Ka një brengë, që e shoqëron kudo ish-kryebashkiakun e Tiranës, zotin Albert Brojka. Vërtetë nuk mund ta shfaqë, por ajo është e dukshme në qenien e tij: Tirana ndryshoi shumë pas tij. Vullneti që mungoi, kur ai ishte në fuqi, nuk i mungoi pasardhësit të tij z. Rama, që këtë post e shfrytëzoi shumë edhe për staturën e tij politike. Por, kjo është sërish më e pakta. Partia Demokratike, shtëpia e tij, është tejet e ftohur me të (dhe me shumë nga themeluesit e saj) dhe për një nga anëtarët e parë të saj, kjo mund të quhet brengë. Gjithsesi, e ka një ngushëllim. PD-ja e sotme është njësoj me atë të ditëve të tij dhe ca më keq akoma: të rinjtë e sotëm që kanë ardhur aty janë thjesht instrumente të bindur të Njëshit Berishë, që duan të ruajnë privilegjet, duke iu bindur turpshëm. Këtë fenomen e shikon të njëjtë dhe në Partinë e Ramës, për të cilin është fare i qartë në konsideratën e tij: Ka qenë thjesht një kryetar bashkie. Asgjë më shumë. Në gjithë qetësinë e tij natyrale, rrallë herë ka shpërthime dhe ato jepen thjesht me impulsin e veprimeve, për të shmangur brengën e tij të lënies mënjanë. 53-vjeçari sportiv, është një autoritet në fushën e tij dhe ofron me modesti, ndryshe nga shumë spekulantë politikë që kërkojnë poste, thjesht asistencën e tij si këshilltar politik dhe profesional, për formacionin e tij të zemrës: PD-në. Por, a e dëgjojnë vallë? Koha do të flasë.
Intervistoi: Ben Andoni, MAPO
Zoti Brojka, keni lënë Bashkinë e Tiranës në vitin 1999, kur aty u ngjit zoti Rama. Keni qenë i kursyer në konsiderata për pasardhësin tuaj. Si ju duket sot, në prag të zgjedhjeve lokale të majit, kjo dekadë e drejtimit të Edi Ramës në Tiranë?
“Me pak fjalë, mund t’ju them se Edi Rama ka qenë thjesht një kryetar i zakonshëm bashkie. Ashtu si isha dhe unë. Erdhi me bujë, me propagandë të madhe, përdori fjalët si masakër, batërdi, që ishin bërë në Tiranë dhe premtoi se do të bënte një kthesë radikale. Vërtetë, këto i ka propaganda, por them se kjo është një punë që do ta bënte çdo kryetar, paçka se Rama e trumbetoi se do ta bënte vetëm ai dhe s’kishte askush tjetër. Çdokush në PS, në atë kohë, që do bëhej në vend të tij kryetar do kishte mundësi të pastronte nga kioskat Lanën ose parkun Rinia; do të shtronte disa rrugë; do të suvatonte disa pallate dhe do të bënte disa studime. Pra, jo vetëm Edi Rama mund t’i bënte, ato mund t’i bënte kushdo dhe ndoshta edhe më mirë. E perifrazoj, është një kryetar i thjeshtë bashkie. Madje, në një farë mënyre e ka përdorur postin për karrierën e tij politike. Veç punës së zakonshme të kryetarit, e ka shfrytëzuar më së miri bashkinë për karrierën e tij në Parti. Kujtoj se shfrytëzoi shumë mirë Ilir Metën, atëkohë kryeministër, për t’i marrë një pjesë të madhe të fondeve të buxhetit të shtetit për propagandën për veten tij; ka shfrytëzuar shumë mirë opinionin ndërkombëtar për të thënë se po fus një frymë të re. Ashtu, si tha edhe në Partinë Socialiste. Përfundimisht, them se ka bërë punën e zakonshme të një kryetari dhe e ka përdorur, për të mos thënë se vitet e fundit nuk po e kryen më këtë atribut. Për mua, është e vërtetë që të mbash në të njëjtën kohë dy poste si kryetar partie dhe kryetar bashkie është shumë e vështirë. Mendimi im është se duhej të ishte thjesht kryetari i Partisë, të ishte në Parlament dhe të ngrinte zërin si kryetar i opozitës. Ndërkohë që posti i kryebashkiakut se ka lënë të ketë atë të anëtarit në Parlament. E përsëris: është një kryebashkiak i zakonshëm që e ka shfrytëzuar postin për karrierën e tij dhe ka dëmtuar kështu interesat e Opozitës”.
