Vajza nga Shkodra, tashmë ish-banore e BB4 tregon me imtësi përvojën e saj brenda shtëpisë, raportin me banorët jashtë, me të fejuarin, me babanë dhe arsyet e vërteta pse është kaq shumë e zhgënjyer nga Neda, Ogreni dhe Mirjeta
Ka qenë një nga lojtaret më të forta brenda shtëpisë së “Big Brother”, por pavarësisht mbështetjes së madhe të mijëra fansave, Alma Alikaj ka dalë nga shtëpia dy javë përpara finales së madhe. Ish-banorja e shtëpisë së “Big Brother 4” na tregon prapaskenat dhe intrigat e banorëve, por edhe raportin e saj me Antonion, babanë e saj, si dhe për miqtë që ka fituar nga kjo eksperiencë.
Disa nga ish-banorët e shtëpisë së “Big Brother 4” e kanë pasur të vështirë të rikthehen në “realitet”, i cili tashmë është shumë ndryshe për ju, pasi keni vëmendjen e mediave dhe të publikut. Po ti Alma si po i përjeton gjithë këto emocione?
Është diçka e bukur, kjo nuk diskutohet, por edhe pak stresuese. Është e bukur, sepse të rrish tre muaj e mbyllur brenda katër mureve dhe të dalësh dhe të shohësh njerëzit që të falënderojnë, që të përqafojnë, të përgëzojnë, patjetër që është e bukur. E kujt nuk do t’i pëlqente kjo?!
Të erdhi keq që dole pikërisht tani që loja është edhe më e fortë dhe na ndajnë vetëm pak ditë nga finalja?
Absolutisht jo, sepse unë e kam deklaruar se nuk ishte qëllimi im të fitoja. Kisha si qëllim të merrja pjesë, por sikur të fitoja do të isha e lumtur, nuk diskutohet, por që unë të luftoja për të fituar, ky nuk ishte qëllimi im.
Fansat kanë ngelur paksa të zhgënjyer nga dalja jote, nuk e kanë pritur. Mendon se ke gabuar diku që u eliminove?
Gabim nuk kam bërë asgjë. Nuk e di sesi, apo pse, pasi akoma nuk kam marrë një përgjigje të qartë, sepse mesa po shoh opinionet e njerëzve, komentet në rrugë, apo edhe në internet janë të gjithë të kënaqur dhe më përgëzojnë. Janë të zhgënjyer pse unë kam dalë, por nuk ka qenë në dorën time.
Shpresoje që të shkoje të paktën në finale?
Nuk e kisha si synim. Nga opinionet që po shoh mendoj se duhet të isha në finale dhe nuk e di pse jam jashtë kur më paskan dashur kaq shumë.
Me ngjarjet që kamerat e BB4 kanë ofruar, publiku është azhornuar, por cilat janë “prapaskenat” e shtëpisë së BB4, që ndoshta nuk kemi arritur t’i shikojmë, apo t’i kuptojmë nga ekrani? Gjithmonë nëse ka!
Po, janë disa gjëra të vogla, disa veprime, të cilat të lënë të nënkuptosh shumë aty brenda. Janë disa veprime që të bëjnë të kuptosh reagimin e tjetrit, qoftë për mirë, qoftë për keq, qoftë për të nominuar dikë, apo një tjetër. Tani që jam jashtë kam folur me një ish-banore, e cila më tha pse nuk isha mbledhur me një grup të caktuar për të nominuar dikë, apo dikë tjetër. Por qëllimi im ishte të bëja lojë të pastër dhe në momentin që kam parë dikë të bëjë lojë të pistë, unë i jam hedhur sipër, nuk i kam lejuar.
Mund të thuash se ke fituar edhe miq nga eksperienca jote në “Big Brother 4”? Nëse po, cilët janë ata?
Të thuash mik është fjalë e madhe. Nga shtëpia e “Big Brother 4” them se kam fituar të njohur, disa janë pak më shumë. Miqtë e mi janë më shumë jashtë, ndërsa brenda është një copë e zemrës sime, siç është Marieli që e kam shpirt, kam respekt për Ergysin, pavarësisht disa konflikteve dhe debateve që kishim bashkë. Ai po bënte lojën e tij, strategjinë e tij dhe unë iu përgjigja, por asnjëherë nuk e kam akuzuar unë e para, askënd. Në momentin që jam ndjerë e kërcënuar, kam kërcënuar edhe unë. Ndërsa miqtë e mi jashtë shtëpisë janë, Alkena, e cila është motra ime e vogël, Shkëlqimi, Petriti, Klodi, Klaudia, natyrisht.
Me cilin nga banorët nuk do të doje kurrsesi të krijoje një raport?
