Midis Shillës dhe Kariddit

16 Maj 2011, 13:13Politika TEMA

Nga Preç Zogaj

Shila dhe Kariddi janë dy nimfa – përbindësha të mitologjisë greke, vendosur njëra përballë tjetrës në ngushticën e tmerrshme nga duhej të kalonin anijet. Në veprën e tij të famshme “Odiseu” Homeri tregon kalimin e heroit grek në ketë ngushticë të sakrificave dhe flive. Përgjatë shekujve shprehja ” midis Shillës dhe Kariddit” ka marrë kuptimin e kalimit të pashmangshëm përmes një rreziku ku nuk mund të mos humbasësh diçka, shumëçka apo edhe gjithçka.

Teksa po lexojnë këto radhë, lexuesit e mi besoj se po mendojnë atë që po mendoj dhe unë tani. Që fitorja e katërt e Edi Ramës në bashkinë e Tiranës po kalon midis Shillës dhe Kariddit, përgjatë një numërimi të ngadalshëm, të lodhshëm dhe të tensionuar, që komandohet si një lojë shahu nga rivalët dhe shtabet respektive.

Kur të jetë shtypur në gazetë ky artikull, ndoshta “odisea” e numërimit të votave në Tiranë do të ketë përfunduar; skenën e vëmendjes dhe emocioneve popullore do ta ketë pushtuar emri i fituesit. Por nuk ka dyshim se kjo garë për Tiranën do të kujtohet dhe komentohet gjerë e gjatë.

Do të komentohet gjerë e gjatë pikësëpari, sepse Edi Rama, politikani më i regjur dhe më i rrahur në Shqipëri në betejat e mëdha zgjedhore kokë me kokë, e ka mësuar publikun të fitojë thellë. Ndërkohë që kandidati i Partisë Demokratike, Lulëzim Basha, vinte në këtë garë me precedentët e humbjeve të qarta të paraardhësve të tij partiakë përballë Ramës. Në pamje të parë, befasia e kësaj gare është diferenca shumë e ngushtë mes kandidatëve. Është e tillë në raport me garat e mëparshme, por jo në vetvete. Në qytete dhe shtete shumë më të mëdha se Tirana dhe Shqipëria ka ndodhur shumë herë që fituesi të shpallet në fotofinish. Në fund të fundit, rezultati i ngushtë barazohet me rezultatin e gjerë për sa i përket fitores dhe fitimtarit. Kjo është logjika e demokracisë. Rezultati është produkt i bashkëveprimit të një serie faktorësh dhe kundërfaktorësh. Në këtë pikëpamje, vlera apo shija e fitores nuk lidhen domosdoshmërisht me thellësinë e saj. Ka raste kur fitorja e ngushtë është më e vyer dhe ka shijen e veçantë të një dueli burrëror të barabartësh apo shijen e një risku që duhej marrë në sy e duhej kapërcyer qoftë edhe me një votë tepër.

Të gjitha këto janë pohime gjithnjë të diskutueshme. “Të padiskutueshme” në garën e 8 majit për Tiranën mbeten tani për tani dy gjëra. Së pari, numërimi i votave, që ngriti një kureshtje dhe një emocion popullor më të madh se vetë fushata elektorale: socialistët dhe opozitarët mbajtën frymën se mos lideri i opozitës, që kishte udhëhequr fitoren në pjesën tjetër të vendit, e kishte “thjeshtuar” atë me një humbje në Tiranë. Në inversin e këtyre etheve, Sali Berisha, Ilir Meta, demokratët dhe mbështetësit e qeverisë përkundën shpresën e kompensimit me Tiranën të humbjes së pësuar në pjesën tjetër të vendit. Vetëm kështu do të kishin të drejtë të pretendonin njëfarë barazimi dhe të thoshin “vazhdojmë si më parë”.

 

 

Së dyti, ajo që theksova në krye të shkrimit: kalimi i fitores së Ramës si mes Shillës dhe Kariddit. Duke ruajtur natyrën e metaforës në fjalë, po themi se “Kariddi” ishte haraçi që i duhej paguar një pushteti të mobilizuar si asnjëherë më parë, në formën e një përbetimi të shenjtë për ta rrezuar shefin e opozitës në Tiranë duke e ditur se nuk do të mund të vazhdonte më tej edhe nëse koalicioni drejtuar prej tij fitonte jashtë saj. Rama me aleatët e tij i dhanë betejë politike kupolës së pushtetit. Krerët e partive të koalicionit qeveritar, Berisha, Meta, Mediu, Idrizi e tjerë, u përgjigjen me betejë politike, pavarësisht se çfarë deklaronin në media sikur këto zgjedhje ishin vetëm vendore, ishin për flamurin kuq e zi e të tjera dokrra demagogjike.