Të dy keni qenë para vështirësive me pushtetin qendror. Ka pikë takimi mes jush?
“Ka në një farë mase, por kemi pasur këndvështrime të ndryshme. Unë ndenja 4 vjet me mandat dhe kisha vetëm 3 muaj me PD-në në qeverinë Meksi, deri në mars të vitit 1997. E gjithë koha tjetër ishte me kryeministrat e PS-së. Në të njëjtën pozitë është tani Rama por jo në mandatet e mëparshme, kur ishte PS-ja në fuqi. Ai e ka shfrytëzuar mirë partinë dhe ka pasur mbështetjen e tyre. Dua t’ju kujtoj se kur isha kryetar bashkie, pushteti lokal ishte tmerrësisht i centralizuar për të mos thënë se paraardhësi im s’kishte as buxhet dhe administronte gati vetëm ndihmën. Ndërmarrja e taksave është formuar në ’95-n. Diçka u bë kur erdha unë, por gjendja financiare nga 95% e centralizuar kaloi në 80%, ndërsa sot është 50 me 50%, falë reformave të qeverive të ndryshme. Pra, në të njëjtat pozita, por unë isha më i dobët prej financave dhe po të mos më jepnin taksat qendrore s’kisha gjë, ndërsa ai e ka një buxhet të vetin dhe e mbledh vetë gjysmën e tij. Ai është më i fuqishëm sot edhe pse si kryetar i opozitës e përdor bashkinë. Thjesht duke abuzuar se nuk kam fonde, dhe kuptohet se në këtë pozitë kryetarit të opozitës i bëhen më shumë lëshime…”
Si e shihni fushatën që po afrohet? A do të jetë ajo fushatë me spektër lokal apo rrezikon, si në vitin 2007, të kthehet në një betejë politike mes Berishës dhe Ramës?
“Them se do të jetë një betejë politike dhe këtë e shikoj nga mënyra sesi janë pozicionuar forcat. Zoti Rama e përdori bashkinë të vinte në krye të Opozitës dhe do e përdorë në të ardhmen postin e kryetarit që të ruajë vendin në bashki. Në këtë logjikë, mendoj se do jetë tamam luftë e ashpër, që e kanë vetë në dorë forcat ta shmangin. Unë vetë do të gjykoja që Rama mos të kandidonte si kryetar bashkie, por të mbante postin e partisë dhe të luftonte për pushtet pas zgjedhjeve të përgjithshme. Ndërsa, kështu, jo vetëm do ta radikalizojë luftën me PD-në, por do ta tensionojë dhe dëmtojë shumë luftën e opozitës në parlament. Nga pozitat e së majtës, them se ai do ishte mirë mos të kandidonte, ngaqë në PS ka të tjerë që mund të bëjnë tashmë me dinjitet këtë në Tiranë. Edhe diçka: Ai ka tri mandate. Sado mirë që ka punuar, është i konsumuar, për mua. Them një “luftë”, sepse po të jetë të themi një kandidat liberal nga PS-ja dhe tolerant në politikë dhe që të premtonte se do rrinte larg politikës, thjesht që t’i shërbente qytetit, kjo do ta zbuste shumë luftën. Dhe, vetë PD-ja përballë një kandidature të tillë do ishte më e tërhequr”.
Zoti Brojka, dukeni si një emër që vjen nga një e kaluar e largët. Të mendosh vetëm pak vite kanë kaluar, kur ju ishit kryebashkiaku i Tiranës dhe ministër. Mendoni se është disi e qëllimshme, harresa e disa emrave, që dikur ishin protagonistë në ish- partinë tuaj?
“Mundet. Nuk paragjykoj, por e paralajmërova ikjen time nga politika që kur isha kryetar bashkie. Në një farë mënyre u ndjeva i konsumuar, sepse kjo është e zakonshme në post. Pata dhe vetë probleme si anëtar i kryesisë së PD-së dhe funksionar i lartë i saj në Tiranë. Ka pasur dhe acarime për hir të së vërtetës dhe ndaj m’u duk vetja disi i tepërt. Kishte një frymë mospëlqimi të PD-së ndaj meje dhe nuk u pëlqente politika sesi sillesha. Kam qenë natyrë që nuk i “nënshtrohesha” partisë, por përpiqesha të respektoja shtetin, ligjet dhe pse mund të ndodhte që mund t’i dilja kundër PD-së. Më mirë t’u shërbeja qytetarëve, kështu që në një farë mënyre isha vetë protagonist për t’u larguar. Ishte edhe një fazë ftohtësie, që po shihja. Madje, edhe tani e shikoj te PD-ja, që ata që kanë mendim të pavarur dhe ndryshe nuk shikohen me syrin e vërtetë ose thjesht: paskemi dhe ndryshe. Në përgjithësi vendos mendimi i të parit dhe po i re ndesh mendimit të të parit, ose kundër tij, të quajnë si të papëlqyeshëm”.
