“Kandidimi i Bashës për Tiranën është një fyerje e rëndë”

19 Prill 2011, 15:14Politika TEMA

Nga Rexhep Qosja

 

A ËSHTË E MUNDSHME?

Një kandidaturë dhe tri deklarata më kanë lënë pa gojë, por pas disa ditësh, kur një mik i çmuar dhe i dashur nga Tirana më tha të mos çuditem se në këtë kohë të gjitha, ama bash të gjitha, janë të mundshme, unë e mora veten dhe e bëra këtë shkrim me të cilin edhe më shumë do ta rris numrin e pretorianëve të sundimtarit të përtashëm, të cilët do të hudhin shumë shigjeta në kokën time.

Dhe, për titull të shkrimit e vura, pak të ndryshuar, pikërisht togfjalëshin ngushëllues të mikut nga Tirana: a është e mundshme? A është e mundshme të bëhet një kandidaturë e tillë dhe a është e mundshme të jepen deklarata të tilla?

 

Në vend se në hetime – kandidat për kryetar të kryeqytetit

 

Anëtari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha, është njëri prej anëtarëve të rrallë të kësaj partie, ndoshta i vetmi anëtar i kësaj partie, i cili brenda pak vjetësh i ka ndërruar tri poste ministrore, kurse tani është kandidat edhe për postin e katërt pak më të rëndësishëm sesa postet ministrore që kishte. Herën e parë ishte ministër i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit; herën e dytë ishte ministër i Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë; mandej, herën e tretë, u bë ministër i Brendshëm; kurse tash, herën e katërt, është kandidat për kryetar të Bashkisë së kryeqytetit të Shqipërisë – Tiranës.

Në vendet e zhvilluara, sikundër janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shtetet e Bashkimit Evropian – Gjermania, Franca, Britania e Madhe, Spanja, Holanda, Suedia, Norvegjia, Danimarka, këto piruete nëpër poste të ndryshme ministrore prej të njëjtit person sidomos për një kohë ashtu të shkurtër, do të ishin të pamundshme. Në këto vende, me tradita shtetërore dhe demokratike, asnjë vetje politike nuk shpallet i aftë për punë ministrore në të gjithë sektorët shtetërorë. Jo. Atje shkollimi, profesioni, dhuntia politike organizuese dhe, para të gjithave, integriteti moral politik, e përcaktojnë kandidatin për post politik shtetëror. Atje nuk mund të ketë anëtar partie “të aftë” për të gjithë sektorët ministrorë, sepse atje as vetë individët nuk pranojnë të bëhen ashtu lehtë të përdorshëm për çdo gjë, as vetë partitë e tyre nuk i përdorim ata ashtu lehtë për çdo gjë! Kjo mund të ndodhë, siç po ndodhë, sot për sot, vetëm në Ballkan, ndoshta vetëm tek ne, ku përdorimi dhe poltronizmi janë taktika dhe etika e përparimit politik.

Edhe më e pakuptueshme sesa gatishmëria e Lulzim Bashës që brenda një kohe fare të shkurtër, brenda disa vjetësh, të pajtohet që të bëhet ministër “i aftë”, i pazëvendësueshëm, në tre sektorë të ndryshëm shtetërorë, duke u bërë ashtu nuse për Stasin e Partisë Demokratike, është pajtimi i tij dhe i udhëheqjes Demokratike që ai tani të jetë i propozuar kandidat për kryetar të bashkisë së Tiranës!

Pse mund të thuhet kështu?

Në protestat e Partisë Socialiste dhe të qytetarëve të tjerë pas 21 janarit 2011 kemi parë më shumë se tri pankarta në të cilat shkruante Lulzim Basha – vrasës! Në mediat elektronike kemi dëgjuar dhe në disa gazeta të Tiranës jo njëherë kemi lexuar se si ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, akuzohej si fajtori kryesor për vrasjen e katër protestuesve në protestën e 21 janarit, të cilët, siç është dëshmuar tashmë, janë vrarë prej gardistëve jashtë perimetrit të ndërtesës së Qeverisë, në të cilën gjendej soditësi kryesor i protestës, kryeministri Sali Berisha!

T’i lëmë mënjanë për një çast ato që për ministrin e Brendshëm, Lulzim Basha, shkruante në ato pankarta dhe ato që për të dëgjoheshin dhe shkruheshin në mediat elektronike dhe në disa gazeta të Tiranës, t’i lëmë anash ato dhe të gjykojmë vetë.

Është e vërtetë se gjatë protestave të 21 janarit Lulzim Basha ishte ministër i Brendshëm i Republikës së Shqipërisë.

