E vërteta e naftës së Berishës për Millosheviçin

3 Maj 2011, 15:34Politika TEMA

Nga Rexhep Qosja

Kur Kuvendi s’është i popullit

Sa janë të pavarur me mendimet, me vlerësimet dhe me sjelljet e tyre deputetët e Kuvendit të Shqipërisë?
Përgjigjja e vetme e drejtë, objektive, është: aspak.
Sa janë të pavarur me mendimet, me vlerësimet dhe me sjelljet e tyre deputetët e Kuvendit të Kosovës?
Përgjigjja e vetme e drejtë, objektive, është: herë aspak e herë pak, por gjithsesi pak më të pavarur sesa deputetët e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.
Deputetët shqiptarë, ndoshta deputetët e vetëm në Evropën e sotme, për punën e tyre politike dhe shoqërore nuk u përgjigjen atyre që i kanë zgjedhur, por partive prej të cilave janë zgjedhur kandidatë për deputetë.
Në qoftë se është kështu, në qoftë se, pra, deputetët e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë e pjesërisht edhe deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, për punën e tyre politike dhe shoqërore nuk u përgjigjen atyre prej të cilëve kanë marrë votat dhe janë zgjedhur deputetë, po partive prej të cilave janë kandiduar për të hyrë në zgjedhje për deputetë, atëherë mund të thuhet: në jetën politike, shoqërore dhe shtetërore të popullit shqiptar sot nuk kemi deputetë, që mund të quhen deputetë popullorë, po deputetë që duhet të quhen deputetë partiakë.
Teorikët e shtetit dhe të demokracisë, kuvendet e tilla, të cilat janë të përbëra prej deputetëve të quajtur deputetë partiakë e jo deputetë popullorë, i quajnë, po ashtu, kuvende partiake e jo popullore.
Rrjedhimisht: populli shqiptar në Shqipërinë shtetërore dhe, pjesërisht, në Republikën e Kosovës, sot është i përfaqësuar prej deputetëve që nuk janë deputetë popullorë po deputetë partiakë. Kjo është njëra prej arsyeve, natyrisht vetëm njëra prej arsyeve, pse në jetën politike, shoqërore dhe shtetërore shqiptare sot nuk mund të flasim për qeverisje demokratike moderne, por, në radhë të parë, për sundim partitokratik. Haraçin e këtij sundimi, natyrisht, e paguan populli.
Pse mund të thuhet kështu?
Mund të thuhet kështu sepse në demokraci sendërtohet qeverisje për të mirën e të gjithëve, kurse në partitokraci qeverisje për të mirën e pjesëtarëve të partive sunduese, në rastet më të shpeshta për të mirën e klasës sunduese partiake dhe poltronëve të saj.
Mund të thuhet kështu sepse në sundimin e partitokracisë sonë është bërë mënjanimi i plotë i qytetarëve prej vendimmarrjes demokratike për çështjet kryesore të jetës së tyre dhe prej çdo kontrolli ndaj pushtetit!
Sesa e vrazhdë dhe sesa e paskrupuj është kjo partitokraci në kushtet e shoqërisë sonë ende kryesisht të mbyllur, në kushtet e tribalizmit tonë ende kryesisht të patejkaluar, rrejshëm të mbuluar me nocionet demokraci, integrime evropiane, integrime evroatlantike, identitet evropian, vlera evropiane, kulturë evropiane dhe me emrin e përveçëm Nëna Terezë, para së gjithash tregojnë sjelljet e saj të përditshme – të partitokracisë, shkeljet e Kushtetutës dhe të ligjeve, gjuha fyese dhe kërcënuese e rrugaçërisë e përdorur edhe në Kuvend, uzurpimi i disa medieve dhe kërcënimet ndaj të pauzurpuarave, rrenat e padrejtësitë e përditshme, korrupsioni në të cilin noton, privilegjat e shumta që paturpshëm gëzon, numri i poltronëve intelektualë me të cilët është rrethuar, padrejtësia arrogante ndaj të vegjëlve e të varfërve dhe servilizmi i neveritshëm ndaj të huajve. E të tjera.
Të gjitha këto veçanësi dëshpëruese të partitokracisë sonë i dëshmojnë edhe reagimet keqardhëse ndaj tyre të ambasadorëve evropianë në Tiranë, në mënyrë të veçantë reagimi i ambasadorit të Danimarkës – para një kohe dhe reagimi i ambasadorit të Holandës – para pak ditësh.
Fatkeqësisht, ndaj këtyre veçanësive, sjelljeve e veprimeve të partitokracisë sonë nuk po reagon as si duhet, as kur duhet edhe ambasadori i ri i SHBA-së në Shqipëri, Aleksandër Arvizu. Ndryshe prej paraardhësit të tij shumë të nderuar në shoqërinë shqiptare, Xhon Uidhers, ambasadorit Arvizu po i ndodh të përkrah kur e kur edhe të paligjshmen, kur e kur edhe të padrejtën, kur e kur edhe dhunëtarët e më së shpeshti djallin dhe të birin e tij.
Dëshpërimi im ndaj tij është aq i madh saqë ishte adhurimi im ndaj paraardhësit të tij.
Si është e mundshme të ndodhë kjo sot, njëzet vjet pas rënies së komunizmit? Si është e mundshme që populli shqiptar, i cili dyzet e pesë vjet ishte i sunduar prej totalitarizmit njëpartiak komunist që ishte shumë shtypës e i dhunshëm, por jo shfrytëzues dhe degjenerues si i sotmi – tani, njëzet vjet pas rënies së komunizmit, të jetë prapë i sunduar prej totalitarizmit, por tani prej një totalitarizmi tjetër: prej totalitarizmit shumëpartiak? Ja që është e mundshme?
Është çudi e Zotit se si dhe pse populli shqiptar, pas përvojës me totalitarizmin njëpartiak komunist, po sillet me mënjanëri (indiferencë) ndaj totalitarizmit të sotëm shumëpartiak shumanshëm të padurueshëm.
Deri kur?