Ditët e fundit pati një lëvizje në gjirin e PD-së nga zoti Mustafaj, por që ashtu si pritej nuk shkoi më shumë sesa zhurma e lajmit. Çfarë është PD-ja e sotme me sytë e zotit Brokaj?
“PD-ja është ajo që ka qenë kur isha dhe unë. Ka të njëjtën mënyrë organizimi, të njëjtin stil pune, që unë do ta karakterizoja si në një fare mase të centralizuar. Zoti Berisha punon fort ta mbaj partinë. Punon shumë dhe i zgjedh njerëzit që të mbaj linjën e tij politike. Ata që e kundërshtojnë linjën, nuk them se janë të përjashtuar, por sikur lihen në harresë, sikur largohen, paçka se kanë pasur marrëdhënie të mira. Ta kundërshtoj këtë stil pune, unë vetë s’e bëj dot, sepse menjëherë to më nxirrnin një karton dhe do më thoshin me këtë stil pune dhe me këtë organizim erdhëm dy mandate në pushtet dhe fituesi nuk gjykohet. Por, unë vetë jam liberal dhe shumë demokrat, ndaj doja më shumë liri në një formacion, por dua apo s’dua unë jam i detyruar ta pranoj se PD-ja është fituese dhe fituesi nuk gjykohet”.
Jeni i fokusuar thjesht në punën tuaj të përditshme dhe dukeni si aspak i interesuar për politikën. Jeni po kaq larg medias. Si mund të komentohej kjo tërheqje juaja?
“Ju thashë se politika më ka lënë jashtë. Kisha nevojë pas ikjes të qetësohesha dhe të reflektoja. Mendoja se pas këtij procesi do të futesha sërish në politikë me forca më të mëdha. Kështu mendoja dhe tentova: Fillova të shkruaj. U bëra më aktiv dhe tentova dhe të afrohesha, por ndjeva një ftohtësi. Sot jam një anëtar i thjeshtë i PD-së. Ndjej se e kam mundësinë të jap në institucione drejtuese, mbase jo në postin e drejtuesit, por në rolin e këshilltarit për të ndarë këtë eksperiencë apo edhe të ndonjë këshilltari brenda radhëve të PD-së, meqë kam qenë anëtar kryesie. Gjithsesi, duke ditur natyrën time, që nuk futem dot në rresht dhe të më shtrojnë, ngaqë dua ta ruaj mendimin tim të pavarur dhe lirinë e fjalës, me këtë rast kanë preferuar të më lënë larg. Dhe, vetë, nuk dua një lloj karriere që të ngjis menjëherë shkallët e pushtetit. Vetë si afrohem medias dhe media mesa duket e ka parë të arsyeshme. Nëse ka një lloj ftohtësie është e gjithanshme. Edhe vetë media e ndjen që s’isha protagonist për median dhe PD-ja mendoj se nuk kish nevojë për mua. Por edhe mua vetë në një mjedis të tillë të shtrënguar më duket vetja i tepërt”.
Kalojmë në aktualitet:A ka pasur, sipas jush, grusht shteti më 21 janar?
“Unë do ta përmbledh mendimin tim. E ndjek median dhe s’jam i influencuar nga ndonjë forcë politike. Për mua, protesta e çdo force të opozitës është e drejtë. Ato janë të ligjshme për çfarëdo lloj dalje ku kërkohet zhdukja e varfërisë, kushtet e jetesës, etj. Në një shtet demokratik është normë, por në momentin që ajo, si kjo e opozitës, bëhet e dhunshme dhe preferojnë që të dhunojnë institucionet dhe të dhunojnë policinë, unë këtu ndalem: S’jam për protesta të tilla të dhunshme. E dyta, nëse aty u vranë katër veta: s’jam të vriten njerëz dhe mendoj që sot Prokuroria duhet lënë e qetë të bëjë punën e saj për të zbardhur të vërtetën e vrasjeve. Jam për protestat, por jo që me to të merret pushteti dhe në asnjë mënyrë që me to të preken institucionet. Dua shtetin ligjor, por dhe ai duhet të mbrojë institucionin e tij pa vrarë qytetarin. Ka mjete dhe gjëra më tolerante”.