Është e vërtetë se ditën kur u vranë katër protestues jashtë perimetrit të ndërtesës së Qeverisë, Lulzim Basha ishte ministër i Brendshëm i Republikës së Shqipërisë.

Është e vërtetë se vrasja e atyre katër protestuesve jashtë perimetrit të ndërtesës së Qeverisë nuk ka mundur të ndodhë pa dijen e ministrit të Brendshëm i Republikës së Shqipërisë, Lulzim Basha e, meqenëse ministri të Brendshëm i Republikës së Shqipërisë, është treguar partiak shumë i bindshëm, shumë i dëgjueshëm, shumë i përkushtuar ndaj kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, atëherë mund të thuhet se vrasja e katër protestuesve nuk ka mundur të ndodhë pa qenë i vënë në dijeni edhe kryeministri se do të shtihej me armë ndaj protestuesve.

Këto të dhëna, që janë të vetmet të vërteta për mendjen objektive politike, deshëm s’deshëm ne, deshi s’deshi udhëheqja e Partisë Demokratike të Shqipërisë, deshi s’deshi kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, deshi s’deshi ministri i Brendshëm i Republikës së Shqipërisë, Lulzim Basha, e bëjnë ministrin e Brendshëm të Republikës së Shqipërisë, Lulzim Bashën, kandidat për hetim nga Prokuroria e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë në lidhje me vrasjen e katër protestuesve më 21 janar 2011. Në vendet demokratike, në vendet në të cilat, si tha kryetari i Francës, Nikola Sarkozi, protestuesit nuk vriten prej policisë dhe gardistëve, domethënë prej shtetit, as kur bëjnë protestë të dhunshme, ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha, tashmë do të duhej t’i ishte marrë imuniteti i deputetit dhe do të duhej të ishte në dispozicion të Prokurorisë së Përgjithshme për hetime për shkak të vrasjes së katër protestuesve në protestën e 21 janarit. Mund të hamendjesohet se në një vend vërtet demokratik, në të cilin institucionet e pavarura janë vërtet të pavarura, hetimet ndaj ministrit të Brendshëm, Lulzim Bashës, tashmë do të duhej të ishin kryer dhe ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, tashmë do të duhej të ishte duke vuajtur fajin politik, juridik dhe moral për vrasjen e katër protestuesve në protestën e 21 janarit.

Por, shikuar nga ana morale dhe humane, ministri i Brendshëm i Republikës së Shqipërisë, Lulzim Basha, është fajtor jo vetëm për vrasjen e katër protestuesve dhe keqtrajtimin e shumë protestuesve të marrë në hetime a të burgosur, por edhe për vetëvrasjen e para disa ditëve të birit njëzetedyvjear të njërit nga protestuesit e vrarë.

Nuk ka dyshim se të gjitha këto të dhëna janë të mjafta, madje, më tepër se të mjafta, që në një vend demokratik evropian të mos i shkojë kujt mendja që një zyrtar të tillë ta propozojë për kryetar të bashkisë së kryeqytetit apo të cilitdo qytet tjetër të vendit. Në çdo vend demokratik evropian dhe joevropian, propozimi i një ish zyrtari të tillë për kryetar bashkie të kryeqytetit a të cilitdo qytet tjetër do të shikohej si provokim që u bëhet qytetarëve. Është fyerje për ndërgjegjen e tyre, për integritetin e tyre politik dhe moral, është fyerje për qytetarinë e tyre, që t’u nxirret përpara, për ta votuar a mosvotuar, zyrtari karriera politike dhe shtetërore e të cilit, ndërgjegjja njerëzore e të cilit, është e rënduar, shumë e rënduar, prej vrasjes jashtë perimetrit të ndërtesës së Qeverisë të katër protestuesve, prej keqtrajtimit dhe burgosjes së shumë protestuesve dhe, më në fund, prej vetëvrasjes së birit të njërit nga protestuesit.

Si qytetar i Tiranës, natyrisht, me nënshtetësi të Republikës së Shqipërisë unë, vetë, e përjetoj si fyerje të ndërgjegjes dhe të integritetit tim politik dhe moral kandidimin e ministrit të Rendit Publik, Lulzim Bashës,për kryetar të Bashkisë së Tiranës.

Çka të them më tej? Të them: në jetën tonë politike e shoqërore, në totalitarizmin tonë partitokratik, ende të gjitha janë të mundshme, prandaj, ja, është i mundshëm edhe një kandidim i tillë!

Por, edhe diçka tjetër do të jetë e mundshme: kur një ditë Shqipëria të bëhet shtet vërtet demokratik dhe shtet i së drejtës, në të cilin do të funksionojnë të gjitha institucionet, prandaj edhe Gjyqësori, do të jetë e mundshme, madje, e domosdoshme, që Lulzim Basha të gjykohet për krimin – vrasjen e 4 protestuesve më 21 janar 2011.

