Alfred Moisiu: Korrupsioni ka fituar pushtet dhe pandëshkueshmëri

29 Mars 2011, 18:44Politika TEMA

Ish-Presidenti Alfred Moisiu flet për gazetën  “TEMA”. Si e sheh ai situatën aktuale në prag të zgjedhjeve, çfarë duhet të bëjë politika për të zgjidhur krizën politike dhe si e sheh ai problemin e korrupsionit në qeverisje dhe sjelljen e drejtësisë ndaj këtij fenomeni

Bisedoi: Luljeta Progni

Alfred Moisiu nuk e mbylli karrierën e tij politike me katër vitet e presidencës që për hir të së vërtetës ishin jo të qeta për të dhe për politikën. Ai sheh me hidhërim se si politika i ka lidhur “këmbët” pasardhësit të tij Bamir Topi me anë të ndryshimeve kushtetuese të bëra në prill 2008. Sipas tij këto ndryshime e kanë bërë rolin e presidentit të parëndësishëm, ndërsa kryeministrin e kanë kthyer në një kryeministër të fortë dhe të pazëvendësueshëm. Moisiu fajëson klasën politike për krizën aktuale politike dhe thotë se ajo s’ka vullnet për ta zgjidhur këtë krizë, dhe aq më shumë të arrijë ndonjë marrëveshje për zgjedhjet e ardhshme, në mënyrë që ato të jenë të lira e të ndershme. Ndërkaq presidenti Moisiu mban qëndrim të qartë për 21 janarin. Ai dënon vrasjen e katër qytetarëve në Bulevardin përballë Kryeministrisë. Moisiu, një ish-ushtarak, dënon këtë akt që bëri Garda e Republikës duke shtuar se asgjë nuk e justifikon marrjen e katër jetëve të pafajshme. Moisiu pranon të prekë dhe kohën kur ai ishte president dhe konfliktet që kishte në atë kohë me dy krahët e politikës. Sipas tij, asnjëri prej dy kryeministrave me të cilët punoi, Sali Berisha dhe Fatos Nano, nuk arritën ta kuptonin. Ndër të tjera presidenti Moisiu bën një deklaratë të dhimbshme. “Demokracia shqiptare është fëminore”, thotë ai duke pranuar se nga ky konstatim vijnë gjithë të këqijat. Nga ky konstatim duket e qartë dhe mungesa e besimit për zgjedhje të lira më 8 maj. Moisiu thotë se janë bërë zgjedhje të lira më 1992 e 1994 e më pas nuk ka ndodhur një gjë e tillë. Më tej, duke e cilësuar korrupsionin një plagë të madhe të qeverisjes, ai konstaton se korrupsioni është i veshur me pushtet dhe drejtësia nuk funksionon deri në atë pikë sa ta mundë atë.

Zoti president, vitet e qëndrimit tuaj në presidencë nuk ishin të qeta dhe për shkak të rolit tuaj u bëtë protagonist në jetën politike në vend. Pas largimit nga detyra më e lartë e shtetit, vazhdoni të jeni një vëzhgues i hollë  i politikës. Nëse do të bënit një bilanc të punës suaj në Presidencë, bilanc që besojmë se e keni bërë shpesh me veten, çfarë do të donit të ndryshonit, të bënit më mirë?

Ju falenderoj për vlerësimin dhe pyetjen. Më duhet t’u them se për këto probleme unë kam folur shumë gjatë në librin tim “Midis Nanos dhe Berishës”, kështu që e quaj të tepërt të përsëris veten me përgjigjen që kërkoni. Megjithatë po ju them diçka, për të cilën jam deklaruar  kohët e fundit në një emision televiziv, nuk e di pse por asnjëri nga të dy kryeministrat, me të cilët pata rastin të punoja, nuk më kuptuan. Në punën time unë u përpoqa t’i shërbej vendit tim, të jem konseguent në zbatimin e ligjeve dhe të Kushtetutës, të ndikoj maksimalisht në ndërtimin e shtetit shqiptar, të përshpejtoj proceset e integrimit në NATO dhe në BE. Pra nuk kisha asgjë që përfaqësonte politikat ose pikëpamjet e ndonjë force politike ose ato personale, aq më tepër në raportet me kryeministrat jam përpjekur të jem sa më i përpiktë dhe i gatshëm për bashkëpunim, pra nuk kam patur asgjë personale. Për fat të keq duhet të them që gjërat nuk shkuan ashtu sikurse do të kisha dëshiruar.

