Skaneri i një fushate zgjedhore

7 Maj 2011, 20:42Politika TEMA
Skaneri i një fushate zgjedhore

Të ishe opozitar këto ditë në Shqipëri nuk ishte gjë e lehtë. Megjithëse kryeministri Sali Berisha thotë se është opozita ajo që duhet fajësuar për tensionet zgjedhore, ishin pikërisht përkrahësit e opozitës që ranë pre e dhunës dhe e sulmeve, madje edhe me eksploziv e plumba.

Fushata nisi me plumba dhe u mbyll me eksploziv. Flamujt e Lëvizjes Socialiste për Integrim, që përmbytën Tiranën, hapën siparin e kësaj fushate të dhunshme. Bashkia vendosi të heqë flamujt, duke e cilësuar të paligjshme vendosjen e tyre, por të nesërmen, zyrtari i bashkisë që udhëhoqi këtë aksion, u qëllua nga një motorr ndërsa ishte në qendër të Tiranës. Për fat, plumbat e dalë nga një pistoletë me silenciator, nuk ishin fatalë për të.

Por, ishte një denoncim i bërë nga një zyrtar i lartë i policisë, që tregoi fytyrën e vërtetë të këtij pushteti. Ishte shefi i forcave speciale që deklaroi se ishte urdhëruar nga zv/ministri i Brendshëm, të çonte forcat e tij për të shtypur opozitën në Kamëz. Kaq mjafton për të kuptuar fytyrën e pushtetit.

 

Sërish Kamza

Në fund të fushatës, ishte sërish Kamza në qendër të vëmendjes. Gazeta Tema denoncoi një skandal të kandidatit demokrat për këtë bashki. Ai akuzohet se ka ngacmuar seksualisht një punonjëse. Kaq mjaftoi që personi në fjalë të nxjerrë dhëmbët. Pasi dështoi në tentativën për të zhdukur gazetën Tema nga qarkullimi, ai nisi të shpërndajë mesazhe kërcënuese, që përfunduan edhe në celularin e personit që e akuzonte për ngacmim seksual.

 

Berisha e Meta “zhduken” nga Tirana

Kryeministri Sali Berisha është zhdukur nga fushata në Tiranë, kështu ka ndodhur edhe me kryetarin e LSI, Ilir Meta. Ndërsa Berisha ka dalë nëpër rrethe, Meta nuk është parë gjëkundi. Berisha e ka shmangur Metën edhe në Skrapar, ndërsa kjo ka hyrë në histori si fushata e parë zgjedhore ku dy krerët e një koalicioni zhduken nga skena kryesore, ajo e Tiranës. Ndërkohë, Fatmir Mediu, një tjetër njollë e zezë e këtij koalicioni, e ka nxjerrë fytyrën në postera, por disa të rinj ia kanë mbuluar ato me mbishkrimin VRASES.

 

Lulzim Basha, një fushatë si hajdut dhe frikacak

 

Pavarësisht kujdesit të disa amerikanëve për të bërë ca spote të shtirura e për të larguar Berishën e Metën nga fushata e Bashës, ky i fundit bëri fushatë ashtu siç diti, siç ka bërë gjatë gjithë kësaj kohe, si hajdut e si frikacak.

Ai u tregua hajdut kur e nisi fushatën duke na vjedhur të dhënat tona personale. Në inbox-in e çdo personi që kishte ditëlindjen këtë muaj mbërriti një mesazh urimi nga ai. Berisha tha se i kishte marrë këto numra celularësh nga Facebook, duke na bërë të gjithëve për budallenj.

Më pas, paturpësisht, Basha, kur u pyet se përse nuk lejonte kamerat që të filmonin fushatën e tij në rrugë, ku askush nuk ndalohet të filmojë, na çuditi të gjithëve kur na tha se do ruante privatësinë e qytetarëve. Cilën privatësi ruan ky njeri kur na vjedh për dritë të diellit të dhënat tona personale?

