Mazhoranca dhe opozita kanë akuzuar njëra-tjetrën gjatë seancës së sotme lidhur me propozimin e qeverisë për amnistinë fiskale. Partia Socialiste është shprehur kundër projektligjit të propozuar nga qeveria për amnistinë fiskale.
Duke folur në seancën plenare të Kuvendit, deputetja e PS-së Mimi Kodheli, ka theksuar se projektligji i amnistisë nuk është gjë tjetër përveçse një pazar qeveritar, i cili nuk kërkon të zgjidhë problemet e biznesit, por bëhet për fushatë elektorale.
“Ne jemi kundër sjelljes të dy projektligjeve që përplasen me njëra-tjetrën. Kjo është një tentativë për ta bërë opozitën fajtore që nuk bëhet palë e një pazari qeveritar” theksoi Kodheli.
Nga ana tjetër, kryeministri Berisha ka thënë se kupola afër Ramës, ka dhënë urdhër që ky ligj të mos kalohet për miratim në Kuvend.
Kryeministri Berisha ka akuzuar kreun e PS-së Edi Rama se ka udhëruar grupin parlamentar që të mos votojë ligjin për amnistinë fiskale pikërisht se janë përjashtuar nga kjo amnisti krerët e Sh.p.k-së të cilët ndodhen në kupolën e PS-së.
“Krerë të kupolës duan që të amnistohen paratë e politikës, por, nëse mendoni që ne do amnistojmë këto para që vijnë nga krimi dhe droga, gaboheni” tha Berisha gjatë fjalës së tij në parlament.
Pas debateve të shumta, ligji për amnistinë fiskale është miratuar vetëm me votat e mazhorancës, ndërkohë që opozita e ka bojkotuar votimin e këtij ligji.