Sigurisht me Ogrenin dhe me Nedën. Unë pranoj që është lojë, e kam pranuar gjithmonë, por të ulesh, të shesësh dinjitetin, shpirtin, besnikërinë, të gjitha virtytet që kanë shpalosur në fillim, t’i sakrifikosh këto për lojën dhe t’i japësh thikë pas shpine personit që i ka mbrojtur dhe i ka ndihmuar, për mendimin tim është diçka e llahtarshme. Këtë nuk e pranoj as në jetën e përditshme, as për lojë.
Është hapur një debat mes publikut edhe në forume për një marrëdhënie intime mes Nedës dhe Ogrenit. Realisht ka ndodhur, apo jo?
Mesa kam parë unë jo. Pavarësisht raportit që kam unë me Nedën, i cili u shndërrua nuk mendoj se kanë kryer marrëdhënie në shtëpi. E kam ditur që bëheshin shumë intriga pas shpatullave të mia dhe i kam përballuar. Unë nuk kam bërë intriga. Sinqerisht nuk mendoj se Neda e ka bërë atë gjë. Meqenëse më ka thënë disa herë që është e virgjër nuk besoj se e ka bërë.
I rikthehemi edhe njëherë bashkëjetesës tuaj në shtëpi. Çfarë nuk kemi parë ne nga jashtë? Çfarë shkonte keq në bashkëjetesën tuaj brenda shtëpisë?
Aty problemi i shumë personave është se ngrihen në mëngjes dhe mendojnë lojën, shkojnë për të fjetur në darkë dhe mendojnë lojën, duan të thonë diçka dhe nuk e thonë, sepse kanë frikë se dalin keq. Nuk janë vetvetja dhe kanë frikë të shprehen. Shumë persona janë shitur ndryshe aty, por realisht dolën vetvetja. Ndërsa unë, të mirën, të keqen, të bardhën, të zezën e kam thënë gjithmonë pa pasur frikë, sepse në momentin që kam hyrë nuk kam menduar finalen, apo të fitoj. Unë kam shkuar në BB4 për të dhënë një mesazh dhe mendoj se e kam dhënë, përderisa po marr këto përgjigje jashtë.
Dy javët e fundit objekt i shumë debateve në shtëpi ka qenë higjiena, gatimi, kushtet më minimale të jetesës në një shtëpi. Ishte një arsye e fortë për të bërë debat kjo?
Gjatë kohës që isha unë në shtëpi, përsa i përket pastrimit të shtëpisë jam kujdesur unë. Neda javën e fundit nisi të angazhohej disi, por nuk mund të kapesh në këtë pikë, sepse është ende e vogël dhe do të rritet, të mësohet. Për mua nuk ka qenë problem nëse angazhohej apo jo, thjesht të pyeste a ke nevojë për ndihmë, sepse të bëhet qejfi nga një pyetje e vogël. Marieli e ka marrë me tapi vendin e pjatave dhe të pastrimit të shtëpisë. Megjithatë ka të bëjë shumë edhe nga vullneti që gjithkush ka.
Cilat kanë qenë intrigat që janë bërë në shtëpi dhe që ne nuk kemi arritur ndoshta t’i shohim me atë sy, t’i kuptojmë dhe t’i ndjejmë sikurse ju që ishit brenda?
Publiku i ka kuptuar intrigat, sepse “Vëllai i Madh” nuk të lejon të fshihesh. Intriga më e madhe mendoj se ka qenë ajo që është bërë kundrejt meje, në lidhje me raportin me Shkëlqimin. Ajo ka qenë intriga më e madhe dhe më e fortë, sepse nuk dinin ku të kapeshin dhe menduan të më preknin në një pikë, që ishte raporti im me Antonion. Aty ka qenë diçka e pahijshme. Nuk mund të ngatërrosh një raport miqësie në diçka më shumë, veçanërisht Ermela që konsiderohet si një vajzë me mendje të hapur.
Alma, nëse dëshiron dhe mundesh na rrëfe motivet e ftohjes së marrëdhënies tënde me babanë?
Prindërit e mi janë ndarë 19 vjet më parë dhe gjatë viteve të para kemi folur. Është e vërtetë që mua më ka ndihmuar shumë halla ime kur kam shkuar ë Itali, por mendoj se një fëmijë 15, apo 16-vjeçar siç isha unë në atë periudhë nuk duhet t’ju shkojë pas prindërve, janë prindërit që duhet t’i shkojnë pas fëmijës. Nuk diskutohet se distanca ka ndikuar, por të telefonosh një fëmijë dhe ta pyesësh ‘si je’, qoftë kjo edhe njëherë në dy, apo tre muaj mendoj se nuk kushton.
Babai yt është shprehur se fjalët që ke thënë për të në BB4 nuk janë bërë me ndërgjegjien tënde dhe në një farë mënyre ka akuzuar nënën tënde për këtë. Ka ndikuar ajo tek lidhja jote me babanë?