 

Tri deklarata të gabuara

 

Së shpejti bëhet një muaj prej se zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Edmond Haxhinasto, ishte në Kosovë për vizitë zyrtare shtetërore. Gjatë kësaj vizite dyditore, përpos të tjerash, ai dha edhe tri deklarata, që nuk mund të harrohen. Në mediat e Prishtinës vetëm njëra prej tyre – ajo për mosndryshim të kufijve, u përimtua kujdesshëm në disa gazeta, kurse dy të tjerat po thuaj u heshtën.

Deklarata e parë: ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Edmond Haxhinasto, tha, te varri i ish kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ibrahim Rugova, se arrestimet e nëntë pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me vendimin e EULEX-it, u bënë në bazë të ligjeve të Kosovës dhe të ligjeve të Bashkimit Evropian! Nuk e di, nuk kam lexuar dhe nuk kam dëgjuar, se Bashkimi Evropian ka ligj të veçantë për arrestimin e pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por e di se Republika e Kosovës nuk ka ligj të tillë. Republika e Kosovës, si me Kushtetutën e saj, ashtu edhe me ligje përkatëse, ka bërë të mundshme që të nxirren në gjyq dhe të dënohen të gjithë ata që bëjnë krime dhe, ashtu, shkelin Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës. Por, si edhe shqiptarët e tjerë në Kosovë, ashtu edhe hartuesit e Kushtetutës dhe të ligjeve të Kosovës e dinë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka bërë luftë çlirimtare, domethënë luftë të drejtë, prandaj pjesëtarët e saj nuk kanë bërë krime. Duke mbrojtur familjen e vet, prindërit e vet, vëllezërit e motrat e veta, gruan dhe fëmijët e vet, duke mbrojtur shtëpinë e vet, duke mbrojtur Kosovën prej terrorit shtetëror të Serbisë, prej policisë, ushtrisë dhe paramilitarëve të Serbisë, ata vetëm sa i janë përmbajtur Kartës së Kombeve të Bashkuara, në të cilin flitet për të drejtën natyrore të popujve për vetëmbrojtje. Po të mos kishte bërë këso lufte, të drejtë, vetëmbrojtëse Ushtria Çlirimtare e Kosovës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk do ta njihnin Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe nuk do të organizonin as Konferencën e Rambujesë në të cilën delegacioni i Kosovës ishte i udhëhequr prej përfaqësuesit politik të UÇK-së, Hashim Thaçi, as nuk do të bënin fushatën e bombardimeve ndaj objekteve ushtarake, policore të Serbisë dhe, në përgjithësi, të Jugosllavisë së mbetur.

Po, pavarësisht prej sa u tha, Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Edmond Haxhinasto, nuk do të duhej ta bënte deklaratën e sipërtheksuar edhe për një arsye tjetër, të cilën asnjë diplomat shqiptar a i huaj, si diplomat, nuk do të duhej ta pohonte. Para se të ishte nisur për vizitë në Kosovë ai do të duhej të ishte bërë me dije, prej bashkëpunëtorëve të vet në Tiranë, se në Kosovë i madh e i vogël, jozyrtar e zyrtar, shoqëri e parti, Kuvend e Qeveri janë kundër këtyre burgosjeve dhe në deklarata të veçanta apo në kumtesa institucionale i dënojnë ato, duke i quajtur ashtu edhe si duhet të quhen ato: të palejueshme dhe të papranueshme për Kosovën dhe për popullin shqiptar, sepse barazojnë të pushtuarin, viktimën me pushtuesin, agresorin, dhe synojnë të njollosin luftën çlirimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Si shqiptar që është, Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm i Shqipërisë do të duhej ta dinte se çdo përndjekje, çdo ndëshkim, çdo gjykim të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës populli shqiptar e përjeton me indinjatë dhe pezëm. Si diplomat, ndërkaq, Edmond Haxhinasto, do të duhej të nderonte ndjenjat e këtilla të shqiptarëve të Kosovës e të numrit më të madh të shqiptarëve në përgjithësi dhe t’u shmangej deklaratave si kjo.

Për më tepër ai do të duhej ta dinte se populli shqiptar, jo vetëm në Kosovë, e përjeton me indinjatë dhe me pezëm të madh terrorizimin e dyfishtë dhe të dyhershëm që u bëhet sot dy luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që janë ndër luftëtarët më të merituar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës: Ramush Haradinajt dhe Fatmir Limajt.

