Skenari i Hashim Thaçit që Kosova të bëhet me president dhe Qeveri të re të hënën e javës së ardhshme mund të realizohet vetëm me vullnetin e Jakup Krasniqit. Kjo për faktin se Krasniqi, në cilësinë e kryetarit të Kuvendit, mund të mos e pranojë ndryshimin e agjendës së përcaktuar javën e kaluar nga Kryesia e legjislaturës së tretë, e në të cilën është paraparë, që gjatë seancës konstituive të Kuvendit, të zgjidhen vetëm kryetari, pesë nënkryetarët e Kuvendit, si edhe të bëhet betimi i deputetëve.
Me Rregulloren e punës së Kuvendit lejohet futja e çështjeve shtesë në rendin e ditës së seancës kuvendore, mirëpo, për t’u realizuar një gjë e tillë, paraprakisht duhet njoftuar me shkrim kryetari.
“Rendi i ditës konsiderohet i miratuar, përveçse kur në fillim të mbledhjes një ose më shumë grupe parlamentare, përfaqësues të një ose më shumë komisioneve, së paku gjashtë (6) deputetë ia propozojnë me shkrim kryetarit një amendament për rendin e ditës, përkatësisht nëse një deputet e ngre një çështje të ngutshme dhe kjo e merr miratimin shumicës”, citon “Koha Ditore” Rregulloren e punës së Kuvendit.
Edhe kur ngrihet ndonjë “çështje e ngutshme”, është prapë kryetari i Kuvendit, ai që vlerëson nëse ajo mund të kualifikohet si e tillë, ose jo.
Rregullorja e punës së Kuvendit lejon edhe mbajtjen e seancave të jashtëzakonshme, në rast se ato kërkohen nga presidenti ose kryeministri. Mirëpo, edhe në këto raste, kërkesat për mbledhje të jashtëzakonshme duhet ta përmbajnë çështjen që duhet të shqyrtohet, si edhe arsyetimet pse konsiderohet çështje e ngutshme dhe e rëndësishme.
Deri të enjten pasdite, nuk ka pasur ndonjë kërkesë që agjenda e seancës të së hënës të plotësohet me ndonjë pikë shtesë.
“Agjenda e seancës konstituive është ashtu siç ka vendosur Kryesia, gjatë javës së kaluar: zgjedhja e organeve drejtuese të Kuvendit dhe betimi i deputetëve”, ka bërë të ditur sekretari i Kuvendit, Ismet Krasniqi. Në fakt, kjo agjendë është përcaktuar më 10 shkurt, në takimin që kryetari i Kuvendit, e ka mbajtur me anëtarët e Kryesisë dhe me përfaqësuesit e subjekteve politike që kanë fituar ulëse në Kuvend.
Por, atë ditë ishte vendosur që seanca konstituive të mbahej më 24 shkurt, e jo më 21 shkurt, siç ka mbetur tani.
Ndryshimi i datës është bërë pasi Këshilli Drejtues i PDK-së kishte vendosur që postin e presidentit t’ia lërë Koalicionit Kosova e Re.
I vetmi subjekt politik parlamentar që ka reaguar në ndryshimin e kësaj date ka qenë lëvizja “Vetëvendosje!”.
“Për ndryshimin e datës nuk u pyetën subjektet politike…..Lëvizja ‘Vetëvendosje!’ i kundërshton praktikat e tilla jodemokratike të vendimmarrjes institucionale, të cilat subjektet politike i trajtojnë si dekor apo objekte që duhet t’u përshtaten vendimeve arbitrare”, është thënë në komunikatën që ka lëshuar ky subjekt politik. Lëvizja “Vetëvendosje!” ka sqaruar se do të marrë pjesë në mbledhjen konstitutive, por ka theksuar: “Krijimi i shembujve të tillë të sjelljes dhe krijimi i njëmendësie të tillë jodemokratike janë shenja të një pushteti që në mënyra të tilla arbitrare merr edhe vendime të tjera më të mëdha, duke filluar prej ngritjes së pagave pa mbulesë financiare për qëllime elektorale, e deri te privatizimi i PTK-së për hesape partiake”.
Ky reagim është lëshuar para se Thaçi të dilte me deklaratë se gjatë seancës konstituive do të votohet edhe presidenti dhe Qeveria.
Aktualisht, deputetët e kësaj lëvizjeje nuk kanë ndonjë qëndrim se si do të sillen në seancë, në rast se PDK-ja synon ta plotësojë me pika të tjera agjendën e përcaktuar më herët.
“Do të vendosim për këtë gjë gjatë ditëve në vijim”, ka thënë një nga zyrtarët e kësaj lëvizjeje.
Edhe partia më e madhe opozitare, LDK-ja, pret ta bëjë të njëjtën gjë.
“Çdo ndryshim i agjendës së Kuvendit duhet të jetë pjesë e diskutimeve mes forcave parlamentare. Dhe gjatë atyre diskutimeve ne do ta shprehim qëndrimin tonë”, ka thënë ish-ministri i Pushtetit Lokal, Sadri Ferati.
Paralajmërimin se të hënën do të votohet presidenti dhe Qeveria e ka bërë të mërkurën kryeministri në largim, Hashim Thaçi, në mbledhjen e fundit në kabinetin aktual të ministrave.
“Në përgjegjësinë time si kryeministër dhe mandatar për formimin e Qeverisë së re, për mandatin e ri katërvjeçar, të cilin pritet ta fillojmë nga fillimi i javës së ardhshme, pasi që Kuvendi i ri me deputetë të rinj do të mblidhet këtë të hënë, dëshiroj të them se tanimë unë jam në përfundim të negociatave me partitë politike partnere, me të cilat do të punojmë shumë në realizimin e Kosovës evropiane e të zhvilluar”, ka thënë Thaçi.
Mirëpo, një nga zyrtarët e lartë të PDK-së nuk e ka të qartë nëse presidenti i zgjedhur ka të drejtë që aty për aty ta mandatojë Thaçin për kryeministër.”Nuk jam i sigurt nëse presidenti, duhet ta lëshojë seancën, për të shkuar në Presidencë, dhe nga aty t’ia dërgojë Kuvendit propozimin për mandatar, apo mund ta bëjë këtë nga salla e Kuvendit. Besoj se juristët do ta qartësojnë këtë çështje, deri atëherë”, ka thënë ai, duke mos dashur t’i përmendet emri në gazetë.
Tash për tash dihet që seanca konstituive do të drejtohet nga dy deputetet: Nekibe Kelmendi e LDK-së dhe Albana Fetoshi e lëvizjes “Vetëvendosje”. E para si deputetja më e vjetër, kurse e dyta si më e reja.
Pas krijimit të Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve, parashihet të procedohet me zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, të cilin e propozon partia me numrin më të madh të deputetëve dhe të pesë nënkryetarëve. Tri partitë me numrin më të madh të deputetëve: PDK, LDK dhe lëvizja “Vetëvendosje”, duhet ta propozojnë nga një anëtar, një e propozojnë deputetët e komunitetit serb, kurse një tjetër e propozojnë deputetët e komuniteteve të tjera, joshqiptare dhe joserbe.
“KD”