Pra, ishte apo jo grusht shteti?
“Jo grusht shteti, por protestë që kish elementë që kërkonin të provokonin shtetin. I qëndroj mendimit se para zhvillimit, vende-vende u deklarua nga PS-ja se nuk e përmbante dot popullin se çfarë mund të bënte të nesërmen dhe dikush përmendi dhe rastin e Tunizisë. Nuk ishte grusht shteti, por ishte një protestë me elementë që donin t’i bënin presion pushtetit. Mbase jo e organizuar kundër pushtetit, por për ta provokuar ishte”.
Cili është mendimi juaj për konfliktin mes dy drejtuesve të dikurshëm të Partisë Demokratike, Sali Berishës dhe Bamir Topit?
“Është një pyetje shumë e vështirë, ngaqë kam punuar me të dy. Nga ajo që kam dëgjuar, meqë sot jam jashtë PD-së, kjo është luftë për pushtet brenda PD-së. Me aq sa e njoh Topin, nuk e gjykoj se ka dëshirë të vazhdoj karrierën politike, pra që do të marrë PD-në, por edhe nuk e njoh mirë situatën. Pozicioni i Topit është i vështirë se ka ardhur si president nga PD-ja dhe si president duhet të jetë i paanshëm. Ka të ngjarë dhe është normale sot që të mos e ketë më ndihmën nga PD-ja. Ai ka pozitë të vështirë që kur u bë president, ashtu si edhe zoti Moisiu që njësoj u propozua nga PD-ja. Tani në post duhet të jetë i ekuilibruar, kurse të tjerët mendojnë se në postin e presidentit duhet të respektojë më shumë atë që të propozon. Berisha këtu ndjen disi një lloj ftohtësie apo e ndjen atë më shumë majtas, sepse e mendon si të vetin dhe kërkon mbështetje nga ai, ndërkohë që vetë zotit Topi i duhen ekuilibra. Si ka nisur ky konflikt, nuk mendoj që Topi do partinë apo se presioni është prej kësaj. Është thjesht xhelozia: Ne e bëmë president, ai nuk na mban dot…”.
Ka një përcaktim, që e etiketon punën e politikës shqiptare si fenomen parapolitik. Ju duket se brezi i politikanëve që është tani prezent në dy partitë kryesore është thjesht një zgjatim i dy drejtimeve të politikanëve kryesorë sesa punë e vërtetë ideologjike?
“Gjithnjë edhe kur isha në role drejtuese, respektoja mendimin, alternativën dhe frymën e re dhe e kam mbështetur këtë sens. E keqja është se kjo po ndodh tani dhe te PS-ja. Vinë të rinj të formuar në shkolla të suksesshme dhe me pretendimin se do të sjellin përvojë nga shkollimi, kurset, por është çudi që kur vinë në parti duke sikur shtojnë radhët e ushtrisë. Ata janë nxënës të nevojshëm dhe radikalizohen menjëherë duke u bërë nxënës të liderëve. Nënshtrohen çuditërisht më kollaj. Për mendimin tim, duken si më të suksesshëm ata politikanët e vjetër që sado konservativë ta kenë mendim të tyre, janë më të qëndrueshëm. Kurse këta flasin dhe shprehen ndryshe, kanë mendime të paqarta dhe pastaj i nënshtrohen ligjit. Ata s’kanë më idealizëm politikën, thjesht i tërheqin interesat, për hir të ardhjes në Tiranë, për mbrojtjen e një biznesi, për një të drejtë pasuniversitare, ndaj ata japin një pjesë të karakterit të tyre. Dhe, më vjen keq, se kjo është tendenca në dy krahët. Kam frikë se edhe ata që do të vinë do t’i nënshtrohen të parit nga të dyja kampet. Jam pesimist”.
Si e komenton bindjen apo më mirë ngutjen deri në përulje të deputetëve të PD-së për t’iu bindur zotit Berisha? Pse dhe pas kaq vitesh nuk ka demokraci, sipas jush në radhën e PD-së?
