Komiteti i Helsinkit: Dhuna po frikëson votuesit

15 Prill 2011, 10:13Politika TEMA

Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka reaguar në lidhje me incidentet dhe aktet e dhunshme të ndodhura gjatë fushatës zgjedhore. Në një deklaratë për shtyp, ky komitet bën me dije se dhuna mund të ndikojë negativisht në zgjedhjet e 8 majit, pasi frikëson votuesit.

“kjo atmosferë e tensionuar, e shoqëruar me incidente të jo të pakta, ndikon negativisht tek zgjedhësit, që janë të interesuar të dëgjojnë nga kandidatët programet dhe argumentimin për mundësitë e realizimit të tyre”.

“Dhuna e manifestuar në mjedis i trondit, i frikëson dhe i pengon ata të jenë të lirë për të marrë vendimin e tyre për votën që do të japin. Prandaj ata kanë të drejtë t’u thonë partive politike, garuese në zgjedhje, të ndalin gjuhën e urrejtjes, të distancohen nga veprimet e dhunës dhe incidentet, të angazhohen seriozisht për krijimin e një mjedisi të favorshëm për ushtrim lirisht të së drejtës së votës nga zgjedhësit shqiptarë”, thuhet në një deklaratë të Komitetit Shqiptar të Helsinkit.

Lini një Përgjigje