Shkëndija e Tetovës ka vazhduar dominimin e skuadrave shqiptare në Kampionatin e Maqedonisë në futboll. Shkëndija ’79 ka siguruar titullin, ani pse deri në fund të kampionatit kanë mbetur të zhvillohen edhe tri xhiro. Shkëndija të shtunën në kuadër të javës së 30-të fitoi 2:0 si mysafire kundër Horizontit. Ekipi tetovar tani ka 67 pikë, nëntë më shumë se përcjellësi i parë, Metalurgu. Shkëndija pret të festojë titullin të martën, kur në Tetovë takohet me Rabotniqkin në kuadër të javës së 31-të. Edhe dy ndeshjet e fundit, Shkëndija i luan në Tetovë.
Shkëndija është vetëm skuadra e dytë shqiptare që fiton titullin e kampionit të Maqedonisë. Edicionin e kaluar (2009\10) kampione doli Renova e Xhepçishtës.
Shkëndija edicionin e kaluar luajti në Ligën e Dytë të Maqedonisë.
“Titullin e kemi siguruar edhe pse matematikisht këtë do ta bëjmë të martën. Rruga deri te titulli nuk ishte aspak e lehtë. Por kemi dominuar plotësisht dhe me meritë arritëm te titulli. Gjatë fazës përgatitore para fillimit të kampionatit e vërejtëm se kemi cilësi për të ndjekur titullin dhe u përkushtuam maksimalisht për të qëndruar në krye. Pra, titulli nuk u fitua rastësisht, kemi qenë të bindur se në fund do t’ia dalim”, ka thënë të dielën Qatip Osmani, trajner i Shkëndijës.
Shkëndija është formuar në vitin 1979, ndërsa është ndër klubet më të adhuruara nga shqiptarët në Maqedoni. Shumica e lojtarëve të kësaj skuadre janë shqiptarë.
“Përveçqë kemi fituar titullin, këtë edicion kemi fituar edhe shumë futbollistë të rinj shqiptarë që janë prodhim i shkollës së Shkëndijës. Për lojtarët tanë interesohen klube të njohura evropiane”, ka shtuar Osmani. Ai drejtoi Shkëndijën edhe edicionin e kaluar, drejt kthimit në elitë. Osmani si futbollist një kohë ka luajtur për Dritën e Gjilanit.
Lojtari më i mirë i Shkëndijës këtë edicion vlerësohet sulmuesi Ferhan Hasani (20). Ai është golashënuesi më i mirë i Ligës, ndërsa tani po kërkohet nga skuadra të shumë vendeve evropiane.
Shkëndija vlerësohet ndër klubet më të organizuara në Maqedoni. Trajneri Osmani thotë se suksesi nuk do të arrihej nëse nuk do të funksiononin si duhet të gjitha strukturat në klub.
Shkëndija edicionin e ardhshëm do të paraqitet në kualifikimet për Ligën e Kampionëve.
“Nuk do të jemi kalimtarë në kualifikimet për Ligën e Kampionëve. Synojmë të kalojmë të paktën një xhiro. Kemi formuar një skuadër të mirë që garanton sukses për shumë vjet”, ka thënë Osmani. Ai është i bindur se skuadrat shqiptare do të dominojnë në kampionatin e Maqedonisë edhe në vitet e ardhshme.
Në të vërtetë Shkëndija është njëra prej vetëm dy skuadrave shqiptare në Ligën e Parë të Maqedonisë, që numëron 12 ekipe. Ekipi tjetër është Renova që aktualisht renditet e treta me 55 pikë. Renova është duke luftuar që të ruajë pozitën e tretë që siguron kualifikimet për Ligën e Evropës.
Shkëndija kampione edhe në volejboll
Shkëndija e Tetovës ka fituar titullin e kampionit të Maqedonisë edhe në volejboll. Ekipi tetovar titullin e siguroi të shtunën. Edhe për klubin e volejbollit ky ishte titulli i parë në histori. Shkëndija është themeluar para 37 vjetësh. Më herët kjo skuadër fitoi edhe Kupën e Maqedonisë. Pjesë e Shkëndijës janë dy volejbollistët kosovarë, Adriatik Kajtazi e Gazmend Husaj./KD/
Comments are closed.
Bravo, urime!