Por Basha bëri fushatë si frikacak, ashtu siç di shumë mirë ai. Nuk u përball kurrë me qytetarët, me të vërtetën, ashtu siç bëri me dosjen e rrugës Rrëshen Kalimash. U fsheh atëherë pas Berishës e pushtetit politik. Edhe tani u fsheh pas kasetave të montuara. Edhe kur një pedagoge e sulmoi, si frikacak që është i nxorri përpara truprojat dhe i kërcënoi një grua të nderuar se do ia tregojë qejfin pas tetë majit. Këtu nuk ndryshon aspak nga shefi i tij, Berisha, që kërcënon e shan me prag shtëpie çdo njeri që e kundërshton. Mirëpo një fjalë thotë se frikacaku të vret, sidomos kur ka një polici e gardë nën kontroll.

 

Pasuria e pasaportat e Bashës

Kandidati demokrat ishte sërish në qendër të vëmendjes për pasurinë e tij, por edhe për një skandal me pasaportat e shumta. Ai e futi veten në një spirale mashtrimesh, pasi çdo deklaratë e tij vetëm sa e trashte zullumin. Ndoshta kurrë ndonjëherë në fushatë nuk do hyjë një kandidat me kaq shumë mëkate në shpinë, mëkati që nuk ia zbuti as një trupë gjoja intelektualësh, që u katandisën në një forum partiak.

 

KQZ nën akuzë

Edhe pse kryetari i KQZ pretendon se drejton një institucion, që vepron profesionalisht, disa vendime të Kolegjit Zgjedhor nxorrën në pah faktin se ajo jo vetëm vepron e ndarë në baza politike, por edhe se shkel ligjin me votimet që bën. Fillimisht ajo u vu nën akuzë për fletën e votimit për Tiranën, ku dukej qartazi që kishte bërë një favorizim për kandidatin demokrat. Vendimi i saj për fletën e votimit u rrëzua nga Kolegji Zgjedhor. Më pas ishte nën akuzë se vendosi për qendrat e votimit në ambiente private në Kamëz, një problem i evidentuar shpesh nga vëzhguesit ndërkombëtarë. Opozita kundërshtoi vendosjen e qendrave të votimit në ambiente private, por mazhoranca e KQZ nuk e mori parasysh këtë ankesë.

Më pas KQZ ishte në qendër të fortunës pasi vendosi të detyronte televizionet të transmetonin kasetat e montuara të kandidatit demokrat, Lulzim Basha. Kolegji Zgjedhor e rrëzoi këtë vendim të KQZ, duke i dhënë një goditje të fortë këtij organi.

Në fund të fushatës, një video e publikuar në faqen e gazetës Tema tregonte qartë se si anëtarët e djathtë të KQZ veprojnë si militantë, që favorizojnë qartazi partinë në pushtet. Një anëtar i KQZ raportonte tek Flamur Noka i PD, njësoj sikur të ishte vartës direkt i tij. Për më tepër, raportimi kishte edhe ngjyrime servilizmi.

 

Raportet e ODIHR, asgjë nuk ka ndryshuar

Fillimisht një lajm i bërë publik nga agjencia Balkan Insight, se vëzhguesit e ODIHR janë nën presion për të bërë një raport të ëmbëlsuar për këto zgjedhje për hir të stabilitetit. Më pas erdhi raporti i parë i vëzhguesve të ODIHR, pa shumë ngjyrë. Madje u duk se ODIHR po vepronte në linjën e shkrimit të botuar në Balkan Insight, kur hoqi një paragraf nga raporti fillestar, ku thuhej se Berisha po përdor inaugurimet për fushatë.

Por raporti i dytë ishte më i ashpër, i mbushur me të vërtetat e hidhura që kanë shoqëruar këtë fushatë, duke nxjerrë në pah një të vërtetë të hidhur: Raportet nuk ndryshojnë asgjë nga zgjedhjet e mëparshme, në mos janë më të ashpër. A duhet të shpresojmë që dita e zgjedhjeve do jetë ndryshe?

2 komente në “Skaneri i një fushate zgjedhore”

  1. artan says:

    Ky eshte Lul-domatja…….hahahahahahahaha

  2. toni says:

    edi edi edi edi edi edi 8 2

Comments are closed.

Lini një Përgjigje