Do të mbaheni mend si presidenti që i thoshte gjërat troç dhe pse krijonte konflikt me palët politike, më së shumti me të djathtën, e cila doli hapur kundër jush. Po tani si janë marrëdhëniet tuaja me partitë politike, ose me liderët e tyre më saktësisht?

Ju thashë se në zbatim të detyrës time nuk kam pasur asgjë personale me askënd, edhe kur më kanë sulmuar e dëmtuar jam përpjekur që gjërat t’i trajtoj në mënyrë sa më ligjore dhe transparente. Që nga viti 1992 deri në 1997-n kam qenë pjesë e qeverisë së djathtë. Gjatë asaj kohe dhe në vazhdimësi jam përpjekur të bëja më të mirën, në zbatim të detyrave të mia. Jam propozuar si President nga Zoti Berisha, pra nuk kisha asnjë arsye të dilja kundër së djathtës, por në të njëjtën kohë nuk s’mund t’i shmangesha betimit tim solemn para Kuvendit të Shqipërisë si dhe para popullit tim, se “..do t’i bindesha Kushtetutës dhe ligjeve të vendit……..dhe do t’i shërbeja interesit të përgjithshëm dhe përparimit të Popullit Shqiptar”. Rrjedh nga një familje që i ka shërbyer vendit edhe në kohërat më të vështira, por gjithmonë jam edukuar që të jem i përpiktë me ligjet e shtetit. Po ashtu edhe formimi im profesional ka qenë i të njëjtës linjë. Këto bindje dhe cilësi të miat ja u bëra prezent në moment, përfaqësuesve të politikës shqiptare që më propozuan të vë kandidaturën për në krye të shtetit. Pra secili le të mbajë përgjegjësitë e veta. Gjatë kohës së ushtrimit të detyrës Kushtetuta më kërkonte që të isha mbi palët, gjë të cilën e kam zbatuar plotësisht dhe me shumë përgjegjësi, ashtu si edhe tani përpiqem të kontribuoj pa u bërë politikisht palë me askënd, veçse me popullin tim.

Zoti Moisiu, pasardhësi juaj, Bamir Topi u zgjodh ndryshe nga ju si një president mirëfilli politik i votuar nga vetëm një forcë politike. Si e gjykoni qëndrimin e tij në krye të shtetit, a është ai një president politik, që përfaqëson vetëm një forcë politike?

Kushtetuta e detyron Presidentin të jetë mbi palët, pavarësisht sesi zgjidhet. E di që në kushtet e vendit tonë dhe të synimeve të politikës kjo nuk është dhe aq e thjeshtë, por jo e pamundur. Presioni politik mbi Kryetarin e Shtetit tek ne është i paparë, sepse në qoftë se merr vendime, megjithëse kushtetuese por që bien ndesh me interesat e një force politike , nuk është e vështirë të anatemohesh dhe të marrësh lloj -lloj epitetesh. Mendoj se nuk ka njeri që në punë nuk bën gabime, nisur nga ky postulat gjykoj se pasardhësi im, zoti Topi është përpjekur që në kushtet tona të bëj më të mirën e mundshme.

Ashtu siç ju u ndodhet në vitin 2007 para një krize politike në prag të zgjedhjeve vendore, zoti Topi ndodhet para një krize politike të zgjatur në prag të zgjedhjeve vendore të majit. Çfarë do ti këshillonit pasardhësit tuaj të vepronte në këto momente? Sipas jush a ka diçka që duhet të bëjë një kryetar shteti kur e sheh që politika nuk po gjen rrugën e konsensusit, sa kompetenca ka ai për të ndërhyrë?

