Serbët e rinj s’e dinë ç’gjini kanë Stefanoviqi e Tahiri

14 Prill 2011, 11:51Rajoni TEMA

Të rinjtë serbë nga Kosova janë të informuar vetëm sipërfaqësisht në lidhje me procesin e dialogut midis Prishtinës dhe Beogradit, por konsiderojnë se në të ardhmen është e domosdoshme prania e përfaqësuesve të mirëfilltë të komunitetit serb në Kosovë. Ata theksojnë se problemet e tyre më të mëdha janë papunësia dhe siguria dhe presin që këto të zgjidhen gjatë procesit të dialogut.
Të gjithë pjesëmarrësit ishin në dijeni të fillimit të dialogut në mes të institucioneve të Kosovës dhe Serbisë, të informuar përmes mediave të Beogradit (RTS dhe Flash janë mediat më të përmendura), por shkalla e tyre e informimit është shumë e ulët. Rreth 35 për qind e pjesëmarrësve nuk dinte as gjininë e kreut të delegacionit serb Borko Stefanoviq, 75 për qind nuk di emrin e tij, ndërsa vetëm 30 për qind e dinte funksionin e tij. Rreth 40 për qind të pjesëmarrësve nuk e dinte gjininë e kreut të delegacionit kosovar Edita Tahiri, 75 për qind nuk  dinte emrin e saj, ndërsa vetëm 10 për qind e dinte funksionin e saj në institucionet kosovare.

Mbi 80 për qind e pjesëmarrësve thonë se në parim mbështesin fillimin e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit, por japin vlerësime të ulëta lidhur me pritjet se negociatat do të jenë të suksesshme dhe do i kontribuojnë cilësisë së jetës të komunitetit serb në Kosovë (nota mesatare për të dy parametrat, në një shkallë nga 1 deri në 5, ishte 2,5).

Problemet kryesore të komunitetit serb në Kosovë janë papunësia (45 për qind), mungesa e ndjenjës së sigurisë dhe liria e lëvizjes (25 për qind), ndërkohë që problemet tjera si diskriminimi, vazhdimi i largimit të serbëve nga Kosova, problemet me dokumentet dhe targat, problemet e infrastrukturës (energjia elektrike, uji …), përfshijnë në mënyrë mjaft të barabartë 33 për qindshin e mbetur.
Të rinjtë serbë nga Kosova nuk kanë të zhvilluar një ndjenjë të fortë besimi ndaj autoriteteve lidhur me aftësinë dhe kapacitetin e tyre për të zgjidhur në mënyrë efikase problemet e qytetarëve. Vlerësimi mesatar (në një shkallë nga 1 deri në 5) në pyetjen nëse besojnë se institucionet serbe mund të zgjidhin me sukses problemet e serbëve të Kosovës është 3,5, vlerësim i njejtë është edhe për institucionet kosovare, ndërkohë që më së paku besim kanë tek bashkësia ndërkombëtare të cilën e vlerësojnë me notë mesatare 3.
Pjesëmarrësit në debate mendojnë që serbët e Kosovës duhet të marrin pjesë në mënyrë aktive në procesin e dialogut. 85 për qind e të intervistuarve iu përgjigjën pozitivisht kësaj pyetje, asnjëri nuk e ka mohuar, ndërsa 15 për qind nuk kanë ditur ose nuk kanë dashur të përgjigjen në këtë pyetje. 80 për qind e të anketuarve besojnë se përfaqësuesit e tyre duhet të jenë pjesë e delegacionit të Beogradit, 5 për qind besojnë se duhet të jetë pjesë e delegacionit të Kosovës, ndërsa 15 për qind mendojnë se do të ishte më së miri të kenë ulëse të veçantë (neutrale, vëzhguese …) në takime.
Të gjithë pjesëmarrësit mendojnë   se është më se i domosdoshëm bashkëpunimi në mes të të rinjve shqiptarë dhe serbë gjatë  procesit të implementimit të zgjidhjeve të dakorduara, por edhe që ende ekziston një ndjenjë e fortë e mosbesimit në nivel etnik.
Këtë studim me anë të fokus grupeve e ka kryer OJQ “Qendra Rinore e Graçanicës”, me mbështetjen financiare të Balkan Trust for Democracy, një projekt i Fondit Gjerman Marshall të SHBA./KD/

Lini një Përgjigje