Kryeinspektori Kaja: E vetmja përplasje, ajo për flamujt elektoralë

5 Prill 2011, 08:28Politika TEMA

Kryeinspektori ndërtimor i bashkisë së Tiranës, Ardit Kaja ka treguar dje për “Shekullin” se është qëlluar nga dy persona që nuk i njihte. Ata lëviznin me një motor të madh, rreth 1000 kubikësh, dhe mbanin skafandra në kokë. “Personi që më qëlloi ndodhej në vendin e pasim të motorit. Të dy ishin veshur me komplete sportive dhe pasi më qëlluan u larguan me shpejtësi të madhe”,- thotë Ardit Kaja në një intervistë për “Shekullin”

Zoti Kaja, si ndodhi ngjarja?
Unë isha në makinë. Ndodhesha në rrugicën mes godinës së Partisë Socialiste dhe Ministrisë së Bujqësisë. Në moment erdhi një motoçikletë, në të cilën ndodheshin dy persona. Prej saj, personi që ndodhej në vendin e pasmë, nxori një armë pistoletë dhe qëlloi drejt meje. Nuk munda të fiksoj më shumë sepse ata u larguan me shpejtësi, por qëlluan drejt xhamit. Ktheva kokën të shikoja, por ata u larguan shpejt. Në atë moment nisa të ndjej dhimbje në këmbë.

I patë personat që ju qëlluan me armë?Di vetëm që ishin me një motor të fuqishëm, mbase 1000 kubikësh. Ata kishin në kokë skafandra dhe ishin të veshur me një kostum sportiv. Kaq munda të shikoj.

Çfarë plage keni marrë?
Kam marrë një plagë në kofshën e djathtë dhe plumbi ka dalë në pjesën anësore. Plumbi ka hyrë dhe ka dalë nga trupi.

A keni pasur ndonjë konflikt apo problem për të cilin mund dyshoni si shkaku i kësaj ngjarjeje?
E vetmja përplasje që kam pasur është puna ime në Inspektoratin Ndërtimor të Bashkisë së Tiranës, pasi ditët e fundit jemi detyruar të heqim flamuj të subjekteve politike të vënë në mënyrë të kundërligjshme për zgjedhjet vendore.

1 komente në “Kryeinspektori Kaja: E vetmja përplasje, ajo për flamujt elektoralë”

  1. AlbinoBlackSheep says:

    Te uroj sherim te shpejte Z.Kaja.Pas shpellarit te Tropojes filloi edhe shpellari i Skraparit te marre jete njerezish.Megjithate sensi i paprekshmerise qe ata gezojne tani eshte vetem i perkohshem.Tragjedite qe ata u shkaktojne te tjereve do te prekin edhe familjet e tyre ne te ardhmen.

Comments are closed.

Lini një Përgjigje