Babai im ka bërë gabimin më trashanik në botë, sepse ai e di shumë mirë si janë raportet dhe e di shumë mirë që sa herë më ka telefonuar mua dhe jam acaruar ka qenë mamaja ime ajo që e ka marrë në telefon dhe i ka thënë, “Alma është vajza jote”. Në 29 vite të jetës sime unë nuk mbaj mend asnjë rast që më ka folur keq mamaja ime për të. Përkundrazi, ka qenë ajo që kur acarohesha më ndalonte të mendoja keq për të dhe më thoshte se raporti i saj me të ishte diçka dhe raporti im me babanë tim ishte diçka tjetër.
Me Antonion si shkojnë punët, bëhet ‘xheloz’ tani që ke vëmendjen e fansave dhe natyrisht edhe të meshkujve?
(Qesh) Me Antonion çdo gjë është mrekulli, presim dasmën tani. Bëhet ndonjëherë xheloz dhe është e natyrshme. Ndonjëherë më vjen keq, sepse po ndjehet si i vënë mënjanë, por nuk është absolutisht e vërtetë. Është i vetmi mashkull në botë që do t’i thoja ‘po’ për martesë dhe unë i thashë po. Për martesën do të ulemi dhe të flasim më gjatë, por mendoj se në gusht, ose shtator.
Gjatë kohës që ishe brenda shtëpisë së BB4 është thënë që ke qenë “Miss Albania in Italia”, megjithatë një nga organizatorët e këtij eventi e ka mohuar këtë fakt. Cila është e vërteta Alma?
Unë nuk kam qenë asnjëherë “Miss Albania in Italia”, nuk kam marrë unë çmimin. Unë kam marrë pjesë në këtë event bukurie dhe kam qenë në finale, por jo vendin e parë.
Nëse do të kishe mundësi t’ju thoshe diçka banorëve që janë në shtëpi, diçka që nuk ua ke thënë, çfarë do të ishte?
Unë ndoshta kam dalë nga BB4 edhe për këtë arsye, sepse nuk kam mbajtur diçka në stomak, por i kam thënë gjithmonë. Gjërave që kam shprehur brenda shtëpisë u qëndroj. Ogreni është një person që unë nuk do doja ta kisha afër, është një person pa shtyllë kurrizore, është një person hipokrit në maksimum, është i paaftë për jetën. Neda është thjesht viktimë e Ogrenit. Marjeli është shpirti im, është djali që të gjitha nënat do të dëshironin ta kishin, është person flori. Ergysi është djalë i mirë, por përsa i përket strategjive ka gabuar disa herë me mua, sepse kërkonte të më sulmonte, por nuk ia ka arritur, sepse i jam përgjigjur. Ermela është ajo nepërka që nuk nxjerr vetëm helm, por edhe sheqer. Jo nepërkë në kuptimin e keq të fjalës, por është e zonja.
Çfarë mendimi ke për Mirjetën, je e zhgënjyer nga ajo?
Mirjeta nuk më intereson. Ajo ka qenë edhe patriote me mua dhe e kam mbrojtur në një farë mënyre. Nuk e kam nominuar asnjëherë, sepse e kisha patriote dhe më dukej vajzë e mirë, por nga ato që kam parë jashtë, sesa intrigante është, sa e poshtër, sa mashtruese, nuk e kisha parë brenda. Mirjeta nuk e ka thënë asnjëherë të vërtetën brenda, ajo thotë vetëm gënjeshtra. Mirjeta nuk ka një karakter të vetin, është femër pa karakter. Nga Mirjeta jam shumë e zhgënjyer. Marjeta më ka akuzuar se nuk kam bërë debate me të, apo nuk kemi diskutuar, por me Mirjetën veç seksit nuk mund të bësh asgjë tjetër.
Çfarë mendon për lidhjet e dashurisë që janë krijuar në shtëpi?
I vetmi i dashuruar brenda shtëpisë është Marjeli, por Mirjeta nuk e meriton, nuk ia uroj atë femër. Ogreni nuk e njeh fjalën dashuri, nuk e di se nga e ka shtëpinë. Neda mund të jetë e dashuruar, por më shumë se e dashuruar, ajo është viktimë e Ogrenit, ajo po bëhet martire e tij. Në asnjë moment nuk kam parë një gjest të bukur nga ana e Ogrenit kundrejt Nedës. Ka qenë vetëm ajo që i ka shkuar pas, që e ka puthur, që i kushton poezi dashurie, ajo e tërheq, ajo i bën deklarata dashurie. Nga ana e Ogrenit nuk kam parë asnjë gjest të bukur. Ndërkohë që për Ermelën dhe Ervinin nuk i kam parë si çift, nuk i kam vënë re. Ndoshta ata mund të kenë një lidhje më të pastër se të gjithë, por në fillim më është dukur krejtësisht për lojë. Më është dukur absurde që të presësh “Big Brother” për të gjetur një njeri që të pëlqen, sepse në jetën e përditshme ka me mijëra të tillë. /Game Over