Gënjeshtra e përsëritur
Siç dihet, mashtrimet dhe gënjeshtrat mund të jenë të llojllojshme dhe mund të jenë të llojllojshme sepse edhe motivet pse bëhen mund të jenë të ndryshme. Autorët e mashtrimeve dhe të gënjeshtrave ndonjëherë rrejnë për shkak të leverdive materiale, ndonjëherë për shkak të leverdive politike e, ndonjëherë, thjesht për qejf, sepse mashtrimi dhe gënjeshtra janë qenia e tyre.
Pavarësisht prej motiveve për shkak të të cilave bëhen, mashtrimet dhe gënjeshtrat herë tregohen shumë serioze e herë shumë qesharake.
Më nxiti që t’i harxhoj këto fjalë, një gënjeshtër që para pak ditësh, në njërin prej televizioneve të Tiranës, jo, më falni, në disa televizione të Tiranës, bëri kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha. Ishte kjo një gënjeshtër e tij e radhës, aq e nëpërdukshme, aq foshnjërake, aq qesharake, saqë, ata që e dinë të vërtetën, nuk do të mund ta dëgjonin pa qeshur të madhe dhe pa pyetur veten: a është në vete ky njeri?
Megjithëse ashtu e nëpërdukshme, ashtu foshnjërake, ashtu qesharake kjo gënjeshtër mbështetej në një paramendim larghedhës: me atdhetarizmin e gënjeshtërt, të mbajtur në përmbajtjen e saj, ajo u qitej përpara si karrem dëgjuesve shqiptarë, në mënyrë të veçantë dëgjuesve shqiptarë në Kosovë! Dhe, pikërisht ky atdhetarizëm mashtrues, ky atdhetarizëm karrem, e bënte këtë gënjeshtër më të padurueshme, në të vërtetë më fyese për disa nga dëgjuesit, por më të shijshme për disa nga dëgjuesit e tjerë, sidomos, në Kosovë.
Cila është kjo gënjeshtër e kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, ç’është e vërteta, e shqiptuar prej tij jo për herë të parë?
E paraqitur pa thonjëza, gënjeshtra ka këtë përmbajtje:
Duke e ditur se Serbia, e vënë nën bllokadë ekonomike me vendimin e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, megjithatë, po furnizohej me naftë përmes Danubit prej anës së Rumanisë, unë kisha vendosur të furnizoj Kosovën dhe Malin e Zi me naftë.
Në shpjegimin pasues kryeministri do që t’ua mbushë mendjen dëgjuesve dhe shikuesve të tij se sa dhe pse ishte i vendosur që t’i ndihmonte Malin e Zi dhe Kosovën: Malin e Zi për arsye të fqinjësisë së mirë dhe marrëdhënieve miqësore, kurse Kosovën për arsye të atdhetarizmit!
Nuk ka dyshim se kjo gënjeshtër e kryeministrit Sali Berisha do të mund të pranohej si e vërtetë prej ndonjë afrikani, aziatiku a australiani, që nuk ishin të interesuar të dinë se çka po ndodhte në ish Jugosllavinë në dhjetëvjeçarin e fundit të shekullit të njëzet dhe që nuk kishin ditur se Kosova do të jetë nën sovranitetin e Republikës së Serbisë e të Jugosllavisë së mbetur (Serbia dhe Mali i Zi) deri më 12 qershore 