Tregtarët drogaxhinj të armëve

17 Mars 2011, 20:12Politika TEMA

Si u bënë dy djelmosha amerikanë tregtarë të mëdhenj armësh derisa Pentagoni iu kthye atyre

Nga Guy Lawson, Rolling Stone

SHENIM: Ky është reportazhi që ka bërë revista e njohur amerikane “Rolling Stone” për Efraim Diverolin dhe bashkëpunëtorin e tij, David Packouz, të cilët trafikuan armë drejt Afganistanit. Historia do bëhet film në Hollivud. Ndërsa lexon këtë reportazh e kupton pse “përralla” e Diverolit ka frymëzuar industrinë më të madhe në botë

E-maili e konfirmonte një gjë të tillë: gjithçka po shkonte sërish sipas axhendës pas javësh të tëra çmenduri dhe vonesash të pashpjegueshme. Një avion 747 transporti sapo ishte ngritur nga aeroporti në Hungari dhe po i drejtohej Detit të Zi për nga Kirgistani, rreth 3 mijë milje në lindje. Pasi të ndalonte për furnizim me karburant aty, fluturimi do të vijonte në Kabul, kryeqytetin e Afganistanit. Në aeroplan ishin rreth 5 milionë fishekë kallashnikovi, të armëve të periudhës sovjetike, të destinuara për ushtrinë kombëtare afgane.

Pasi lexoi e-mailin në Miami Beach, David Packouz mori frymë i çliruar. Ngarkesa ishte pjesë e një kontrate prej 300 milionë dollarë, që Packouz dhe partneri i tij, Efraim Diveroli, kishin fituar nga Pentagoni për t’u shitur armë aleatëve të Amerikës në Afganistan. Ishte maj 2007 dhe lufta po shkonte keq. Pas gjashtë vitesh luftime, Al Kaeda vijonte të ishte një kërcënim, talebanët ishin rebeluar dhe humbjet në jetë nga ana e NATO-s po rriteshin ndjeshëm. Për administratën e Bushit, municioni ishte pjesë e një përpjekje të dëshpëruar për të shtyrë përpara luftën për shkak se po afronin zgjedhjet presidenciale. Për Packouz dhe Diverolin kjo dërgesë ishte pjesë e një marrëveshje të madhe armësh, që premtonte t’i bënte ata shumë të pasur.

Pasi u sigurua përmes e-mailit, Packouz hyri në makinën e tij Audi A4 blu, të re flakë, dhe u nis drejt shtëpisë në orët e mbrëmjes, me dritare të hapura dhe kasetofonin në maksimum. Në moshën 25 vjeçare, ai nuk ishte mësuar ende me presionin e të qënit një tregtar ndërkombëtar armësh. Një muaj më herët, ai bënte punën e tij si masazhator- studimet e tij në shkollën e masazhit nuk përfshin leksione për kontratat ushtarake dhe për gjeopolitikën. Por Packouz nuk i kishte rezistuar dot joshjes kur Diveroli, miku i tij 21 vjeçar, me të cilin kishin qenë bashkë në gjimnaz, i ofroi atij që të hynte në biznesin e armëve. Duke punuar vetëm me një lidhje interneti, disa celularë dhe ca cigare hashash, ata të dy kishin arritur të mposhtnin edhe gjigandë të tillë si General Dynamics për të marrë kontratën e madhe të armëve. Me një marrëveshje të vetme, dy tipat nga Miami Beach ishin kthyer në tregtarët e fundit të vdekjes në histori.

Mbërriti në shtëpinë e tij me pamje nga gjiri dhe u bë gati për të shkuar në restorant për darkë. Ishte shumë i lumtur: avionë nga mbarë Europa Lindore po fluturonin tani drejt Kabulit të ngarkuar me miliona dollarë armë e granada. Por sapo nisi darkën, i ra telefoni. Ishte një person që e kishte punësuar për të garantuar që municioni do shkonte nga Hungaria në Kabul. Ai ishte në panik.

“Kemi një problem,” ulëriti ai në telefon aq sa u dëgjua në të gjithë restorantin. “Avionin e kanë kapur në Kirgistan.”

Dërgesa, me sa duket ishte bërë peng i njër përplasje mes Xhorxh Bush dhe Vladimir Putin. Presidenti rus nuk donte që NATO të zgjerohej edhe në Kirgistan dhe qeveria kirgize kërkonte që amerikanët të paguanin më shumë qera në mënyrë që të përdornin aeroportet e tyre si linja kyçe për furnizimin e nevojshëm për luftën në Afganistan. Aleatët e Putinit në KGB-në e Kirgistanit po e mbanin peng aeroplanin- dhe Packouz do gjobitej me 300 mijë dollarë çdo ditë përsa kohë ai do rrinte aty. Fjalët për këtë gjë mbërritën në Uashington dhe Sekretari i Mbrojtjes, Robert Gejts u nis menjëherë për në Kirgistan për të ulur tensionet në rritje.