Deklarata e dytë: Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Edmond Haxhinasto, tha, duke bërë nderime te varri i ish kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ibrahim Rugova, se Kosova është bërë shtet dhe po ndërtohet shtet mbi idenë e Ibrahim Rugovës për pavarësinë e saj! Nuk ka dyshim se kjo është një deklaratë që mund të quhet e pazakonshme për dy arsye: e para, mund të quhet e pazakonshme për arsye se, si e tillë, si deklaratë historike, me synim shkencor, bëhet prej një politikani, në të vërtetë diplomati që nuk ka të drejtë të marrë rolin e shkruesit të historisë. Diplomatët e vendeve me tradita shtetërore, politike e diplomatike, kurrë nuk mund të dëgjohen duke bërë hierarki të tilla në historinë e popujve e të shteteve që vizitojnë. Ata nuk i lejojnë vetes të bëhen historianë duke mos qenë historianë; ata nuk i lejojnë vetes të bëhen historianë duke mos qenë historianë me deklarata të tilla, që tingëllojnë aq propagandistike. Dhe, nuk ia lejojnë vetes këtë rol jo vetëm pse janë diplomatë, por edhe pse nuk e dinë të vërtetën. E dyta, deklarata e Ministrit Edmond Haxhinasto është e pazakonshme edhe për arsye se ajo që pohohet në të nuk është e vërtetë. Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe kryetari i Kosovës kur Kosova ende nuk ishte bërë shtet nuk është njeriu mbi idenë e të cilit është fituar pavarësia e Kosovës dhe me idenë e të cilit po ndërtohet shteti i Kosovës. Jo. Jo. Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ibrahim Rugova, në radhën e gjatë të atyre që kanë krijuar dhe kanë përhapur idenë e pavarësisë së Kosovës dhe në radhën e atyre që i kanë filluar përpjekjet politike për pavarësinë e Kosovës nuk është kurrkund, kurse në fund të këtyre përpjekjeve është njeriu i fundit. Kjo radhë e gjatë e luftëtarëve politikë për pavarësinë e Kosovës pas Luftës së Dytë Botërore fillon me Adem Demaçin, me organizatën ilegale të krijuar prej tij dhe vazhdon me të burgosur të tjerë politikë e me organizata të tjera ilegale deri në vitet nëntëdhjetë të shekullit të kaluar kur ideja e pavarësisë së Kosovës bëhet ide pothuaj e gjithë popullit shqiptar të Kosovës e kur fillon edhe krijimi i partive të para politike shqiptare.

Zëvendëskryeministri dhe ministri i jashtëm i Shqipërisë, Edmond Haxhinasto, do të duhej ta dinte se në programin e saj të parë politik, me të cilin është themeluar Lidhja Demokratike e Kosovës, nuk kërkohej pavarësi, por autonomi e Kosovës, madje një autonomi dukshëm më e ngushtë se ajo e vitit 1974 në kuadër të Serbisë e të Jugosllavisë. Më në fund, LDK-ja me kryetar Ibrahim Rugovën do të jetë parti politike shqiptare e regjistruar në Ministrinë e Drejtësisë së Jugosllavisë, me çka dëshmohet se ideja e pavarësisë së Kosovës dhe LDK-ja, se ideja e pavarësisë së Kosovës dhe Ibrahim Rugova atëherë, kur radha e ideologëve dhe luftëtarëve politikë dhe jo vetëm politikë për pavarësinë e Kosovës, ishte shumë e gjatë, ende përjashtoheshin mes vete!

Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Edmond Haxhinasto, si politikan dhe si diplomat do të duhej ta dinte: se te varri i ish kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe të Kosovës kur ajo ende s’ishte bërë shtet, Ibrahim Rugova, atë nuk e çojnë meritat e vërteta të Ibrahim Rugovës për pavarësinë e Kosovës, por propagandat partiake që aq shumë janë duke e shtrembëruar, duke e falsifikuar, duke e zvetënuar dhe duke e vjedhur historinë më të re të popullit shqiptar në Kosovë dhe në Shqipëri; se nderime të shtira, si fryt i përkohshëm i këtyre propagandave dhe allishverisheve partiake para e paszgjedhore te varri i ish kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, janë edhe nderimet që i bëjnë te varri atij edhe disa vetje që shumëkush s’ka besuar se do të shiheshin aty ndonjëherë!

Por, Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Edmond Haxhinasto, do të duhej ta dinte gjithashtu se historia shqiptare, historia e Shqipërisë shtetërore dhe e Kosovës, një ditë, pashmangshëm, do të pastrohet prej gënjeshtrave, prej shtrembërimeve, prej zvetënimeve, prej ndotjeve të sotme partiake dhe politike. Për fat, kriteret partiake dhe politike kurrë dhe kurrkund nuk mund të bëhen kritere të përhershme të shkencës. Përpos në kokat e mediokriteteve të historisë!