1999, kurse Mali i Zi deri në vitin 2006 kur me referendum del prej asaj Jugosllavie. Duke mos qenë sovrane, në të vërtetë duke qenë e pushtuar prej Republikës së Serbisë dhe prej Jugosllavisë së mbetur, pas viteve të nëntëdhjeta duke qenë e shkelur prej një numri të shtuar njësishë policore dhe ushtarake serbe (dhe malaziase) Kosova në atë kohë nuk mund ta dispononte lirshëm asnjë pasuri të veten e aq më pak mund ta dispononte naftën që gjoja i dërgohej , e cila aq shumë i nevojitej Serbisë dhe Jugosllavisë së mbetur për luftën në të cilën ishte e zënë në Kroaci, në Bosnje e Hercegovinë dhe do të jetë e zënë shpejt edhe në Kosovë. Në shërbim të luftërave në të cilat Serbia dhe Jugosllavia e mbetur ishin të zëna në Kroaci e në Bosnje e Hercegovinë ishin të vëna edhe pasuritë e Malit të Zi. Nuk është e çuditshme, prandaj, pse cisternat e mbushura me naftën e çuar prej Republikës së Shqipërisë, në të vërtetë prej Sali Berishës, që krijonin kolona të gjata në Shtoj të Malit të Zi, nuk do të vazhdojnë për Kosovë po për Kralevë, Kragujevc, Nish e Beograd, kurse vetëm, një numër i vogël i tyre do të ndalet në Podgoricë (atëherë Titograd) për nevojat e vetë Malit të Zi. Në këtë mënyrë kryeministri i sotëm i Shqipërisë, Sali Berisha, atëherë kryetari i Shqipërisë, Sali Berisha, deshi s’deshi po e furnizonte makinerinë ushtarake të Millosheviqit me naftë shqiptare dhe po i bënte të mundshme asaj të jetë edhe më vrastare në Kroaci, në Bosne dhe së shpejti në Kosovë. Unë, sot, nuk mund ta di saktë sa djali dhe sa vajza kosovare janë vrarë nga xhipat plot policë serbë e malazias, nga autoblindat dhe tanket e policisë e ushtrisë së Sllobodan Millosheviqit, por unë e di se shumë djem e vajza kosovare janë vrarë me armët e policëve, ushtarëve dhe paraushtarakëve të Sllobodan Millosheviqit, makineria vrastare me të cilën lëviznin ata ishte ushqyer me naftën që u çonte kryetari i Shqipërisë, Sali Berisha!
Po nuk është ky i vetmi fryt i zi i politikës së kryetarit të atëhershëm të Shqipërisë, Sali Berisha. Fryte të zeza të politikës së tij, që dëshmojnë tepër qartë se çka krejt ishte në gjendje të bënte kryetari i Shqipërisë, Sali Berisha, vetëm e vetëm për t’u mbajtur në pushtet, duke ia dhuruar Kosovën Serbisë, ka shumë, shumë më tepër. Për disa prej këtyre fryteve të zeza kam shkruar më herët unë, por më gjerësisht kanë shkruar edhe të tjerë.
Dhe, do të shkruhet më shumë, më gjatë dhe me dëshmi konkrete mbasi Shqipëria të çlirohet prej autoritarizmit despotik dhe prej gënjeshtrave dhe mashtrimeve si kjo që u trajtua në këtë mes të kryeministrit të sotëm të Shqipërisë, Sali Berisha.
Dhe, kjo ditë është gjithnjë e më e afërtë.