Packouz ishte i tronditur. “Ishte surreale,” kujton ai. “Isha duke u marrë me çështje të sigurisë ndërkombëtare dhe nuk ia kisha idenë fare se çfarë ndodhte në ato anë të botës. Por isha një lojtar kyç në luftën e Afganistanit- dhe nëse dërgesa nuk shkonte në kabul, e gjithë strategjia e luftës në këtë vend do të dështonte. Po më shkatërronte një gjë e tillë. Nuk ia kisha idenë se çfarë ishin këto forca të errëta dhe për çfarë motivi i bënin këto. Por duhej të bëja bashkë pisllëkun tim dhe të bëhesha një tregtar armësh.”

I ulur në restorant, Packouz u përpoq të pastronte kokën nga mendimet, kapi celularin me dy duar dhe bërtiti: “U thuaj atyre të KGB në Kirgistan se se ai municion duhet të shkojë në Afganistan”. “Kjo kontratë është pjesë e një misioni vital në luftën globale kundër terrorizmit. U thuaj atyre se nëse tallin leshtë me ne, po tallen me qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës!”

Packouz dhe Diveroli kishin zgjedhur momentin e duhur për të hyrë në biznesin e armëve. Për luftën në Afganistan e në Irak, Bush kishte vendosur që të vinte gjithçka në dispozicion. Sapo ai mori detyrën, kontratat private ushtarake u rritën nga 145 miliard dollarë në vitin 2001 në 390 miliard në vitin 2008. Po përse një çit personash të rinj e të papërvojë do hynin në aksion? Mbi të gjitha, dy miqtë po bënin atë që bëjnë të gjithë në biznesin e armëve- shumë, shumë, shumë para.

“Do bëja miliona,” thotë Packouz. “Nuk kisha në plan të punoja gjithë jetën si tregtar armësh- doja të bëja para për të nisur karrierën time në muzikë. Madje kurrë nuk kam pasur një armë në jetën time. Por ishte emocionuese që të ishe në një biznes që vendos fatet e kombeve. Askush tjetër i moshës tonë nuk po tregtonte armë në nivel ndërkombëtar.”

Packouz dhe Diveroli u takuan në sinagogën më të madhe në Miami Beach. Packouz ishte katër vjet më i madh se Diveroli, një djalosh i thatë. Diveroli ishte klouni i klasës, një djalosh mbipeshë me një gojë të madhe, që nuk ia kishte idenë çfarë ishte frika. Pas shkollës, ata vijonin të dilnin bashkë në plazh me miqtë e tyre, luanin në kitarë, thithnin marihuanë e zhyteshin në pishinat e hoteleve me pesë yje. Prindërit e Packouz ishin aq të shqetësuar nga përdorimi i drogës sa e dërguar në një shkollë në Izral që trajtonte fëmijët me probleme me drogën. Duket se ishte një vend shumë i mirë për t’u bërë dru. “Merrja acid nga Deti i Vdekur,” thotë Packouz. “Pta një eksperiencë transhendentale.”

Pas kthimit në shtëpi, Packouz kaloi dy semestre në Universitetin e Floridas. Për mungesë parash, ai studoi masazh, që dukej në rrugë më e mirë për të bërë para. Netëve, ai ulej me miqtë e shkollës duke u bërë dru e duke ëndërruar se si do bëhej një yll i muzikës pop. Ai madje shkroi edhe disa balada, por ishte tepër e vështirë që të hyjë në biznesin e muzikës. Me kokën e rruar dhe me sytë blu, Packouz ishte i zgjuar dhe ambicioz në mënyrën e tij, por nuk ia kishte idenë se ç’duhej të bënte me jetën.

Kurse Efraim Diveroli në kontrast e dinte shumë mirë se çfarë donte të bëhej: një trafikant armësh. Ishte në biznesin e familjes. Babai e xhaxhai i tij kishin shitur pajisje ushtarake për policinë. Pasi u përjashtua nga shkolla kur ishte në klasë të nëntë, ai u dërgua në Los Anxhelos për të punuar për dajën e tij. Menjëherë ia mori dorën punës së armëve. Kur ishte 16 vjeç ai udhëtonte në mbarë vendin duke shitur armë. I dashuronte atë- i shiste, qëllonte me to dhe fliste pa fund për to- mbi të gjitha vdiste për intrigat e industrisë së armëve dhe amoralitetin e ashpër të saj. Kur ishte 18 vjeç, pas një sherri me dajën e tij për para, Diveroli u kthye në Miami, duke marrë përsipër kompaninë e të atit: AEY.