Në të vërtetë, ata do të rreshtoheshin politikisht kundër Ramës edhe sikur ky të propozonte një fushatë puro vendore. Kështu ishin bastet kësaj here. Ata mobilizuan mjete dhe gjetje të vjetra e të reja; dikush, me sa duket, shkriu edhe pasurinë apo një pjesë të pasurisë për qëllimin e përbashkët. Në këtë histori kam përshtypjen se Lulëzim Basha ishte personi që me stafin e tij nuk bëri gjë tjetër veçse prodhoi vitrinën e përbetimit politik të kundërshtarëve, rivalëve dhe, pse jo, armiqve të Ramës. Edhe pse vetë Basha nuk e konsideron armik Ramën. Nëse numërimi i votave tregon se Basha ka marrë pak a shumë të njëjtin numër votash me partitë që e kanë mbështetur, teza ime provohet. Por në politikë kundërshari nuk ka asnjë faj. Ai është atje për të të mundur dhe nuk mund ti ankohesh apo t’i kërkosh llogari. Përveçse në rastet kur shkel rregullat e lojës dhe dispozitat e Kodit Zgjedhor. Por për këtë temë do të flasim njëherë tjetër.

Në vijim të metaforës sonë, “Shilla” ishte haraçi që Rama dhe opozita i kanë paguar vetvetes. Rama kandidoi për herë të katërt dhe kjo patjetër që nuk mund të mos kishte një kosto. Edhe gjeni të jesh, nuk e ruan dot freskinë dhe simpatinë e vjetër të njerëzve. Rama kandidoi për të fituar një post, të cilin në çështjet operative dhe ekzekutive do t’ua delegojë ndjeshëm bashkëpunëtorëve të tij. Edhe kjo nuk është pa kosto, edhe pse njerëzit e pëlqejnë delegimin e pushtetit. Rama zhvilloi dy beteja. Një në gjithë vendin dhe tjetrën si kandidat për kryebashkiak në Tiranë. E para ishte parësore. E dyta dytësore, duke qenë se fitorja e tij e katërt në Tiranë nuk konsiderohej lajm. Edhe kjo do të kishte një kosto, duke qenë se energjitë e njeriut nuk janë të pakufishme.

Krahu qeveritar, siç e kam shkruar në një shkrim tjetër, bëri katër pesë fushata komplementare në ditë kundër një njeriu që ishte Rama dhe pro një njeriu që ishte Basha. Opozita e Bashkuar, që ishte një ngjarje pas vitit 2009, nuk prodhoi dot me shumë se një fushatë e gjysmë në ditë për zgjedhjet vendore. Edhe kjo ka një kosto. Nënvlerësimi i faktorëve dhe aktorëve anësore, një lloj vetëbesimi i tepruar dhe disa dukuri të tjera të organizmit dhe kohezionit opozitar, që meritojnë të analizohen me sy kritik pas këtyre zgjedhjeve, kanë pasur ndikimin e tyre në haraçin që Rama i ka paguar “Shillës”.

Gjithsesi, si përfundim, ndërsa e la veten e tij, të afërmit, simpatizantët dhe votuesit opozitarë duke mbajtur frymën deri në fund, mund të thuhet se Rama i ka paguar pushtetit haraçin që pritej, ndërkohë që i ka paguar vetvetes dhe organizimit të brendshëm të opozitës diçka më shumë se sa pritej.

Tani, pasi është hedhur matanë shëndosh e mirë dhe vështron që nga ana tjetër e bregut rrezikun ku ka kaluar, me siguri mendon se a do të ndiqte sërish të njëjtën rrugë “midis Shillës dhe Kariddit”, nëse historia do të përsëritej, apo do të kërkonte shtigje të tjera?

Në reflektime të tilla mund të ndodhë që njeriut t’i shijojë me shumë një fitore në fije të perit, që ka ardhur me shkatërrimin e potencialit të kundërshtarit, se sa një fitore e thellë në tokë gjithnjë të minuar. Por kjo ka vlerë për luftëtarët e dueleve. Lideri politik është përgjegjës për një masë shumë të madhe njerëzish. Deri për zemrat e tyre. Prandaj, nëse e vetmja rrugë nuk është ajo mes “Shillës dhe Kariddit”, ia vlen të kërkohen edhe rrugë të tjera.