Bisedimet shqiptare-serbe

Po vazhdojnë bisedimet midis përfaqësuesve të Kosovës dhe përfaqësuesve të Serbisë.
Dhe, po vazhdojnë po thuaj sipas itinerarit që ishte caktuar para se të fillonin.
Bisedimet po vazhdojnë ndërsa reagimet partiake dhe vetjake ndaj tyre janë rralluar.
Dhe, kryesisht, janë paqesuar.
Nuk dihet sigurt se sa do të zgjasë vetëpërmbajtja e reaguesve qoftë në Prishtinë, qoftë në Beograd.
Para se të fillonin bisedimet, reagimet ndaj tyre përmbanin shumë çka: refuzimin e tyre të plotë prej shumicës së partive tona parlamentare; refuzimin e tyre prej shumicës së vetjeve që e quanin të nevojshme dhe të arsyeshme të reagojnë; refuzimin e tyre për shkak të bindjes se prej tyre vetëm Serbia përfiton dhe përfiton, në radhë të parë, për integrimin më të shpejtë në Bashkimin Evropian; refuzimin e tyre për shkak të mosbesimit të reaguesve ndaj qeverisë së Kosovës; refuzimin e tyre për shkak të mosbesimit ndaj përfaqësueses sonë në këto bisedime; refuzimin për shkak të mosbesimit në sinqeritetin e faktorëve ndërkombëtarë, që ishin paracaktuesit e këtyre bisedimeve.
Kishte në këto reagime edhe sinqeritet, edhe dyfytyrësi, edhe atdhetarizëm të përkushtuar, por edhe atdhetarizëm të shtirë.
Shpejt gati të gjithë reaguesit e kuptuan se bisedimet duhet të mbahen dhe duhet të mbahen, para së gjithash, për arsye se mbajtja e tyre është kërkuar prej faktorëve ndërkombëtarë,në radhë të parë prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj të cilave jo vetëm institucionet politike e shtetërore të Kosovës, por edhe çdo shqiptar i Kosovës duhet të jetë i perkushtuar dhe të mos harrojë kurrë se ato kanë bërë për ne çka nuk ka bërë, kurrë, asnjë shtet në botë. Dhe, jo vetëm për këtë arsye shqiptarët nuk mund t’ia lejojnë vetes luksin që të refuzojnë rendin e ditës të veprimtarisë politike të mikut të vet më të dëshmuar në histori.
Shpejt gati të gjithë e kuptuan se bisedimet duhet të mbahen edhe për arsye se Kosova dhe Serbia janë dhe do të jenë gjithmonë fqinjë. Gjeografia dhe historia janë përcaktuese të fqinjësisë së tyre. As Kosova nuk mund ta çojë Serbinë diku në Azi, por as Serbia nuk mund ta çojë Kosovën afër Rumanisë apo diku në Australi! Me fqinjët, zakonisht, është e nevojshme të bisedohet edhe kur nuk të bisedohet, edhe kur me ta nuk je ende i pajtuar siç nuk jemi ne ende të pajtuar me Serbinë për shkak të krimeve të shumta e të rënda që ka bërë regjimi i saj në Kosovë në luftën e fundit.
Shpejt gati të gjithë reaguesit u liruan prej mosbesimit ndaj qeverisë së Kosovës, por edhe rej mosbesimit ndaj përfaqësueses së Kosovës në bisedime. E kuptuan, megjithëse mund të besojmë se e dinin edhe më parë, se Kosovën nuk mund ta duan më shumë se Hashim Thaçin e Jakup Krasniqi dhe nuk mund ta duan më shumë se ata qoftë edhe pse nuk kanë luftuar si ata për lirinë dhe pavarësinë e saj qoftë pse, disa prej tyre, nuk kanë luftuar fare për lirinë dhe pavarësinë e saj, qoftë pse disa prej tyre ishin kundër luftës çlirimtare! Dhe, e kuptuan se përfaqësuesja shqiptare në bisedime, Edita Tahiri, është vetja, për një varg arsyesh, me mend e përzgjedhur për të kryesuar grupin tonë në këto bisedime.
Mbeti vetëm një reagues i papajtuar me bisedimet shqiptare-serbe. Ai vazhdon të kërkojë ndërprerjen e bisedimeve. Nuk e di a mendon se ajo që kërkon ai – ndërprerja e bisedimeve nga ana jonë, do të cenonte marrëdhëniet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me Bashkimin Evropian, domethënë me dorëzanët tonë edhe në këto bisedime. Argumentet e tij janë lehtë të përmbysshme, por, megjithatë,edhe për një mospajtues të tillë duhet të ketë jo vetëm vend, që ia ka siguruar populli me vota, por edhe tolerancë në Kuvendin e Kosovës.
