Ruçi: PS, pro propozimit të PD-së, nëse bëhet transparenca e zgjedhjeve

29 Mars 2011, 09:49Politika TEMA

Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, gjatë një tryeze të organizuar nga mazhoranca për zgjedhjet, ka thënë se opozita është në parim dakord me propozimet e mazhorancës për zgjedhjet. Megjithatë, sipas Ruçit, opozita do ta pranojë marrëveshjen vetëm nëse bëhen disa ndryshime të sugjeruara nga kjo e fundit.

Kushti kryesor, sipas Ruçit, është transparenca pas zgjedhjeve, e cila tashmë është kthyer në një kauzë të vërtetë për opozitën, pas mungesës së transparencës për zgjedhjet e 28 qershorit.

Sipas Ruçit, problemi i dytë që duhet të përfshihet në marrëveshje, është edhe transparenca e listave të zgjedhësve, të cilat janë pikë kyçe për zhvillimin e zgjedhjeve.

“Listat janë një pikë kyçe për zhvillimin e zgjedhjeve dhe ka shenja të dukshme për një deformin të këtyre listave dhe në tërësi të gjithë procesit. Ka dublime në lista dhe ka të dhëna të plota se janë regjistruar persona edhe pas afatit përfundimtar të publikimit të listave” theksoi Ruçi.

Disa nga pikat e tjera që duhet të përfshihen në marrëveshje, sipas Ruçit, janë përdorimi i makinave verifikuese për letërnjoftimet elektronike, rikthimi i ligjshmërisë së KQZ, kthimi i vendimeve me shumicë të cilësuar sipas kodit zgjedhor dhe kthimi i vendimeve me shumicë të cilësuar.

Ruçi tha se vetëm nëse zbatohen këto kushte, opozita mund të bashkëpunojë me mazhorancën për zgjedhjet vendore teë 8 majit.

Lini një Përgjigje