Bashkë me presidentin Meidani kemi pasur kontakte me Presidentin Topi dhe ia kemi shfaqur mendimet përkatëse. Mendoj se puna nuk qëndron thjesht tek Presidenti. Është shumë e rëndësishme sa e përgjegjshme dhe sa e disponueshme është politika shqiptare të ndajë mendimet dhe përgjegjësitë me Kryetarin e Shtetit, për zgjidhjen e situatave dhe krizave që ndodhin tek ne. Sigurisht Presidenti, i cili përfaqëson  unitetin e popullit (neni 86 i Kushtetutës), në emër të ruajtjes së këtij uniteti duhet dhe mund të ndërhyjë për të parandaluar ose zgjidhur krizat e mundshme, por gjithmonë duke pasur edhe mbështetjen e politikës. E drejta morale e Kryetarit të Shtetit  për ta ruajtur këtë kërkesë, në kushtet e një demokracie funksionale, është e fuqishme dhe duhet të gjejë përkrahje dhe mirëkuptim nga ata që janë të vendosur t’i shërbejnë popullit të tyre.

A është pikërisht dita kur u ndryshua Kushtetuta, ku dhe u cenuan kompetencat e presidentit, një lëvizje negative që cenoi balancën midis institucioneve në Shqipëri?

Që në fillim, jam deklaruar kundra kësaj ngjarje, duke e konsideruar këtë si një veprim të gabuar dhe të dëmshme për demokracinë tonë të brishtë, të cilën pa ngurim do ta emërtoja një “demokraci ende fëminore”. Për këtë arsye në atë kohë e mbështeta edhe grevën që bëri LSI-ja si dhe lëvizjen për të kërkuar një referendum popullor mbi këtë çështje. Mbeta i befasuar sesi brenda një nate, me aq lehtësi mundi të ndryshohej ligji themeltar i shtetit, pa i paraprirë asnjë diskutim dhe gjykim me specialistë të fushës dhe me politikanë. Ndryshimet ishin të shumta dhe mjaft thelbësore. Ndër ta po kujtoj dy, e para presidenti tani mund të zgjidhet në raundin e tretë me shumicë të thjeshtë, kur avokatin e popullit e zgjedhim me shumicë të cilësuar. Kështu presidenti e kemi kthyer në një nënpunës të shumicës në pushtet. Është e vërtetë që në Evropë ka dhe vende të tjera që e zgjedhin kryetarin e shtetit po në atë mënyrë, por mos harrojmë nivelin që ka demokracia dhe politika në ato vende. Jo më kot, të gjithë vendet e ish Lindjes presidentin e zgjedhin direkt nga populli. Përjashtim bëjnë Hungaria dhe Çekia, por dihet që këto vende kanë një demokraci  të konsoliduar. Kështu e ka pasur edhe Sllovakia, por pas zgjedhjes së Presidentit të parë, nisur nga ngërçet që krijoheshin, ata e ndryshuan Kushtetutën duke bërë më tej zgjedhjen nga populli. Me kushtetutën e sotme, nëse Presidenti do të vendoste të përdorte presionin maksimal ndaj politikës, duke kërcënuar me dorëheqje, kjo mund të shkaktonte kënaqësi dhe aspak presion, sepse menjëherë ai mund të zëvendësohet pa vështirësi me një tjetër. Por tani edhe Kryeministri është kthyer në një figurë të paprekshme, sepse mënyrat dhe rregullat sesi mund të bëhen mocionet  janë vështirësuar së tepërmi dhe praktikisht kryeministri është kthyer në një figurë të paprekshme. Në këtë mënyrë balanca e pushteteve është cenuar rëndë dhe nuk lejon veprime energjike për ruajtjen e demokracisë. Këto ndryshime, e kanë çuar “Forumin Civil 2010” të mendojë për të shqyrtuar dhe propozuar një reformë të studiuar kushtetuese. Një nga këto ndryshime mendojmë se do të ishte që presidenti të zgjidhet direkt nga populli. Kështu si kanë ardhur punët tek ne, zgjedhja e kryetarit të shtetit, personit më të rëndësishëm në piramidën shtetërore, është kthyer në një pazar politik. Kurse vendit i duhet një President, i cili të jetë në gjendje t’i parandalojë krizat dhe në rast se ato lindin të jetë në gjendje t’i zgjidhë ato shpejt. Boll po vazhdojmë të qëndrojmë nën sqetullën e Evropës, ka ardhur koha të ecim me këmbët tona, ndryshe ta harrojmë se do të na pranojnë.

