Deputetja e PS-së, Vasilika Hysi, ka reaguar për dëbimin e romëve në Tiranë, duke thënë se një gjë e tillë është e papranueshme. Sipas saj, një dëbim i tillë është i njëtë me atë që bëri Millosheviç ndaj kosovarëve.
“Ngjarje të tilla ndodhnin në Kosovën e pushtuar nga Milosheviçi, por nuk mund të pranohen në Shqipërinë anëtarë të NATO-s. Dhe fajtori për këtë turp është vetëm një: Sali Berisha dhe oborri i klientëve të tij, që tanimë në emër të pasurimit nuk ndalen më përpara asgjëje”, tha deputetja Hysi.
Kjo e fundit ka akuzuar ministrin e Brendshëm, Lulzim Basha, se ka lejuar që të ndodhë ky akt i rëndë dhe nuk ka marrë asnjë masë.
“Ku ishte policia e Lulzim Bashës për 4 ditë rresht kur ky komunitet po sulmohej në mënyrën më banditeske? A është kjo siguria që flet për Tiranën Lulzim Basha kur krekoset si kandidat i pushtetit të Sali Berishës për kryeqytetin? Në ç’ vend të botës policia mund të rrijë duarkryq në një kohë kur plot 45 familje sulmohen me armë, e përsëris me armë, për t’u detyruar të shpërngulen nga banesat e tyre, vetëm për t’u justifikuar më pas, se banorët e terrorizuar nuk paskërkan bërë kallëzim penal?”, u shpreh deputetja e PS-së.
Sipas saj, “dhe më i turpshëm akoma është reagimi i pushtetit të Sali Berishës, i ministrit të Brendshëm dhe i Policisë së Shtetit, nën varësinë e Lulzim Bashës, ndaj kësaj ngjarjeje, ku një grup banditësh për 4 ditë rresht terrorizuan me armë e kërcënime, e më pas dogjën banesat e këtij komunitetit rom, jo në ndonjë zonë të thellë e të izoluar, por brenda qytetit të Tiranës”