“Unë do ta shtyja pyetjen dhe te PS-ja. S’janë vetëm të rinjtë e PD-së, por edhe ata të PS-së. Dhe këtu do ta shtrij përgjigjen: janë të formuar, por për hir të interesave e shesin karakterin se po e ngritën mendimin ndryshe ose të flasin ndryshe, ose do të dalin nga radha, apo do t’u krijohet mjedis që të dalin vetë. Për të mbajtur beneficet, më mirë bëjnë nënshtrim dhe ndaj edhe radikalizohen. Ndaj dhe Rama ka marrë njerëz që njëri flet si hetues, njëri si prokuror…”.
Flasim pak për të djathtën, kryesisht. KOP-i, si të duket në këtë kohë?
“Unë shpresova dhe u prononcova që shyqyr po krijohet një komitet teknik, sepse i përmbahem mendimit që është mirë të qeveriset me terma teknikë dhe jo nga politikanë të fortë të ashpër. Duhen specialistë dhe madje edhe në postin e ministrit duhet të jetë një teknik jo politikan i thekur. Ndaj e mbështeta KOP-in, por çuditërisht kur ata u futën në pushtet e lanë postin dhe profesionin, mendimin dhe zanatin e tyre dhe u bënë politikanë të ashpër dhe pranuan të nënshtrohen dhe të vihen në rresht. Kjo do të ndodhë sërish me ata që do të vijnë. Jam pesimist. Berisha e zgjedh mirë elementin para se ta zgjedhë. I ka mendimet e qarta për veten e tij se kë do afrojë, se çfarë tipi është dhe çfarë i jep postit dhe partisë. Ndaj këta elementë janë të studiuar mirë që vërtetë janë dikush në fushat e tyre, por i qëndrojnë gjithnjë asaj linje të centralizuar të partisë”.
Si e shikoni rolin e politikanëve të majtë dhe konfuzionin për të artikuluar një drejtim të përshtatshëm në këto situata?
“Partia Socialiste ka një të kaluar dhe është trashëgimtare e Partisë së Punës, duke mbajtur dhe barrën e saj. U përpoq të bënte një reformim me ata që kishte dhe formoi një fizionomi. Nuk mendoj se me ardhjen e Ramës pati një vazhdimësi të kësaj linje. Ai sikur doli nga PS-ja dhe krijoi një parti alla-Rama. Ai vinte nga një eksperiencë nga shoqëria Civile dhe kujtoi se këtë eksperiencë mund ta transplatonte direkt te PS-ja. Ajo shfaqet në dukje më tepër një shoqatë sesa një Parti. Personalisht s’më pëlqen dhe nga njerëzit që ka marrë, vërtetë emra të spikatur, por ata i kanë dhënë pamjen e një shoqate. Harron se ky është grupim politik. Nuk mund një grupim si këta thjesht të akuzojnë: Berisha të vijë turp! Nëse duhet t’i vijë turp- pse dhe çfarë duhet të bëjë! Për mendimin tim, Rama e administron keq situatën. Nëse PS-ja kundërshtoi me kutitë e votimit, duke thënë se zgjedhjet ishin të parregullta, ishte një arbitër i huaj, që i tha se: Punën e zgjedhjeve duhej ta mbyllte. Nëse e donte mazhorancën, nuk e merr dot as me grevë urie (e pakonceptueshme për mua greva e grupit të deputetëve) dhe as me protesta, që nesër bëhen të dhunshme. Pushteti merret në parlament. Ashtu si i ka marrë sot disa deputetë. Anipse, strategjia e PS-është e gabuar që me Ramën. Ai duhet të ishte në parlament dhe duhej të luftonte aty. Dhe them se rruga dhe strategjia e PS-së është e gabuar dhe sërish po kandidoi. Sepse ai faturën e bëmave të bashkisë, si akuza e 20%, do e hajë PS-ja”.
Nëse do të kishit një ofertë të mirë, në çfarë spektri të së djathtës do ta gjenit vetveten. Më thjesht: A mendoni se mund të ktheheni në politikë?
“Dëshirë kam, që të jem i sinqertë. Jam 53 vjeç dhe angazhimet familjare janë më të pakta. Kam më shumë kohë dhe s’dua të qëndroj indiferent, sepse kam përvojë në pushtetin vendor si kryetar bashkie dhe eksperiencë në pushtetin qendror si ministër dhe zv/ministër apo edhe në parti se kam qenë sekretar dhe anëtar dhe kryetar. Nuk e jap dot këtë kontribut, mbase jo në postin e drejtuesit, sepse mendoj se ka të tjerë që mund të jenë më efikasë, por në rolin e një këshilltari të PD-së, mendoj se po. Aty ku ka 30 të tillë në Bashki, mund të jem si një mendim alternativ që i shërben qytetit, por qoftë dhe një këshilltar ministri. Të jem i qartë nuk mund të bëhem më ministër ose çfarëdoqoftë dhe as nuk e ëndërroj këtë, që të rikandidoj sërish. Ashtu si mund të jap diçka profesionalisht, ngaqë në profesionin tim si inxhinier, dikur kam qenë drejtor i Institutit të Projektimeve dhe mund të jap diçka të vyer qoftë dhe në fushën time”.