Bisedimet do të zgjasin më shumë se ç’mendohej në fillim, natyrisht, në qoftë se nuk i ndërpret ndonjë e papritur. E të papriturat në bisedimet shqiptaro-serbe kurrë nuk mund të jenë plotësisht të parashikueshme.
Një prej këtyre të papriturave u shfaq këto ditë.
Përfaqësuesi i Serbisë në bisedime tha, papritmas, se Serbia nuk e përjashton mundësinë e bisedimeve për, si u shpreh ai, ndarje të Kosovës, që ne në Prishtinë i themi: lëvizje e një pjese të kufirit midis Kosovës dhe Serbisë.
Reagimet e përfaqësueses sonë dhe, në përgjithësi të institucioneve tona, ishin shumë të prera: nuk mund të ketë ndarje të Kosovës. Domethënë: nuk mund të ketë lëvizje të një pjese të kufirit midis Kosovës dhe Serbisë.
Unë, ndërkaq, shtroj pyetjen: po përse të mos ketë jo ndarje, po lëvizje të një pjese të kufirit midis Kosovës dhe Serbisë? Po të isha përfaqësues i Kosovës në këto bisedime unë do t’u thosha përfaqësuesve të Serbisë: po, zotërinj, edhe ne e pranojmë idenë e lëvizjes së kufirit në dy pika midis Kosovës dhe Serbisë. Ju kërkoni që Mitrovicën Veriore me zgjatimin e saj gjeografik verior t’ia bashkoni Serbisë, sepse do të thoni, serbët janë shumicë atje. Ne kërkojmë që t’ia bashkojmë Kosovës Luginën e Preshevës sepse shumica e popullsisë së kësaj Lugine janë shqiptarë. Ne, madje, propozojmë që vullnetin e popullsisë në Mitrovicën Veriore dhe në Luginën e Preshevës ta provojmë me referendum.
Mund ta marrim me mend se cili do të ishte reagimi i përfaqësuesve serb ndaj këtij propozimi të përfaqësuesve shqiptarë.
Në bisedimet shqiptaro-serb, tani, mund të paraqitet edhe ndonjë e papritur tjetër, dikush mund të thotë edhe më e rëndë se e papritura e parë, kurse unë do të përgjigjesha: aspak e rëndë. Përfaqësuesit serbë mund të ngrenë çështje të paqena më çështje. Por përfaqësuesit tonë në bisedime, në vend se t’i lëshojnë bisedimet, siç ua këshillojnë disa reagues në Kuvendin e Kosovës, do të duhej t’u përgjigjen gjakftohtë, qetë, buzëqeshur, duke ua përkujtuar thënien amerikane për Kosovën: rrëfimi për Kosovën është i kryer.
Tani e tre vjet të shkuara ka filluar një histori tjetër e Kosovës: ka filluar historia e Kosovës Shtet i lirë, demokratik, i pavarur dhe sovran, i njohur prej rreth 80 vendeve në botë në mesin e te cilave edhe prej fuqive më të mëdha politike ekonomike e ushtarake – prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe prej Bashkimit Evropian dhe i shpallur i ligjshëm prej Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Ne dëshirojmë që Serbia ta njohë Kosovën shtet dhe ta njohë për të mirën e saj, të Serbisë, dhe për të mirën e Kosovës. Në qoftë se e njeh ajo Kosovën edhe Kosova do ta njohë Serbinë dhe do ta njohë për të mirën e vet dhe për të mirën e Serbisë.
Në qoftë se për shkak të kësaj çështjeje do të ndërpriteshin bisedimet, atëherë le t’i ndërpresë Serbia e jo ne – le t’i ndërpresë Serbia dhe le të paguajë çmim siç ka paguar edhe për shkak të refuzimit që të nënshkruajë Marrëveshjen e Rambujesë.
Pavarësisht prej të priturave e të papriturave që mund të shfaqen në to, bisedimet shqiptare – serbe do të sjellin pak fryte. Mjerisht. Për të sjellë fryte që u shërbejnë qytetarëve të Kosovës të të gjitha perkatësive etnike, në këto bisedime do të duhej të ishte një Serbi e liruar prej mitologjisë mesjetare per Kosovën dhe per popullin qiellor serb. Por kjo nuk është punë e lehtë sepse serbët ishin shumë gjatë, me shekuj, të pushtuar prej kësaj mitologjije.
Ne prandaj duhet të jemi të durueshëm dhe të vetëdijshëm se pas fitoreve punët e mira bëhen ngadalë.
(shkrimi eshte botuar sot ne Gazeta Shqiptare)