Plani i biznesit që kishte ai ishte i thjeshtë, por brilant. Shumë kompani rriten duke shitur tek sa më shumë klientë. Por Diveroli e kuptoi se ai do kishte sukses duke pasur vetëm një klient: ushtrinë amerikane. Asnjë agjenci qeveritare nuk shet dhe blen më shumë gjëra se Departamenti i Mbrojtjes: gjithçka, që nga avionët e deri tek letrat. Sipas ligjit, çdo blerje në Pentagon duhet të jetë e hapur për ofertat publike. Dhe nën administratën e Bushit, bizneset e vogla si AEY kishin të garantuar një pjesë në marrëveshjet e armëve. Diveroli nuk ishte e nevojshme që të kishte një produkt për të ofruar. Ai thjesht do ndërmjetësonte marrëveshjet, do gjente çmimet më të ulëta dhe do të nxirrte jashtë lufte konkurrentët. Gjithçka duhej të bënte ishte që të fitonte një thërrmijë nga miliardat që jep Pentagoni për armë çdo vite dhe ai do ishte milioner. Por Diveroli kërkonte më shumë se kaq: ambicia e tij ishte që të bëhej tregtari më i madh i armëve në botë- një Adnan Khashoggi i ri, një Viktor Bout adoleshent.

Për të hyrë në lojë Diveroli e dinte që duhej të merrej me kriminelë lufte, trafikantë, mercenarë, diplomatë të shitur e me njerëz që kanë armët gati për gjithçka. Tregu gjigant ishte hapur pas Luftës së Ftohtë. Për dekada të tëra, armët ishin grumbulluar në Ballkan dhe në Europën Lindore për tu përgatitur ndaj kërcënimit që vinte nga Perëndimi, por tani tregtarët e armëve po shisnin gjithçka për ofertuesin më të lartë. Pentagoni kishte nevojë për akses në këto tregje të reja për të armatosur policinë e ushtrinë në Irak e Afganistan. Por problemi është se nuk mund të hynte në këtë botën të nëndheshme vetë. Duheshin disa masha për të bërë këtë punë të pisët- kompani si AEY. Rezultati ishte një erë e re paligjshmëria. Sipas një raporti të Amnesty International “Dhjetëra miliona fishekë nga Ballkani dërgoheshin në mënyrë klandestine në Irak nga një rrjet sekserësh privatë nën mbikëqyrjen e Departamentit të Mbrojtjes”.

Ky ishte ai tregu gri kur Diveroli kërkonte të penetronte. Ndërsa ishte akoma adoleshent, ai mori me qera një dhomë në një shtëpi në pronësi të një familje hispanike në Miami dhe nisi punën me një laptop. Konkurrentët e tij ishin emra të mëdhenj si Lockheed dhe BAE Systems. Ata kanë departamente të tëra që punojnë për të shitur armë tek Pentagoni, por Diveroli kishte avantazhet e tij: ofertat e ulëta, oreksin për rrezik dhe ambicien e fortë.

Që në fillim ai u specializua për kontrata të vogla si helmeta e municion për forcat speciale. Ishin kontrata të vogla, por i duheshin atij për të krijuar një performancë- shumë e nevojshme për Pentagonin në rast se do jepte një kontratë më të madhe. Diveroli mori financime nga një mormon me emrin Ralf Merrill, një prodhues armësh nga Utah, që kishte punuar për babain e tij. Pa kaluar shumë kohë, Diveroli po fitonte kontrata me Pentagonin.

Ashtu si të gjithë djemtë e tjerë që thithnin bashkë hashash, edhe Packouz e dinte që Diveroli ishte bërë tregtar armësh. Diveroli vdiste që të tregonte se sa shumë para po bënte dhe thashethemet u përhapën shumë shpejt për kontratat e majme që po fitonte.

Një mbrëmje, Diveroli e mori Packouz në Mercedesin e tij dhe të dy i nisën për një festë të shfrenuar. Diveroli ishte i lumtur me kontratën që sapo kishte lidhur prej 15 milion dollarësh për të shitur armë të vjetra ruse për Pentagonin, që do dërgoheshin për ushtrinë irakiane. Ai e mbushi Packouzin me përralla për mënyrën se si e kishte fituar kontratën, sa para kishte bërë dhe sa shumë do të bënte.

