Ish-presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka thënë se Koalicioni për Kosovën e Re do të lëshojë qeverinë Thaçi, në qoftë se PDK-ja nuk ia krijon hapësirën e veprimit, ku përfshihet edhe programi i paraqitur disapikësh. Ai, duke folur për emisionin “Rubikon’ që transmetohet sonte në KTV, theksoi se do të mund të kërkohej edhe një mocion votëbesimi në qoftë se anashkalohet koalicioni i AKR-së. Pacolli, ka thënë se do të pranojë postin e numrit dy të qeverisë pas plotësimit të kushteve, por ky post nuk do të jetë edhe obligues për pjesëmarrje në mbledhjet e qeverisë, pasi që kjo, sipas tij, do të ishte humbje kohe dhe shkurtim i produktivitetit. Për herë të parë, ish-presidenti, ka bërë të ditur se dy ministrat e rinj të AKR-së do të jenë Ibrahim Makolli dhe Ibrahim Gashi, i pari si ministër i Diasporës, kurse i dyti mbetet të përcaktohet. Gjithashtu, Pacolli, ka bërë të ditur se do të garojë në zgjedhjet e ardhshme presidenciale, kur presidenti i vendit do të zgjidhet drejtpërdrejt nga votat e qytetarit. Ai, shtoi se për këtë, do të kërkojë ndihmën edhe të kryeministrit Thaçi, ndoshta duke qenë edhe kandidat i PDK-së.
Pacolli në Rubikon ka zbuluar edhe se kryetar i AKR-së do të jetë ndonjë person tjetër, kurse vetë do të mbetet në cilësinë e liderit të Koalicionit për Kosovën e Re. Këtë e ka thënë për herë të parë dhe se ende nuk ia ka kumtuar as anëtarëve të partisë.
“KD”