Comments are closed.
Hahahaha Ky Albert Brojka paska perfunduar ne nje lypsar qe kerkon nje kocke nga Berisha duke i premtuar se mund ti sherbeje me besnikeri si keshillatar hahaha sa i mjere. Do qe te keshilloje si te mbushet Lana perseri me kioska,si fekalet e Tiranes te derdhen mespermes kryeqytetit.Autori i shkaterrimit te Tiranes,i kthimit te saj ne nje lloj Kandahari shqiptar eshte gati te jape keshilla… kundrejt pageses,kupton.
O Berto pa shtylle kurrizore nuk rri dot drejt, leviz anej knej….ndaje menjen se je majt dhe si cun i zgjut….
Ajo fotua lart dhe menyra si e shikon “udheheqesin” flasin me shume se fjalet o Berto.
Ti je me karte e djegur se ata qe i qendrojne afer Berishes.
Z.Andoni!Thone qe te gjithe te PD jane k.qe por jo te gjithe k.qet jane PD-ista.E keni qare intervisten qe te dy.Do me behet qejfi sikur te marresh edhe Tonin Alimehillin.
Nje nga kriminelet qe shkaterruan Tiranen, dhe qe ka merituar te shkonte ne burg per shume allishverishe ka qene zoti Albert Brojak. Nuk e di sesi kane fytyre e japin intervista.
Brojka e ktheu Tiranen ne nje hale te madhe publike. Kur kaloje uren e Lanes duhet tia fusje vrapit se te binte te fiket nga era e mutit. Parku Rinia ishte kthyer ne nje grup barakash e kioskash ku shitej droga lirshem.Vetem ky mos behet keshilltar apo drejtues per sherbimet publike.
Z.A.Brokaj kyetar bashkije u bere me vota te vjedhura,per kete kam kontribuar dhe une(pendohem).Ju kujtoi mbasditen e dites se votimit ,ju ishit sebashku me zv.ministrin e brendshem Shehu, kur i raportuam z.Shehu ne pranin tuaj per bemat e votave te vjedhura(bushjen e kutive)Z.A.Brokaj menyra se si ju i pergjigjeni intervistres tregon se vazhdon te jesh servil i moderuar,me shkurt nje qen qe jargoset kur shikon nje kocke,qe se ha dote por te katen ta lepi se keshtu gelltit dhe jarget e tij.
I shkreti Brojka, ashtu si edhe Eduard Selami kane mbetur pa gje, po kerkojne te lepijne ndonje kocke te mbetur, se gje tjeter nuk i ka mbetur kesaj Shqiperie te gjore.
Si tregoheni kaq langaraq o njerez te pa fytyre.
Lexova intervisten e Albert Brojka, ishte me te vertete nje interviste shume e merzitshme dhe pa as nje kualitet.
Pergjigjet e tij ishin kaq te lodhshme edhe shume servile ndaj Berishes. Une nuk e kuptoje perse e shikojne Berishen si Perendia e Shqiptareve? Ky fundurina Brojka ashtu e shikonte Berishen si kur eshte Perendi.
Ju be nje pyetje ne lidhje me Bamir Topin dhe Berishes, dhe ky i fundit nuk u pergjigje sepse mendonte te hynte prap ne politike si legen i berishes.
Pra shkurte. Une mendoje se ky Brojka nuk eshte per nje politike qe shikon hallet e nje populli, por ai mendon vetem per te marre nje rroge te mire dhe te rreje sa te mundet ne popull. Pra ka nje personalitet fundurinash. Keshtu mendoje Une.
xhakete e kthyer mbrapsh.dicka pa vlere ..as ta lexosh intervisten e ketij ..shikoni sa here perdor fjalen kryetar bashkie i zakonshem. Edi pastroi gjithe plehun e PD ne Tirane ..saliu vetem ve dinamitin
Si katandisen keta PD-istat,si qen te rrahur me purteka.I forte Berisha,ka inteligjencen e te fundmit tekuadrove te PD-se por ben gjeneral Bonopartin ne parti.Ashkozen!!!