetur më pak se një javë deri në mbajtjen e seancës konstituive të Kuvendit, së paku zyrtarisht, nuk është njoftuar që drejtuesit e PDK-së dhe ata të KKR-së, të jenë takuar të martën, për të diskutuar rreth ndarjes së posteve qeverisëse.
Një burim brenda PDK-së ka bërë të ditur se AKR-së në maksimum do t’i jepen tri ministri, e jo gjashtë sa pretendon t’i ketë ajo.
Ai ka përjashtuar mundësinë që kësaj partie t’i ndahet Ministria e Ekonomisë dhe ajo e Punëve të Jashtme, të cilat në fakt konsiderohen si dy resorët që do t’i krijonin AKR-së hapësirë të madhe veprimi në kuadër të partneritetit qeverisës.
Por, ky burim ka thënë se AKR-ja ka gjasa që ta marrë në drejtim Ministrinë e Forcës së Sigurisë, e po ashtu edhe atë të Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit.
Veç tjerash, sipas tij, PDK-ja është e interesuar që ta “sistemojë” në qeveri, zëvendëspresidenten e AKR-së, Mimoza Kusari-Lilën, dhe atë në postin e zëvendëskryeministres.
Nënkryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka folur shkurt për ndarjen  e pushteteve, por ka thënë se “pjesëmarrja në qeveri do të varet nga numri i vendeve që i kanë në Kuvendin e Kosovës”.
Në fakt, AKR-ja është e përfaqësuar në Kuvend me tetë deputetë, aq sa do të jetë e përfaqësuar edhe SLS e Slobodan Petroviqit.
Në AKR shpresojnë se pos Ministrisë për Ekonomi do ta marrin së paku edhe atë të Shëndetësisë dhe të FSK-së. Të parën do t’ia linin nën drejtim Muhamet Mustafës, të dytën, Agim Çekut dhe të tretën Ferid Aganit. AKR-ja, sipas një zyrtari të lartë, do të jetë e gatshme që t’i sistemojë në poste qeveritare edhe tre kandidatët e PD-së që janë në radhë për t’u bërë deputetë, pasi të lirohen mandatet nga të apostrofuarit, me qëllim të rritjes së fuqisë parlamentare me kuadro të saj.
Megjithatë, nënkryetari Gashi ka mohuar që brenda partisë apo edhe gjatë bisedave me partnerin e koalicionit të jetë shtruar çështja e ndarjes së ministrive. “Nuk kemi biseduar ende për cilat ministri do të përcaktohet AKR-ja”, ka thënë ai.
“Bisedimet shpresoj se do të rezultojnë më marrëveshje edhe me këtë pjesë të koalicionit. Natyrisht AKR-ja ka kërkuar gjashtë ministri, postin e zv.kryeministrit dhe shtatë zv.ministra….”, ka shtuar ai.
Hise në Qeveri, pos partive që përfaqësojnë komunitetin serb dhe joserb, pritet të ketë edhe Ukë Rugova. Mirëpo, ky i fundit, sipas zyrtarëve të PDK-së do të duhet të sigurojë një grup parlamentar në mbështetje të qeverisë. Zyrtarët e PDK-së, presin që marrëveshja për koalicion qeverisës të formalizohet brenda pak ditësh. “Besojmë që dy-tri ditët e ardhshme pritet qartësim edhe për çështjet që ndërlidhen me përfaqësimin e AKR-së në numra të caktuar të ministrive, të PDK-së, por edhe të partnerëve tjerë”, ka thënë anëtari i Kryesisë së PDK-së, Memli Krasniqi.
Koalicioni PDK-AKR-lista “Rugova”- minoritetet edhe pse mund të ketë numra të mjaftueshëm për ta përbërë shumicën parlamentare, prapëseprapë do të jetë një koalicion që do të ketë mbështetje me të vogël të fuqisë elektorale, kundruall opozitës për së paku 20 mijë vota.

1 komente në “Pacolli i pasigurt në votat e PDK-së”

  1. Nabukodonosor says:

    Mbase ne PDK ka ngelur ndonje shqiptar qe te votoje kunder ketij spiunit.

Comments are closed.

Lini një Përgjigje