Deklarata e tretë: zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Edmond Haxhinasto, tha, gjatë vizitës në Prishtinë, se ideja për bashkim midis shteteve apo ndryshimi i kufijve është e dëmshme për Ballkanin Perëndimor dhe idetë e tilla Tirana zyrtare nuk i mbështet! Edhe kjo është një deklaratë fatkeqe e Zëvendëskryeministrit dhe ministrit Edmond Haxhinasto. Asnjë ndryshim i kufijve nuk mund të quhet i dëmshëm në qoftë se popujt që kanë kufij mes vete pajtohen me atë ndryshim. Për popullin shqiptar ndryshimi i kufijve midis Kosovës dhe Shqipërisë në asnjë pikëpamje nuk mund të quhet i dëmshëm as nuk do të duhej të quhej i papranueshëm nga Tirana zyrtare sepse është kufi midis dy shteteve shqiptare. Ideja për bashkim kombëtar të shqiptarëve, prandaj, jo vetëm se nuk mund të quhet e dëmshme – siç e quajti në Prishtinë Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto, por do të ishte shumë e dobishme. Vetëm ajo do të përfaqësonte zgjidhje të përhershme të çështjes shqiptare dhe vetëm bashkimi i Kosovës dhe i Shqipërisë do ta bënte të mundshme shprehjen e plotë të të gjitha potencialeve natyrore dhe krijuese njerëzore të Kombit shqiptar.

Nuk ka dyshim se të tri deklaratat e trajtuara këtu të zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, Edmond Haxhinasto, në Prishtinë, më 18 e 19 mars, pra, në prag të vizitës së kryetarit (të paligjshëm) të Kosovës në Shqipëri, Behgjet Pacolli, janë deklarata të paqëndrueshme, madje, të pavërteta, kundërhistorike, që nuk do të duhej të bëheshin. U bënë sepse zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Shqipërisë edhe ishte dërguar për t’i bërë ato në Prishtinë. Dhe, ishte dërguar prej kryeministrit të shumëfytyrshëm të Shqipërisë, i cili, edhe Kosovën e flijon për hir të mbajtjes sa më të gjatë në pushtet – në regjimin e tij autoritar!

17 komente në ““Kandidimi i Bashës për Tiranën është një fyerje e rëndë””

  1. vinny says:

    Zoti Rexhep Qosja,

    Ne vendet e perendimit ndryshe nga ajo qe shkruani Ju ne analizen tuaj ka raste te shumta qe brenda tre kater vitesh i njeti person te kete nderruar 3 here portofol si minister ne te njketen qeveri, pra ajo qe shkruani nuk eshte e vertete e me duket çudi qe nje intelektual si Ju shkruan gjera te cilat nuk i verifikon perpara se ti botoje!!

    Lulezim Basha per mendimin tim, mjafton te hetohet mbi projektin e rruges Durres – Kukes te cilen e nisi pa bere nje studim serioz paraprak duke i sjelle deme te jashtezakonshme buxhetit te shtetit shqiptar domethene popullit e taksapguesit shqiptar.
    Kjo per mendimin tim quhet vjedhje dhe hajduti eshte teper i demshem e denohet ne çdo sistem, demokratik apo diktatorial.
    Pra Lulezim Basha duhej te ishte ndjekur penalisht per shperdorim detyre, neper gjykata e jo neper podiume fushatash elektorale.

    1. eddy says:

      ne radhe te pare zoti rexhep posti i kryetarit te bashkise se tiranes eshte me i larte se postet ministrore te zotit basha ne te kaluaren shqiperia eshte tirana per mua dhe eshte e vertet qe posti i krytarit te bashkise se tiranes eshte i barabarte me kryemisistrin ndaje analiza juaj fillon gabim qe ne fillim – basha edhe vete e di qe eshte i humbur por kam pershtypjen qe per ju dhe rama nuk e justifikon

  2. plaku says:

    Une personalisht jam nje njeri i thjeshte, as historian, as politikan dhe as publicist. Une mendoj se thenia e ministrit tone te jashtem :

    ” se ideja për bashkim midis shteteve apo ndryshimi i kufijve është e dëmshme për Ballkanin Perëndimor dhe idetë e tilla Tirana zyrtare nuk i mbështet!