21 komente në “E vërteta e naftës së Berishës për Millosheviçin”

  1. rexha italia says:

    PRISHJA E EMBARGOS NE KRAHASIM ME SHITJEN E NDONJE PJESE TERITORIALE SIC BERI ME GREKUN NUK ESHTE GJE FARE PER SALIUN

  2. zjarri says:

    Litari eshte shpetimi i shqiptarve dhe shqiperis, me pare Shkelzeni,Argita, dhe me pase daja Fazllici me Salen, COHUNI COHUN NE LITAR HALABAKET..

  3. dorand says:

    xhepi duke vjelle vrer prape. nje njeri i madh ka thene qe kur arrin 50 vjec ate fytyre qe ke ate meriton. dmth sic e ke shpirtin ta con zoti fytyren. shifjani fytyren xhepit sikur i ka ik vorraxhiut prej duresh. spirtqen opotunist i mjere. problemi eshte se xhepi kur shkruan kujton se ai ashte me i zgjuari e ne jemi bagtia qe duhet te digjojme ate. xhepo ik bej cicin se asnje nuk ta var me pervec temes e gazetes shqiptare qe do te botonin edhe hitlerin po te shkruante kundra sales e lulit.

    1. plaku says:

      O deodorant, o fashist,
      C’jane keto budallalliqe qe shkruan ore derzi. Sic te thote engalndi dhe une, shko nje here meso se si shkruhet gjuha shqipe dhe pastaj hec dhe shkruaj ketu ne forum, mor i mjere.

    2. Permetaria says:

      Ore dodorant keshtu te ka mesuar partia pd, Rexhep Qosja eshte nje figure kombetare dhe nuk u bere ti te flasesh, prandaj te keshilloj te shikosh fytyren e psikopatit edhe tenden ne pasqyre. Duket niveli nga keto qe shkruan.