8 komente në “Midis Shillës dhe Kariddit”

  1. do te thuhet e verteta nje dite says:

    Zgjedhjet ne shqiperi mbeten vetem nje farze, sepse nuk sjellin zgjidhje, por vetem zgjedhje brenda se njejtes moster politike, qe ndryshojne vetem nga emrat, se per nga shpirti e veprimi ,te dyja ne nje poc pjerdhin me te njejten ligesi.Zgjedhjet dhe kete lloj politike pacavure ,populli ka kohe qe e ka bojkotuar pasi ai jo vetem qe nuk ka me besim tek kjo politike, por dhe po i zihet fryma prej saj ,me shume e per cdo dite.As Edi rama,as Lul basha dhe asnje kandidat tjeter qe do te dalin nga vezet e gjarprit te kesaj mostre politike qe sollen vetem skllaveri, nuk do te votohen me nga populli,por do te sjellin vetem REVOLTEN E MADHE POPULLORE ,qe do ta shkuli nga rrenjet ate dhe do ti flake ne koshin e plehrave te historise shqiptare.

  2. raimondi says:

    PS-ja duhet te ngrihet dhe te diksretitoje Salen per keto zgjedhje me motivin se kur ai Saliu i vjedh votat sy per sy ne mes te dites ne Tirane ne prani te gjithe botes -…Atehere neper rrethe Sala ben kerdine

    Kjo tregon qe SALA te gjitha votat qe ka marre i ka te vjedhura , te manipuluara ….Ndaj ai duhet diskretituar ne kete drejtim dhe nuk duhet lejuar te mburret per votat qe ka marre

    1. PERMETARI says:

      pajtohem me ty

  3. Rami says:

    Berisha i ka sjelle vetem Zi ketij populli per 20 vjet,mos mendoje njeri qe Berisha rezohet me vote edhe sikur ti humbi ato,largimin ai e be duke e djegur Shqiperine,Gabimi qendron mbasi perseri u lejua qe te hype ne front duke mashtruar,Balozi iZi largohet vetem me lufte,ai i solli me Zi ketij Populli dhe cdo vit po isjell viktima te reja,varferi papunsim,sa shume do te vazhdoje te qendroje po aq shume fatkeqsi do te kete ky popullpre tij.

  4. gezim says:

    Perse beni sikur beni ju shqiptaret?

  5. artur 68 says:

    Rruga e opozites drejt fitores dhe konsolidimit te saje ne keto 6 vjet ka qene me te vertete e mundimshme por edhe me fat.
    Mjafton te imagjinosh se si do te kishte perfunduar historia e se majtes nese nga zgjedhjet e 2009-es do te kishte dale nje kualicion fitues me Ilir Meten(nuk besoj se Rama do te ishte ne gjendje t’i hiqte vesin e bllokut dhe ne kete pike perbindeshat imagjinare te mitologjise greke me duken me me pak te tmerrshem se sa Ali Babate reale te korrupsionit)
    Per sa i perket rezultatit te ngushte ne Tirane te ben cudi fakti qe ndryshe nga pothuaj te gjitha qytetet kryesore, kryeqytetasit(te rrethuar nga “Aleanca per Fshatin”) e paten te veshtire te dallonin Abelen nga Kainon……
    Mendoj se jo pa qellim dy kandidatet e fundit te Saliut(Olldashi,Basha) vijne ne gare pasi kane kaluar me pare nga Ministria e Brendeshme, ku e kam te veshtire te besoj se me zv.ministerin Poni nuk jane tentuar nga “krehja” apo “mbjellja” e listave……

  6. vlora-skele says:

    Fitorja e Edit nuk kthehet me mbrapsa siç do Sala,,,sa per autorin e ketij shkrimi duhet te them se ka nje liber per zgjedhjet qe titullohet “Renia e Zgjedhjeve”….hah more Preç nga ty e kemi peshqesh Berishen nga dt.5 marsi i 1997 dhe ti e di kete shume mire…ishalla vjen tek kenga qe i kendohet Qazim Koculit…Lule o Qazim Koculi vet e ndoqe e vet e pruri…

  7. PERMETARI says:

    o njerez , po ai presidenti bamir matuf topi nga behet? si president i shqiperise qe eshte ( fatkeqsisht) duhet te dale e te thot nje gjysem fjale per keto zgjedhje skandaloze qe u vodh hapur fare. apo do na dal me vone e do thote qe ishin zgjedhje te regullta? apo kur te plas lufta , do dal e do thote zgjidhni krizen?

Comments are closed.

Lini një Përgjigje