    eshte e drejte po te marrim parasysh kushtet ne te cilat u arrit pamvaresia e Kosoves. Mjafton te shifni se sa vende te botes e kane njohur pamvaresine e Kosoves. Une mendoj qe bashkimi i Kosoves dhe Shqiperise te behet kur te piqen kushtet, ne kuptimin qe te dy shtetet te futen ne BE dhe pastaj te shifet mundesia e bashkimit. Me sa di une ne politike ka objektiva te aferme dhe objektiva te largme ose si te thuash taktike ( per veprime per kohe te shkurter ) dhe strategji ( per veprime visionare ). Mendoj se nuk eshte thjesht qe ne se kosovaret dhe shqiptaret e Shqiperise jane dakord, atehere te behet bashkimi. Ne Ballkan ka edhe vende te tjere qe jane me te fuqishme se Kosova dhe Shqiperia. Si do ishte reagimi i tyre.Ballkani dhe Europa kane nevoje per stabilitet dhe jo luftra. Mendoj se Kosova eshte si nje foshnje e sapolindur, e cila duhet trajtuar me kujdes, per momentin ka semundjet e foshnjerise, te lihet te ritet e forcohet dhe pastaj ne kuadrin e BE te bashkohet me Shqiperine.

  3. beso says:

    Ke te lesh e ke te marresh…Lulezimin poi s’e bene kryetar te baskise se Tiranes do ta bejne President Republike,se ky i ka mbetur pa provuar.Merr Haxhiun e Nastes dhe e çon te thote dokrra ne Kosove;shyqyr qe nuk mbajti kumtese per Milosh Kopiliqin,se do ta kish ndritur fare.Nuk e kuptoj pse zyrtaret e shkoqur te Tiranes nxitohen te thone se ne Ballkan nuk do kete ndryshim kufijsh,a thua se keto gjera varen nga detyra e tyre zyrtare?Profesor Qosja,imagjino qe Lul basha ishte minister i Jashtem perpara ketij dhe ishte i hatashem fare;e vetmja fitore e tij si minister i jashtem ishte qe ia doli ti shpetonte nje gjyqi ku akuzohej si hajdut,duke u justfikuar se s’kishte kohe te paraqitej ne gjyq se ishte i zene me diplomacine.

  4. eli-Tiv says:

    …formalisht L.B eshte politikani me i sukseshem ne Shqiperi….shume me i suksesshem se Saliu duke llog. edhe moshen e tij te re , Saliu ngelet shume mbrapa….Saliu mund te pretendoj se ” une e berra”…por kjo nuk eshte e vertete !!…Luli me sa duket ka vlera “perdorimi ” te larta qe Saliu nuk i ka…Saliu mbeti ne kufijt e nje mjeku sherbetor qe qesh e perulet si servil.me tutje ishte ndryshimi i sistemeve—anarkia….Luli hyri ne politik me te qeshur…e kollaj fare…Luli vjedh -genjen-vret pa c’ka eshte qesharak…po me tutje??

  5. halo says:

    I dashur Profesor je nje patriot i vertet me zemer te paster ,bashkimin e trrojeve te gjithe e duam edhe nuk duhet te kemi frike te themi ate qe ndjejm ,si nje komentues i thjesht qe jam me behet zemra mal kur nje njeri i nivelit tend e thote kete hapur,po pse more ne qe komentojm ketu ne forum do bejm politike jd duhet te kerkojm bashkim ose jo? po flisni more hapur se ajo qe duam eshte nje e drejte qe na takon se per ibraim rugove e dime shume mire se cburre ka qene ,kelysh is saliut ka qene gjithmon

  6. AlbinoBlackSheep says:

    Z.Qosja faleminderit qe jeni aktiv ne keto kohe kur na nevojiteni me shume.Por eshte gati e pabesueshme injoranca dhe verberia e shumices se shqiptareve te Kosoves perkundrejt ngjarjeve politike dhe figurave politike ne Shqiperi. Kam lexuar komente qe me vinte turp te thoja qe jam e njejta rrace me keta shqiptare te Kosoves.Njerez qe gezonin qe policia vrau kater te pafajshem ne shesh me 21 Janar. Keta njerez harrojne se kush u hapi dyert kur serbi u ripte lekuren.

