1.5 milion euro për vetura luksoze

22 Mars 2011, 11:59Politika TEMA

Institucionet e Kosovës nuk heqin dorë nga luksi i tepruar as këtë vit, përkundër gjendjes së rëndë ekonomike me të cilën po përballen qytetarët e vendit. Pavarësisht se mijëra vetura zyrtare janë në dispozicion të institucioneve vendore, ato edhe në buxhetin e këtij viti kanë paraparë shuma të majme për blerjen e veturave të reja.

Shpenzimi i parasë publike për vetura luksoze kritikohet ashpër nga përfaqësuesit e shoqërisë civile në vend dhe ekspertët e ekonomisë, të cilët thonë se gjysma e popullatës përballet me mungesë të ushqimit të mjaftueshëm, ndërsa klasa politike abuzon me fonde publike.

Sipas projektbuxhetit të vitit 2011, të cilin e ka miratuar Qeveria e Kosovës, shihet se vetëm niveli qendror gjatë këtij viti do t’i shpenzojë rreth 1.5 milionë euro për blerjen e veturave të reja. Kosto e përafërt e shpenzimeve për qëllime të njëjta parashihet edhe në buxhetin e vitit 2012 dhe 2013.

Hiç më pak se rreth 350 mijë euro për vetura do të shpenzojnë Ministria e Financave, bashkë me Doganat dhe Administratën Tatimore të Kosovës.

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës për blerjen e veturave për misionet diplomatike këtë vit do t’i shpenzojë më se 309 mijë euro, 200 mijë euro në vetura do t’i shpenzojë edhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës për nevoja të gjykatave.

Përfaqësuesit e zgjedhur nga vota e popullit në Kuvend, deputetët, do t’i shpenzojnë 130 mijë euro për të njëjtin qëllim. Agjencia Kosovare e Pronës do t’i shpenzojë 100 mijë euro për vetura, Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale 80 mijë euro dhe Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa për blerjen e një veture i ka paraparë 20 mijë euro buxhet këtë vit.

Shoqëria civile ka reaguar duke thënë se në kohën kur Kosova po përballet me varfëri të skajshme, Qeveria po keqpërdorë paratë e po këtij populli.

Avni Zogiani nga organizata për dinjitet dhe antikorrupsion “Çohu” thotë se Kosova ka arritur në pikën kritike të varfërisë, ku gjysma e popullsisë jeton në varfëri, ndërsa në anën tjetër institucionet nuk e ndalin luksin duke abuzuar me fonde publike.

“Qeveria e Kosovës ka një kosto më të lartë se secila qeveri në rajon. Politika kosovare krejtësisht është shkëputur nga mbrojtja e interesit të qytetarit. Në vend se me u mundue me i racionalizuar shpenzimet, tek ne po ndodh e kundërta, ato po rriten për luks të pushtetarëve”,tha ai.

Sipas tij, nga papërgjegjësia e politikës Kosova po përballet me një gjendje të rëndë sociale e ekonomike, ngase, siç thotë ai, gjysma e popullatës nuk kanë bukë të mjaftueshëm, ndërkaq një numër i vogël keqpërdorin djersën e tyre duke bërë luks të tepruar.

Ramadan Ilazi, drejtor ekzekutiv i Lëvizjes FOL, thotë se neni 120 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës thekson se shpenzimet publike dhe mbledhja e të hyrave

publike duhet të bazohen në parimet e llogaridhënies, efektshmërisë, efikasitetit dhe transparencës. Sipas tij, Qeveria e Republikës së Kosovës në vazhdimësi ka dështuar t’i përmbahet këtij neni të Kushtetutës.

“Është e dhimbshme që sektorë të tjerë, si Gjyqësori, Shëndetësia dhe Arsimi nuk e kanë të njëjtën vëmendje financiare, sikurse vetë qeveria”, thotë ai. Ilazi ka shtuar se buxheti për Gjyqësorin është diku rreth 1.6% e buxhetit total të vendit, kjo nuk është në përputhje me deklaratën e Qeverisë se sundimin e ligjit e ka prioritet. Sipas tij, ka mungesë të transparencës dhe pjesëmarrjes cilësore nga Shoqëria Civile dhe hisedarë të tjerë në procesin e ndarjes së buxhetit të shtetit.

Lumir Abdixhiku, drejtor i institutit “Riinvest” në Prishtinë thotë se në vazhdimësi kryeministri, Hashim Thaçi, ka deklaruar se do të zvogëlohen mjetet për mallra dhe shërbime për vitin 2011, por sipas tij, një gjë e tillë nuk po ndodh.

Përkundrazi, në këto kategori ka rritje të buxhetit. Ai thotë se është koha e fundit që qeveritarët të heqin dorë nga luksi i tepruar.

“Luksi vazhdon të jetë pjesë e qeverisë, përkundër nevojave të mëdha që kanë qytetarët e Kosovës. Më shumë se 700 mijë kosovarë jetojnë me më me pakë se 1,4 euro në ditë, ndërsa institucionet e vendit i ndërrojnë veturat e tyre çdo vit”, tha ai.

Sipas tij, ulja automatike e shpenzimeve për mallra dhe shërbime është domosdoshmëri, sepse, siç thotë ai, Kosova po futet në krizë të thellë ekonomike.

Qeveria e Kosovës është në presion të vazhdueshëm edhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar për shkak të vendimit për rritje pagash për shërbyesit civilë deri në 50%, ndonëse marrëveshja e arritur mes këtyre institucioneve ishte që pagat këtë vit të rriten prej 7-8%.

Shpenzimet për vetura

Ministria e Financave= 180, 231 euro

Dogana= 100, 000 euro

ATK = 67,400 euro

Kuvendi i Kosovës = 130 000

Ministria e Punëve të Jashtme =309 000 euro

Ministria e Punëve të Brendshme= 180 000 euro

Këshilli Gjyqësor i Kosovës= 200 000

Agjencia Kosovare e Pronës = 100 000

Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale= 80 000

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa =20 000

Lini një Përgjigje