Zoti president, ngjarja e 21 janarit ka tronditur shumë opinionin publik shqiptar dhe atë botëror për shkak se një demonstratë opozitare përfundoi me katër të vrarë pranë kryeministrisë, ndërsa opozita u akuzua për puç shteti. Si e shihni ju 21 janarin?

Kam dhënë disa herë mendim për atë ngjarje tragjike dhe të tmerrshme që ndodhi atë ditë në Tiranë, ku humbën jetën katër të qytetarë shqiptarë të pafajshëm. Jam shprehur dhe i qëndroj mendimit që sulmi ndaj institucioneve shtetërore për mua është i padëshiruar dhe i gabuar, por jam për zhvillimin e manifestimeve popullore, për të shfaqur mosmiratimin ose indinjatën me veprimet e pushtetit, ashtu sikurse ndodh në të gjitha vendet e demokracisë europiane. Pavarësisht nga dhuna e protestuesve, në asnjë mënyrë nuk mund të justifikohet dhe pranohet vrasja e njerëzve, organet e rendit dhe të gardës të mbrojnë institucionet me mjetet që lejon ligji, ashtu si në gjithë Evropën. Por nuk mund të pranohet si akt heroik vrasja e civilëve të paarmatosur, sikurse nuk mund të pranohet mos zbatimi i vendimeve të prokurorisë. Një veprim i tillë bie ndesh me Kushtetutën dhe shkel dhunshëm balancën e pushteteve. Ngjyrosja e ngjarjeve të asaj dite si grusht shteti është një version tepër qesharak, që nuk e pranojë askush. Dihet nuk mund të bëhet grusht shteti me çadra, pa pjesëmarrjen e ndonjë force të armatosur, këto gjëra njihen më së miri, nuk kanë nevojë për shfletim të enciklopedisë.

Korrupsioni është një ndër problemet kryesore me të cilat po vazhdon të haset politika shqiptare. Në kohën kur ju drejtuat shtetin shqiptar, në cilat nivele ishte korrupsioni krahasuar me situatën aktuale, dhe çfarë ju mundët të bënit për ta ndaluar, apo çfarë do të mund të bënit aktualisht? Duke mbetur në këtë fushë, mediat kanë publikuar disa detaje që dëshmojnë për nivel shumë të lartë të korrupsionit në nivelet më të larta të politikës dhe qeverisë shqiptare. Ndërkohë prokuroria ka nisur hetimet për disa prej tyre. Mendoni se do të ketë ndëshkim për të akuzuarit, dhe si e shikoni rolin e prokurorisë në këtë drejtim?

Që korrupsioni tek ne është në nivele shumë të rrezikshme kjo dihet dhe është vërtetuar në të gjitha sondazhet, pa folur për vlerësimet që janë dhënë nga organizmat e ndryshme ndërkombëtare. E keqja është se ne duam ta luftojmë korrupsionin vetëm me fjalë dhe pa masa konkrete. Deri tani, me gjithë ato që kanë ndodhur nuk kemi asnjë personalitet të lartë shtetëror prapa hekurave, që të japë llogari për dëmet që i janë bërë ekonomisë së vendit. Kjo kështu ka qenë në kohën e qeverisë socialiste, akoma më e rënduar është bërë në kohën e tanishme. Arsyeja kryesore nuk është vetëm ndërgjegjja e kalbur e pushtetarëve, por edhe ngurrimi e paaftësia e organeve të drejtësisë. Këto organe vazhdojnë të mbahen nën tutelën e politikës, si duke i bërë presione nga më të mundshmet ashtu edhe duke vendosur në to njerëz të kompromentuar dhe besnikë të politikës. Kështu është vendosur në fron “pandëshkueshmëria”, që është gjëja më e rëndë. Mund të bësh ç’të duash, mjafton të kesh mbulesën e të madhit dhe nuk të gjen gjë. Politika mburret me ndonjë polic ose komunar të shkretë, që edhe ata duhen vënë para përgjegjësisë, por nuk e vret mendjen për të ndëshkuar ata që abuzojnë milionat e taksapaguesve shqiptarë. Mendoj se puna kryesore që duhet bërë është të vendoset drejtësia në pozita ligjore dhe të pakorruptueshme. Kjo sigurisht që është e mundshme, por kërkon një tërmet ne drejtësi dhe një mirëkuptim të gjithë politikës për të mbështetur gjallërimin e saj. Kam frikë se politikanët e sotëm e kanë të vështirë ta realizojnë këtë. Pra duhet një ndryshim rrënjësor edhe në politikë.