  7. LORA says:

    Ju falemnderit I dashur Profesor Qosja per angazhimin intelektual ne shqetesimet e medha qe po kalojme ne Shqiperi.Ne rendin e argumenteve te 21 Janarit,qe sillni ketu,dua te shtoj edhe gazin helmues qe asfiksoi demostruesit e sidomos te moshuarit.Une isha atje,ne bulevardin Deshmoret e Kombit kur qeveria kusare dhe ilegjitime ju sul me gaz e shkopinjte e gomes e me plumbat 9-milimetersh demostruesve;e pashe si u kositen burrat me duar ne xhep e si gjaku i tyre e riktheu kujtimin e deshmoreve te rene per lirine e Atdheut tim.Gazi qe u hodh(nuk kishte bere vaki nje e tille gjeme)ishte edhe helmues edhe lotues,packa se media thote vetem lotues.Ky krim e ka autorin te njohur per shumicen e shqiptareve ,L Bashen e DR.Tyryry-ne qe drejtonin ne zyrat e kulles kryeministrore operacionin makaber.
    L.Basha eshte targjikomik ne kete kandidim per lekuren e tij e krimineli per shmicen e popullit te Tiranes e gjithe Shqiperise.Mos u brengosni i nderuar Profesor,eshte e qarte si drita e dielit kjo ceshtje si sfida me kriminelin, e kusarin ,e puthadorin si me Esad pashe Toptanin.
    Sa per deklarimet langaraqe te Haxhinastos ne Kosove ju them se do te treten si kripa ne uje sepse shume shperjt nahija e Haxhinastos do te ngulitet ne kujtesen historike te shqiptareve si nahija e kusarise me bllok ne dore e do te flaket atje tek e ka vendin nga shqiptaret.Ju uroj pune te mbare e te frytshme si gjithmone per hapesiren shqiptare.

  8. devolliu says:

    I NDERUARI PROFESOR REXHEP QOSJA; je një atdhetar i vërtetë, shkrimtar i madh, historian e filozof i klasit ndërkombëtar:
    Juve jeni nderi e krenaria e Shqipërisë.
    Të falënderojmë për ato që ke bërë e po bën për Kombin Shqiptar.
    Dashuria për Atdheun ju bën Juve, i nderuar profesor, që të merreni edhe me të paudhët tradhtarë të urryer e kriminelë, si vrasësi Sali Geddaf Gërdec Gërdalla por edhe me ca dallkaukë, vegla qorre të tij, si puna e lulërve e haxhinastove, të cilët dijnë vetëm të hanë përshesh në sahanët e pistë të rregjimit fashist të Saliut.

  9. raimondi says:

    Brilant eshte Qosja ne analizen e tij , dhe me teper duhet vleresuar angazhimi i tij ne politkiken shqiptare si fenomen qe duhet perkahur nga gjithe intelektualet ,sepse vetem keshtu i sherbejne Shqiperise per nje te ardhme me te mire

    Keshtu sic flet Qosja duhet te angazhohen te gjithe dhe te flaisn e te shprehin mendimet e tyre per shqetesimet qe kalon vendi yne , te japin edhe zgjidhjet e tyre per situaten politike qe kalojme

    ——Te mos rijne indiferente sikur jane te huaj ne vendin e tyre

    —-Ai Haxhinasto eshte nje fytyre e piste –Por ca ti besh Sales qe e ka mbushur qeverine me spiune te deklaruar te grekut dhe ata do i nxjerin turinjte e tyre te piste sa here ju jepet rasti

    Ndesa Basha eshte teper i ri dhe dihet kur je i ri edhe gabon …..

    Per ngjarjet e 21 Janarit fajin e ka Sala me shume se Basha, megjithate edhe Basha ka fajet e tij … .

  10. artemis7 says:

    x Plaku-n: Eshte e qarte qe qenke i indoktrinuar me propagande qeveritare qe ‘rastesisht’ perkon edhe me propaganden serbe e greke,perrallat e perhershme te futemi ne be pastaj bashkim,me vjen plasja qe kemi popull kaq te trashe,pse smendoni me koken tuaj e jo me ate te politikaneve qe kane 21 vjet qe akoma sju kane futur ne be.Haxhinasto qe ta dish ti mer plak ka qene ambasadori jone ne Beograd.Eshte aktualisht zevendesi i Metes,qe ne rast se vendoset drejtsia ketu e i nxirret urdher arresti ta dish se ne Beograd do fshihet.Po bagetite si puna jote qe fatkeqesisht jane ne mazhorance ne Shqiperi,nuk i bejne pershtypje keto detaje te vogla (si psh vizita jozyrtare e Metes si minister i ekonomise ne beograd),mosprezenca e tij ne gjykaten nderkombetare ku u shpall e ligjshme pavarsia e kosoves.Paska te drejte Haxhinasto Serbi,qe ka 21 vjet qe sna fute ne evrope,e guxon edhe te thote se bashkimi eshte i rrezikshem.Te mirat e bashkimit kombetar jane te menjehershme e te pakrahasueshme me perfitimet(si dhe detyrimet) e vogla nga anetarsimi ne be.ZGJOHUNI bageti zgjohuni.