    3. fule says:

      Dy fjale, “Vella i mushkes”

      1. Epirioti says:

        Si eshte kjo puna e “Vellai i mushkes”, se nuk e kam degjuar ndonjehere?

      2. Spiro Cobo says:

        Jo vellai i mushkes, po “BABAI I MUSHKES” dmth, gomar.

    4. Claus says:

      O dorand, po perse e vulgarizon ne kete forme repliken, o rob i Zotit. Ai ka qene njeriu qe i dha gazetes tuaj emrin “Rilindja Demokratike”, ka qene nder te paret qe ka bere artikuj kunder sistemit komunist ne ate qe eshte kthyer ne fletushke sot. Ndoshta jane te reja keto qe po te shkruaj. Uroj te jene te reja per ty, se edhe meson edhe ndryshon pak mendim.

    5. Arberor says:

      dorand ti nuk je bageti, se bagetia eshte e paster, ti je pocaqi bashke me Berishen dhe Lul-in e Berishes!

  4. england says:

    Disa nga komentuesit ne kete gazete kane shume nevoje per kurse
    ne gjuhen shqipe!
    midis te tjereve eshte dhe Dorka,po ku e ke bere shkollen o lumemadh?
    ne fund te fjalise qe ti vendos pike,mundohu ta fillosh fjaline e re me te madhe
    ndersa emrat e Lulit dhe Saliut sado qe jane te urryer per shqiptaret shkruaji me te madhe.
    Per mos ti hyre pastaj gabimeve autografike qe jane ne cdo rresht!

  5. kozma says:

    dorand ja ke fut kot ,me mire thauj ndonje fakt kunder probleme qe ngre zoteria e mos u merr me fytyra se je pa hic ,ke te thuash qe nafta vajti per popullin e kosoves e jo per serbin ,apo ndonja arhument tjeter se si po merresh ti ske gjo e ul shume pazarin ,ske nivel apo s dabaton dot.

  6. Pjeter Mustakuqi says:

    England, e ke degjuar ate shprehjen shan i dhjeri te permjerin?? Me fal dorand po sa per krahasim

    1) Ti emrin tend e shkruan me te vogel, dmth as veten se respekton
    2) Fjalite i fillon me shkronje te vogel per vete keshtu qe s’na the ndonje gje te madhe po ik

  7. Pjeter Mustakuqi says:

    Kam nje pyetje per shqip folesit qe jane grupuar rreth PS dhe bejne gam gam neper forume si qen bastard rrugesh.
    Neqofte se ky ‘akademiku” Qosja qe si krahine eshte andej afer Vucidolit te famshem te mos ishte kunder Sales a do ishit kaq mbeshtetes te flakte ju qe s’ja keni lexuar ndonje liber atij. Shpesh degjoj ketu kta majtacet qe shajne kosovaret, camet dhe veriun ne pergjithesi por cuditerishte kane nje respekt per akademikun Qosja pasi eshte burre shteti dhe shume i mencur por duket qart qe keta mjerane vetem i bashkon urrejtja e verbuar per avancimin e Shqiperise. Kti akademikut s’ja fershellen njeri ne Kosove dhe vjen e na shkruan nga 20 faqe ne gazetat Shqiptare sepse e di qe populli jone enverist i shkon pas avazit dhe ja perkedhel sedren prej plaku ketij njeriu qe ka 0 respekt ne Kosove.

    1. Epirioti says:

      O mustakuqo! Po mire mo, po une qe jam kunder PD-se me shume, por edhe kunder PS-se, ku te shkruaj, ne tortuar me shkumes, apo ne ditare personale. E keqja e ketij kombi jane militantizmat pa kuptim. O me PD-ne, o me PS-ne. Ore, nuk dua asnje, se i njoh nga afer fare te dyja palet. Jane njerez medioker, te deshtuar ne zanatet e tyre, te paafte, pa asnje bordero ne jeten e tyre, dhe normalisht qe e kane te thjethte te jene puthadore te Salibanit dhe Rames. Ju te tjeret qe rropateni per buken e perditshme, duhet te shfryni ndaj tyre e jo te rreshtoheni ne makabritetet qe keta politikanuc i kane bere e po vazhdojne ti bejne vendit.