“Plako, kam aq shumë punë sa kam nevojë për një partner,” tha Diveroli. “Është një biznes i madh, por kam nevojë për një djalë që të vijë bashkë me mua dhe të bëjmë para bashkë.”

Packouz u intrigua. Vetë po merrej me disa biznese online. Merrte materiale tekstile nga Pakistani dhe i shiste për infermieret në Miami. Shuma që bënte ishte e vogël- një ose dy mijë dollarë- por eksperienca i kishte hapur oreksin.

“Sa pare ke bërë plako,” e pyeti Packouz.

“Tmerrësisht shumë,” i tha Diveroli.

“Sa?”

“Ky është një informacion konfidencial,” tha Diveroli.

“Plako, nëse do largoheshe nga vendi nesër, sa do mund të merrje me vete?”

“Cash?”

“Të thata”

Diveroli hapi krahun dhe u kthye me shikim nga Packouz. “Plako, do të të tregoj,” tha ai. “Por vetëm për të të inspiruar”. Bëri një pauzë dhe më pas tha: “Kam 1.8 milionë dollarë në cash”.

Packouz shikonte si i shastisur. Ai priste që Diveroli të thoshte nja 100 mijë dollarë, ndoshta më shumë. Por rreth 2 milionë dollarë?

“Plako,” vetëm kaq mundi të thoshte Packouz.

Packouz nisi që të punojë me Diverolin në nëntor të vitit 2005. Titulli i tij ishte financier ekzekutiv. Ai do të paguhej tërësisht në bazë të komisioneve. Ata punonin në një apartament 1 plus 1, marrë me qera nga Diveroli në Miami Beach. Uleshin përballë njëri- tjetrit në tavolinë në dhomën e ndenjies, ndërsa ishin të rrethuar nga kontrata federale dhe një mal me hashash. Shumë shpejt ranë në një rutinë: zgjoheshin, visheshin, vinin në punë dhe nisin tregtinë.

Packouz po merrte mësime të rralla. Ai shihte se si Diveroli fitoi një kontratë të majme për të furnizuar më armë ushtrinë kolumbiane, por nuk ishte i kënaqur- ai kërkonte gjithmonë e më shumë. Në një rast ai bindi Pentagonin që të dërgonte helmeta të një cilësie të dobët kineze për ushtrinë irakene. Mbi të gjitha, ai nuk është se po blinte armë dhe helmeta për ushtarët amerikanë. Ata që do i merrnin ato ishin të huaj e askush nuk kishte ndërmend t’i binte pas kësaj pune.

Blerësit e Pentagonit ishin ushtarake më pak ose aspak dije nga fusha e biznesit dhe Diveroli dinte shumë mirë si të fitonte mbi ta me një përzierje të sharmit, patriotizmit e madje edhe të një kulture ushtarake. Në raste të veçanta hiqej edhe si kolonel apo gjeneral.

“Kur përpiqej të fitonte një kontratë, ishte totalisht bindës. Por nëse po e humbiste kontratën, zëri niste e i dridhej. Thoshte se po shkatërronin një biznes të vogël, edhe pse kishte miliona në bankë. Thoshte se nëse marrëveshja dështonte, ai do të falimentonte. Do humbiste shtëpinë. Gruaja e fëmijët do mbeteshin pa bukë. Gati sa nuk ia niste të qante. Nuk e di nëse ishte psikike apo aktrim, por ai absolutisht e besonte atë që thoshte.”

Mbi të gjitha Diveroli kujdesej për frazën fundore. “Efraimi ishte republikan për shkak se ata kishin nisur më shumë luftëra,” thotë Packouz. “Kur Shtetet e Bashkuara pushtuan Irakun, ai ishte i lumtur. Më tha: “A mendoj se Bush po bën gjënë e duhur duke pushtuar Irakun? Jo. Por jam jashtëzakonisht i lumtur”. Ai shpresonte që të pushtoheshin sa më shumë vende për shkak se do bënte biznes të mirë.”

Atë pranverë, kur protestat masive shpërthyen në Nepal, Diveroli në mënyrë të shfrenuar nisi që të mblidhe armë për t’ia shitur mbretit të Nepalit për të mposhtur rebelimin- armë të rënda, helikopterë, municione. “Efraimi e quajti “Projekti për të shpëtuar Mbretin”, por nuk i plaste fare për mbretin,” thotë Packouz. “Paraja ishte ajo që i interesonte- as sporti dhe as politika. Do bënte gjithçka për para.”

