Zyrtarë të Bankës Botërore kanë bërë me dije se ekonomia do vijojë të rritet në vitin 2011 në vendet e Europës Lindore, por disa vende kërcënohen nga rritja e çmimeve të ushqimit dhe energjisë. Ndër këto vende të kërcënuara përfshihen Shqipëria dhe Kosova. Problemi i çmimeve duket se është mjaft i madh në vend, madje tashmë sipas BB, ai kërcënon edhe ekuilibrat makro- ekonomikë. Por në Shqipëri, kryeministri po krijon një tjetër gropë të zezë. Pas rrugës Durrës- Morinë, e cila shkaktoi një tërmet në financat shqiptare, tashmë bëhet fjalë për rrugën Tiranë- Elbasan. Një dokument zyrtar i Ministrisë së Financave tregon sesi Kryeministri Berisha rrëzoi variantin e propozuar nga ministri Ridvan Bode lidhur me reduktimin e borxhit gjatë periudhës 2011-2013 pikërisht për këtë rrugë. Ndërtimi i rrugës parashikon të kushtojë rreth 460 milionë dollarë, ndërsa Ministria e Financave ka mundur të sigurojë vetëm 223 milionë dollarë nga bankat arabe, kurse pjesa tjetër po negociohet. Nisur nga shifra, e pranuar nga vetë Kryeministri javën e kaluar në fushatën elektorale në Elbasan, llogaritet që për ndërtimin e rrugës do të shpenzohen të paktën 14 milionë dollarë për çdo kilometër (në total 31.7 km).