Kombëtarja pa "Tifozat kuqezi" në Zenicë

19 Maj 2011, 12:56Sport TEMA

Kombëtarja shqiptare në vitet e fundit ka pasur përkrahje të madhe nga tribunat, pa marrë parasysh se ku ka luajtur. Por, përkrahja që janë mësuar ta kenë, do t’u mungojë futbollistëve të Shqipërisë në ndeshjen e ardhshme. Shqipëria më 7 qershor luan si mysafire kundër Bosnjë-Hercegovinës. Bosnja ende nuk e njeh shtetin e Kosovës, e me këtë as pasaportat e Kosovës. Për këtë arsye udhëtimi i tifozëve nga Kosova për në Bosnjë-Hercegovinë për të përkrahur kombëtaren nuk do të jetë i mundur, shkruan “Koha Ditore”.
Në të vërtetë, kombëtarja numrin më të madh të tifozëve e ka nga Kosova. Shumica e anëtarëve të grupit më të madh të adhuruesve të kombëtares, “Tifozat kuqezi” janë nga Kosova. Ky grup ka kërkuar ndihmë nga Federata Shqiptare e Futbollit që të mund të udhëtojë për në Zenicë, ku luhet takimi. FSHF-ja është interesuar për këtë problem, por nuk ka mundur t’u dalë në ndihmë tifozëve. Këtë e ka bërë të ditur të mërkurën zëdhënësi i FSHF-së, Lirim Zalla.
“Përfaqësues të grupit ‘Tifozat kuqezi’ kanë kërkuar ndihmë nga Federata për të bërë të mundur krijimin e një hapësire që tifozët të mund të shkonin në Bosnje me një leje të posaçme. Federata ka kërkuar asistencë juridike mbi hapat që mund të merren në këtë drejtim. Lajmi që kemi marrë ka qenë negativ. E vetmja rrugë që mund të ndjekim është që t’i dërgojmë Federatës boshnjake një kërkesë që më pas ajo t’i dërgojë kërkesë Qeverisë boshnjake për një leje të posaçme për ‘Tifozat kuqezi’. Është një procedurë shumë e gjatë që vështirë se do të prodhonte sukses. Është një rrugë e papërshkrueshme”, ka thënë Zalla të mërkurën për gazetën tiranase “Sport Ekspres”.
Edhe pse të përzgjedhurve të Josip Kuzhes do t’ju mungojë përkrahja e tifozëve kuqezi, drejtues të FSHF-së presin që në stadium në ndeshje me Bosnjën do të ketë mjaft shikues shqiptarë. Zyrtarët e FSFH-së kanë thënë se numri i tifozëve nga Kosova që kanë shprehur interesim për të udhëtuar në Bosnje ka qenë shumë i madh. Futbollistët dhe drejtuesit e kombëtares shumë shpesh kanë përsëritur se përkrahja që marrin nga tribunat është shumë e rëndësishme për ta.
“Në Bosnje jetojnë shumë kosovarë, të cilët do të gjejnë mënyrën për të qenë në Zenicë më shtatë qershor. Presim që të na mbështesin mjaft tifozë në këtë takim. Kemi sinjale të forta për këtë”, ka thënë sekretari i përgjithshëm i FSHF-së, Eduard Prodani.
Ndeshja Bosnje – Shqipëri u takon eliminatoreve për “Euro 2012”. Në rast të fitores “kuqezinjtë” do të ndjekin pozitën e dytë në grup që siguron të paktën barazhin. Aktualisht Shqipëria është e treta, ndërsa Bosnja e katërta. Përzgjedhësi Josip Kuzhe ka thënë se në Zenicë do të kërkohet fitorja. Zenica njihet si qytet që krijon atmosferë të zjarrtë për ndeshjet e Përfaqësueses boshnjake.

2 komente në “Kombëtarja pa “Tifozat kuqezi” në Zenicë”

  1. Mentari says:

    Le te shkojne ne bosnje ata kosovare qe votuan me 8 maj per baben e tyre me qe kane pashaporte shqiptare.

  2. Albi perfaqesues i tkz tirane says:

    Lajmi nuk eshte i sakte pasi pergatitjet jane duke i bere. Tifozat Kuq e Zi shtrihen nga te gjitha trojet Etnike Shqiptare dhe do kemi problem vetem me antaret qe kane pashaporte te kosoves. Keshtu qe do jete nje numer goxha i konsiderueshem per ne zenice.

    Shume Faleminderit
    O sa mire me qene SHQIPTAR!

Comments are closed.

Lini një Përgjigje