Xhaferi ndan PD e Durrësit në tri pjesë. Përkrahësit e Kokës: Do të votojmë Vangjush Dakon

7 Mars 2011, 19:17Politika TEMA

Vendosja zyrtare e kandidaturës së Ferdinand Xhaferrit për kreun e Bashkisë së Durrësit është pritur nga demokratët e këtij qyteti me skepticizëm, ndërsa vetë PD-ja e Durrësit tashmë duket se është e ndarë tresh. Reaksioni i parë ka ardhur nga pjesa militante e PD-së, të cilët e shikojnë Ferdinand Xhaferrin si kandidaturën më të papërshtatshme për vetë faktin se ai është njeriu që ka eksperimentuar me PD-në duke ikur dhe ardhur në këtë parti sipas pozicioneve që ai ka pasur në marrëdhënie me pushtetin. Mjaft militantë të PD-së sapo kanë mësuar emrin e Ferdinand Xhaferrit si kandidat e kanë quajtur këtë zhgënjimin e dytë pas zhgënjimit të parë që është keq qeverisja e PD-së dhe braktisja e militantëve. Ndërkohë që pjesa tjetër e PD-së ka të bëjë me reaksionin që ka sjellë heqja nga gara e kreut të kësaj dege Igli Cara, i cili kishte bërë fakt të kryer kandidimin e tij dhe prej një muaji kishte filluar fushatën. Pavarësisht ambalazhimit që po mundohen t’i bëjnë eksponent kryesorë të PD-së mënjanimit të kandidaturës së Carës. kjo duket se deri tani ka bindur vetëm këtë të fundit, ndërkohë që pjesa e përkrahësve të tij ndihet e zhgënjyer dhe e shikon procesin e zgjedhjes së kandidatit si një proces biznesi të një grupi të caktuar ku përfshihet dhe Sokol Olldashi, Eduard Ndreu dhe Armand Teliti, të cilët përfundimisht prej gjashtë vitesh po luajnë me idealin dhe përkushtimin e tyre. Fakti që prej disa ditësh në orët e vona të mbrëmjes në disa lokale të Durrësit është parë e tepruar prania e Olldashit, Jozefina Topallit, por edhe drejtuesve të tjerë qendrorë të PD-së tregon qartë se partia de facto është e ndarë në dy pjesë dhe se procesi i përkrahjes së kandidatit Ferdinand Xhaferri mund të përsëriti tri garat e zhvilluara më parë, të Arqile Goresë, Avni Hoxhës dhe Armand Telitit, të cilët Durrësi në fakt i ka votuar si subjekt politik, pra si PD, por nuk i ka votuar si kandidat. Xhaferri duket se do të jetë viktima e radhës që do t’i japë PD-së shumicën në këshillin bashkiak, por do të humbi kreun e kësaj bashkie. Ndërsa të dyja klanet ziejnë brenda PD-së dhe në brendësi të saj PD-ja duket e përçarë më shumë se asnjëherë tjetër. Një pjesë e konsiderueshme votash pritet që ti shkojnë Vangjush Dakos edhe nga përkrahësit e Lefter Kokës. Vetë Koka është treguar i matur në deklarimet e tij duke thënë se është pjesë e koalicionit dhe se do të përkrahë çdo vendim të këtij koalicioni. Por ndërsa Koka ka folur me gjuhën e diplomatit dhe të politikanit një pjesë e mirë elektorati që e mbështet atë dhe ka pritur kandidimin e tij janë shprehur se nuk do ta votojmë kurrë kandidaturën e nxjerrë nga Berisha dhe aq më shumë Ferdinand Xhaferrin. Sipas tyre Lefter Koka përfaqësonte vlerat dhe impenjimin qytetar për të bërë diçka për Durrësin, por kjo nuk do të thotë që votat e tyre janë të kontrolluara nga ai kur vjen puna për një tjetër kandidat. Urrejtja e përkrahësve të Kokës duket se ka dy shkaqe, i pari që ka të bëjë me Sali Berishën, i cili pasi rri në pushtet me mandatin e Kokës bën lojëra në kurriz të elektoratit që ka votuar pikërisht këtë të fundit. Por urrejtja e tyre duket se ka të bëjë me një fakt tjetër që lidhet në vitin 2003 ku Ferdinand Xhaferri doli si kandidat i Genc Pollos, në atë kohë armik i betuar i Berishës bashkë me kandidatin dhe iu kundërvu haptazi edhe nëpërmjet medias pikërisht figurës së Lefter Kokës. Disa nga përkrahësit e këtij të fundit interesimit të gazetës iu përgjigjën me dy fjalë: Erdhi koha t’i tregojmë Xhaferrit se 5000 votat tona nuk mund t’i komandojë më dhe ato do të jenë hakmarrja e servilizmit, mashtrimit dhe pafytyrësisë së një politikani që kandidon gjithmonë për të qenë në pushtet dhe largohet gjithmonë kur nuk është në pushtet.

Artur Llana

2 komente në “Xhaferi ndan PD e Durrësit në tri pjesë. Përkrahësit e Kokës: Do të votojmë Vangjush Dakon”

  1. MiriX says:

    Nuk e di pse e kam fiksim qe ky karafili i bie dajres me pasion budallai.

  2. Dino USA says:

    Ishalla kane Ferdinander edhe per bashkite e tjera!!!

Comments are closed.

Lini një Përgjigje