Diveroli ishte bërë mjeshtër i kontratave. Nuk lexonte kurrë një libër a një revistë, nuk shkonte kurrë në kinema, gjithçka bënte ishte se zhytej në dokumenta të qeverisë e shikonte për një rrugë, për një kënd.

“Imazhi që kishte Efraimi për veten ishte ai i një tregtari modern i vdekjes,” thotë Packouz. Ai ishte gati të shkonte dhëmb për dhëmb me ushtarakë, gangsterë të Europës Lindore, drejtues të kompanive më të mëdha në botë. Nuk e çantë kokën fare. Do përplasej me ta e do fitonte. Po e ndiqja në hapat e tij. Më tha se do bëhesha milioner brenda tre vitesh. Ma garantoi një gjë të tillë.”

Fillimisht Packouz nisi të bënte vetë kontratat e para. U fiksua në një kontratë prej 8 milionë dollarësh për të furnizuar me fuoristrada Pakistanin, por humbi. Më pas fitoi një kontratë për të furnizuar me karburant një bazë ushtarake në SHBA.

Njëherë në javë dilnin në klubet e natës. Në karioke Packouz këndonte muzikë të ndjeshme, kurse Diveroli lëshohej në balada force dhe himne. Mes këngëve ata merrnin ndonjë dozë kokainë. Packouz ishte i turpshëm me vajzat, por Diveroli ishte krejt i drejtpërdrejtë, madje ndonjëherë i gjuante vajzat në sy të të dashurve të tyre.

Në disa raste kontratat nuk shkonin siç duhej siç ndodhi edhe me furnizimin me pistoleta Bereta për ushtrinë irakiane.

Halla e Diverolit u bashkua me ta, duke i ndihmuar në çështje administrative. Ajo nuk e aprovonte përdorimin e drogës nga ana e tyre, dhe në një rast ajo foli hapur në telefon sikur ata të mos ishin aty.

“Mbaji mend fjalët e mia,” i tha ajo mamasë së Diverolit në telefon, “Djali yt do përplaset dhe do të digjet.”

“Qepe,” i tha Diveroli. “Ti nuk e di se çfarë po flet. Unë kam bërë miliona vitin që shkoi.”

“Do përplasesh e do digjesh, mbaji mend fjalët e mia,” i tha sërish halla.

(VIJON NESER)

3 komente në “Tregtarët drogaxhinj të armëve”

  1. mendimi_im says:

    Biznesi i armeve nuk ecen nese ka paqe.
    Automatikisht duhet shkaktuar diku lufte qe biznesi i armeve te eci mbare.
    ——–
    Historia e ketij djali pak si e trilluar, nuk ta mbush menjen biles kjo histori tregohet ne ate menyre sikur duan te humbasin gjurme qe vete pentagoni, ambasada ketu ne tiran dhe vete ministrat shqiptar jan “inside job”

    Tani na tregojn perralla me borebardhe dhe me xhuxha sikur ne e hajm tani, dhe sikur gjoja pentagoni eshte i paster ne kete mes.
    Si u mashtrokan agjendet me te zgjuar te pentagonit nga nje 21 vjecar?
    Ska mundesi.

    Ky djali 21 vjec ka qene vetem se nje karrem. Ky kalama eshte, menjen per coca cola dhe maruane mund ta kete por ku ka tru ky ber te bere lojra te medha…

  2. raimondi says:

    Diverolin direkt beje President te Shqiperise –se qenka tamam Inteligjent –Ose me mire te behet Kryetari i opozites se ja merr Edit 100 here, se di te planifikoje dhe te beje arsyetime me te vertete me common sense, –cka Edi Rama s’e ka haberin fareeeee

    hahahaahahahaha –Me kenaqi Diverolli –Tamam djale Inteligjent nga menyra se si Arsyeton per te fituar ne Biznes ——-Me te vertete Brilant ne cdo aspekt .

    Kete qe beri Diveroilli eshte e vertete.
    Atehere u skandalizau Kongresi american kur e e mori vesh qe kishte bere kontrate me Diverollin, dhe Kontrata u anulluae vetem e vetem sepse ky ishte moshe shume e re …..

  3. beso says:

    Hajde te lexojme humor,s’kemi çbejme!Diveroli ose ishte karrem,ose ishte gishti,se dora eshte shume e madhe per tu dukur.300 milione$ tender,a thua se ne Amerike po te kesh dy grame ne tru behesh pasanik duke pire cigare.

Comments are closed.

Lini një Përgjigje