Sekretari për çështjet ekonomike në PS, Ervin Bushati, tha se qeveria nuk po tregon të vërtetën në lidhje me rritjen e çmimeve në vend. Ai krahasoi shifrat e rritjes të bëra publike nga qeveria me ato të institucioneve ndërkombëtare.
“Qeveria fabrikon statistika për rritje të çmimeve të ushqimeve në treg me vetëm 5 lekë në 100, edhe atëherë kur Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqimet (FAO), Banka Botërore dhe çdo indeks ndërkombëtar tregon që çmimet e ushqimeve janë rritur të paktën 4-5 herë më shumë sa kaq në një vit”, tha Bushati.
Ai foli për papunësinë në vend, duke theksuar se asnjë rast i vetëm privatizimi apo investime strategjik prej ‘1 euro” nuk ka sjellë punësimin e ndonjë numër të konsiderueshëm shqiptarësh.
Bushati ceku edhe çështjen e trafikut të naftës brenda vendit, në një kohë kur çmimet e karburanteve janë rritur shumë. “Tanimë është e qartë skema e përfitimit nga kontrabanda dhe vjedhja e naftës shqiptare në mes të ditës; ndërsa transporti më i shtrenjtë, prodhon çmime gjithmonë e më të larta për çdo produkt konsumi në treg”.
Sekretari për çështjet ekonomike në PS u ndal edhe në çështjen e amnistisë fiskale, të shpallur nga qeveria para disa ditësh, duke theksuar se “Kjo qeveri që flet për amnisti ndaj vetes dhe ekonomisë që shkatërroi në këto 6 vite sundimi, por harron të amnistojë familjen normale shqiptare nga barra e rëndë që i lë në supe me vjedhjet dhe abuzimet masive me fondet publike. Qytetarët normalë dhe bizneset e shumta në vend që jetojnë pastërtisht duke respektuar shoqërinë dhe ligjin, gjenden pre e një pushteti që i ndan njerëzit në miq dhe armiq”.
“Monopolet e qeveritarëve janë të vetmit përfitues në këtë treg që njeh vetëm rritje çmimesh,- tha Bushati, – ndaj nëse duhet të ketë një amnisti, ajo duhet të jetë për qytetarin e thjeshtë”.
Bushati ftoi kryeministrin të mos fshehë pas “ylbereve” mediatike realitetin e rëndë të mbijetesës për shumicën e popullatës në Shqipëri.
1 komente në “PS: Çmimet e ushqimeve në vend janë rritur 5-fish”
Comments are closed.