    1. plaku says:

      I dashur artemis7,
      Ne parim jam dakord me shkrimin tend por kisha keto verejtje :
      – Une jam per PS dhe jo per PD.
      – Qe te futesh ne BE duhet te plotesosh disa kushte ne planin, ekonomik, juridik etj. Ti e di vete se cfare niveli ekonomik, juridik dhe kulturor ndodhet Shqiperia. Asnje vend anetar i BE nuk don te paguaje qe Shqiperia te arrije sa me pare nivelin e duhur.
      – Mensoj se nuk eshte mire te me quash bageti, m.q.s. kam nje mendim (ndoshta te gabuar ) qe nuk perputhet me mendimin tend te cilin une e respektoj dhe nuk e ofendoj.
      – Ilir Meta nuk ishte prezent ne gjykaten nderkombetare ku u shpall e ligjeshme pamvaresia e Kosoves sepse ai thjesht NUK U FTUA atje. Ky eshte nje fakt tjeter qe provon edhe nje here se cfare peshe kemi ne si shtet ne politiken europiane. Une mendoj se ne duhet te jemi realiste dhe te mos shofim endera me sy hapur.
      – Jam plotesisht dakord me ty se te mirat e bashkimit kombetar jane te menjehereshme e te pakrahasueshme me perfitimet e vogla nga anetaresimi ne be. Por kjo gje duhet te behet me mencuri dhe maturi dhe ne asnje menyre jo si nje veprim kamikaz.
      – Se ku do fshihet Haxhinasto, per mua nuk ka rendesi, rendesi ka qe ky njeri te largohet sa me pare nga politika shqiptare.

  11. artemis7 says:

    Pse te ‘la’ Greqia te futesh ne Nato,edhe eshte shprehur madje pro antarsimit te Shqiperise ne BE,nga ana tjeter sot e gjithe diten ben plane si te na zhbejne e te na zhdukin.Po per bashkim kombetare a i jep leje Rames te prononcohet?! Kurrsesi se ato e kane shume te qarte se bashkimi i Shqiptareve do te thote vdekje e planeve te tyre te erreta,per Nato e Be as i plas fare.

  12. Blini says:

    Moj e mira që shkon me vica, cka je majë si muzat, Rrushe Rexha n`divanhane, pordhi kali n`derë t`hanit.
    Me këta rrjeshta, që s`kanë asnjë lidhje logjike me njëri tjetrin, do të mund ta ilustronim shkrimin e akadem Qosjes. Titulli i shkrimit nuk përputhet fare me përmbajtjen ose thënë më qartë titullit të këtij shkrimi i përgjigjet vetëm 10 – 15% e shkrimit, pjesa tjetër është ala Rexhepce është si ai tregimi kur studenti do të duhej të fliste për kalin e fliste për mizën sepse ate e dinte.
    Më pëlqeu shumë komenti i vinny, cdo lavdatë!

  13. benikuksiani says:

    ky eshte mendimi juaj zoti qosja,sepse asnje nga keto akuza qe ju beni nuk eshte vertetuar.per mua zoti basha eshte nje nga politikanet me te mire aktualisht ne shqiperi dhe jam shume i sigurt se eshte njeriu i duhur per tiranen.edi rama e plotesoi ciklin e tij dhe ska cfare jep me.sdiskutohet fare qe me teper joshet per te fituar qindra mijera euro sesa per te punuar akoma per nje tirane evropiane.

  14. Fitil Ferrnella says:

    Nuk e kuptoj kuptoj ku qendron saktesia dhe atdhetarizmi kaq i madh ne kete perralle?? Objektiviteti ne kete shkrim eshte me pak se zero sepse i jepet ze vetem nje kahu te mendimit. Nje mendimtar duhet ta rrotulloje medaljen nga te gjitha anet e saj para se te arrije ne konkluzion. Nuk me ngjalli asnje lloj ndjenje mua citimi i pankartave te PS ose i mediave te majta. Perse analizen ky akademik nuk e ben te plote duke permendur dhe analizuar edhe mendimin e pjeses tjeter te Shqipetareve??
    Nejse, e di vete ai ate pune edhe pse mendoj se nje analist duhet te jete super partes.

  15. rexha italia says:

    TE vetmen gje qe LULI munde te bente ishte qe te mose kandidonte ne TIRANE
    !1 SE KISHTE VRARE 4 PERSONA
    “2 AQE ME TEPER KUNDER EDI RAMAS
    KJO per mua eshte manovra qe bene SALIU me PD per te hequr LULIN nga qeveria
    PER MUA BERISHES I SHKON PER SHTATA QE TE QEVERISE ME EDIN E FATOSIN sesa me ILIRIN JO SE QEVERISE KEQE POR BASHKE VJEDHIN SHUME kurse me EDIN e TOSIN vjedhin pake ose lene te vjedhe vetem TOSI pastaj u ndane te tjereve

Comments are closed.

Lini një Përgjigje