      1. Pjeter Mustakuqi says:

        Epirot , une jam i djathte por jo verberisht me Pd , per PS me thene te drejten s’kam ndonje respkt te madh duke ardhur nga nje familje e persekutuar. Une ketu thjesht vura ne dukje dicka ne lidhje me ison qe i mbajne keta ketu akademikut Qosja, nga malesia e Malit te Zi me origjine dhe urrejtja ndaj Saliut, shpellar Vucidoli. Neqoftese e kane aq inat per shkak te bemave dakort por keta futin krahinizmat e atehere si kane kaq respekt per kete profesor qe rrjedh nga e njejta krahine me Vucidolin?? Une sigurisht qe shfryhem kunder tyre por sjam aq naiv te mendoj qe nje karikature si Rama te jete i denje per te na nxjerre nga mjerimi pasi edhe ai meqe ra llafi i zanatit dhe borderose para se ta mbillnin ne politike ishte nje piktor i deshtuar rrugeve te Parisit.

        1. Arberor says:

          Fatmirisisht ky “piktori i deshtuar” e ka nxjerre Tiranen merret shembull nga te gjithe, pa diskutim per ata qe dine te vleresojne!

    2. fule says:

      Ndoshta avancon shqiperia se ti mund te besh palle me nje qoshe administrate, e te falenderosh partine-meme qe te futi ne pune ashtu sic te kapi. I njohim ne keto thirrjet per qetesi, rend, perparim se u ngjiren perpara Mubark e BenAli me keto gjera. Diktatoreve dhe oazeve te tyre te lumturise kriminale do u tregohet vendi, si kudo ne bote sot. Nuk do u pelqeje perfituesve e bathoristeve te regjimit, po nuk ka kompromis me tiranine.

      sot mund t’ju duket gam gam populli, po neser mund t’ju vere ai perpara me bam bam

      1. Pjeter Mustakuqi says:

        O fyell, une sjam fare ne Shqiperi, dhe ne pune ketu ku jam me ka futur zotesia ime pasi flas nja 3 gjuhe te huaje dhe i kam mbaruar nja ca universitete neper shtete te ndryshme. Por nje ish oficer si ti ska nga te dije me shume se ty. Une emrin e kam vene Pjeter ketu por jam nga jugu me origjine keshtu qe mos u hallakat se sjam nga ato bathoristet qe thua ti. PD dhe PS ndajne pak a shume te njejtin elektorat keshtu qe mos kujton se eshte vetem bathorja me PD. Sa per dijeni ke andej nga malsia bastione socialiste dhe bathoriste si Tom Doshi qe s’lidhin dot dy fjale dhe jane pjese te PS.

    3. mic sokoli says:

      O Pjeter, per cfare avancimi e ke fjalen ti? Meqe vjen nga nje familje e persekutuar, ti duhet te jesh i pari kunder Sali palles. Jane keta njerez si Saliu ( pa karakter) qe merrnin ne qafe familje te tera duke spiunuar ne emer te partise Punes. Ketu s’na bashkon urrejtja per Salen por per fatkeqsine qe e ka zene kombin me politikane si Tosi dhe Sala. Gjithashtu meqe na qenke intelektual I shkolluar jashte, na paraqite disa fakte qe bien ne kundershtim me cfare thote profesor Qosja? Te lutem ke mundesi t’a diskretitosh fare kete artikull? Atehere une do te besoj ty dhe jo profesorin.

  8. fule says:

    I Madh je o Profesor, falenderime per sherbimin qe po i ben ketij kombi. Ja çorre masken prej Patrioti ketij mashtruesi patallogjik.

Comments are closed.

Lini një Përgjigje