Prej 20 vitesh tranzicion, politika shqiptare ka ecur nëpër rrugën e konfliktit të vazhdueshëm, cilët mendoni se janë përgjegjësit për këtë situatë. A janë krerët e politikës, apo ka faktorë të tjerë që mbajnë peng Shqipërinë në një situatë tranzicioni të vazhdueshëm?

Pa dyshim që përgjegjësit kryesorë të kësaj situate janë krerët e politikës shqiptare, të cilët deri tani kanë udhëhequr një politikë më shumë në interes të tyre, të klaneve dhe të partive të tyre, pa patur parasysh interesat e vendit dhe të tërë popullit shqiptar. Është fakt, se që nga viti 1991, në tërë rajonin, në krye të forcave politike kryesore janë bërë ndryshime të rëndësishme, të cilat kanë sjellë si pasojë edhe ndryshime cilësore në bërjen dhe drejtimin e politikës. Është e vështirë të presësh ndryshime cilësore dhe reduktim të periudhës së tranzicionit, për deri sa tek politikanët tanë predominon logjika dhe vullneti për të mbajtur pushtetin me çdo kusht ose për ta marrë atë me çdo kusht. Dhe çelësi këtu qëndron tek realizimi i zgjedhjeve të ndershme, që për fat të keq ne ende nuk i kemi arritur standardet e kërkuara.

Si e parashikoni zhvillimin e zgjedhjeve vendore të 8 majit. Mendoni se do të ketë një proces të lirë dhe të ndershëm zgjedhor, duke patur parasysh situatën e acaruar politike në prag të fushatës?

Para se t’i përgjigjem kësaj pyetje, do të dëshiroja të vë në dukje se ne në vitet 1992 dhe 1994 kemi bërë zgjedhje të lira dhe të ndershme, ndërsa duke filluar nga viti 1996, për çudi harruam të bëjmë zgjedhje sipas standardeve. Kjo që thashë tingëllon paradoksale, por në fakt është një realitet. Çfarë ka ndodhur, që në vend të shkojmë përpara, kemi bërë hapa prapa?! Shyqyr Zotit nuk kemi pasur ndonjë ç’vendosje të territorit tonë nga ndonjë tërmet, sikurse pati Japonia, atëhere ç’ka ndodhur? Gjykoj se ajo që ka ndodhur është se janë ç’vendosur vullnetet politike të politikanëve tanë, të cilët kanë filluar të udhëhiqen nga disa parime, që përmenda më sipër, që do t’i quaja aspak demokratike. Ndoqa zhvillimin e tryezës së partive të realizuar më 29 mars, ishte një gjë pozitive që më në fund u ulën për të biseduar, megjithëse ju desh Lajçekut të vinte tre herë në Tiranë, por nuk vura re aq vullnet sa duhet për t’u marrë vesh. Pra pa vullnetin e duhur politik është vështirë të presim zgjedhje të mira me 8 maj. Partitë duhet ta kuptojnë se situata kërkon zgjidhje të problemeve me lëshime reciproke, vetëm kështu mund të arrihet të kemi zgjedhje sipas standardeve. Është tepër e rëndësishme që të demonstrohet dëshira konkrete për të dalë nga ngërçi i krijuar, dhe të zgjidhen të gjitha problemet dhe shqetësimet që kanë partitë, ndryshe ka mundësi që pas këtyre zgjedhjeve të kemi një krizë akoma më të rëndë.

Lini një Përgjigje