Ndonëse pretendon edhe dy vjet kontratë me Çezenën, për Bogdanin ky do të jetë edicioni i fundit si kuqezi
Që kapiteni Altin Lala në fund të këtyre eliminatoreve do të tërhiqet nga kombëtarja kjo dihet, pasi e ka pohuar disa herë vetë. Po kështu, edhe Skela mund ta mbyllë në fund të sezonit me futbollin e luajtur. Këtyre dy veteranëve, që kanë dhënë shumë për kombëtaren prej 13-14 vjetësh, u bashkohet edhe Erjon Bogdani, sulmuesi kryesor i Çezenës në Serinë A.
Në intervistën për “Sportin shqiptar” 34-vjeçari e thotë troç: “Këto janë ndeshjet e fundit me kombëtaren. Do të luaj edhe me Francën dhe Rumaninë dhe do ta mbyll. Jam 34 vjeç dhe mendoj se u ka ardhur koha çunave të rinj.”
Kështu thotë Bogdani, por a ka Shqipëria djem të rinj me perspektivë për të zëvendësuar këtë futbollist cilësor? Askush nuk është i pazëvendësueshëm, por që të zëvendësosh një lojtar me eksperiencë, duhet të tregosh se je më i mirë se ai.
– Erjon, edhe dy ndeshje dhe Çezena me shumë mundësi do të qëndrojë në Serinë A…?
– Unë them edhe një ndeshje. Nëse marrim tri pikë në takimin e radhës me Breshian, nuk kemi nevojë për pikë të tjera për të siguruar qëndrimin. Sepse diferenca me Sampdorian është 4 pikë. Madje edhe nëse do të renditemi në fund me pikë të barabarta me Leçen, ndërsa Sampdoria na kalon, sërish jemi në Serinë A, pasi në ndeshjet direkte i kemi marrë 4 pikë Leçes.
– Në ndeshjet e fundit ju kemi parë në stol…?
– Është e vërtetë. Pata një ndrydhje të kaviljes para takimit me Interin dhe, të them të drejtën, akoma nuk jam riaftësuar plotësisht. Jam grumbulluar edhe me Interin, por nuk luajta, ndërsa në ndeshjen e fundit me Kaljarin u futa në fushë në fund. Vazhdoj të stërvitem në mënyrë të diferencuar, pasi siç e thashë më lart, nuk jam 100% i riaftësuar.
– Ju erdhi keq që nuk luajtët ndaj Interit?
– Doja të isha në fushë, madje jam sforcuar deri në momentet e fundit që të isha ta paktën në stol. Interi është skuadër e madhe, ka lojtarë të mëdhenj, megjithatë Çezena nuk e meritonte të humbiste në atë mënyrë.
Luajti më mirë se Interi gjatë gjithë ndeshjes dhe u ndëshkua në fund, në minutat shtesë. Sigurisht që të vjen shumë keq kur ndodh kështu, ndonëse nuk je protagonist në fushë.
– Çezena është shumë pranë sigurimit të mbijetesës, po ju do të qëndroni edhe vitin tjetër me këtë skuadër?
– Unë kam edhe një vit kontratë, kështu që s’mund të diskutohet qëndrimi im. Shikoni, tashmë jam 34 vjeç dhe duhet të mendoj për veten. Presidenti dhe trajneri e dinë mirë që unë dua të luaj edhe 2 vjet të tjera në nivele të larta (Serina A), kështu që do të diskutojmë për rinovimin e kontratës edhe për një vit tjetër.
Pra, përveç respektimit të kontratës aktuale (skadon në verë të 2012-ës), dua të luaj edhe një vit tjetër. Jam i sigurt që mund ta përballoj nivelin e lartë. Ndihem si çun i ri.
– Pra, do ta jepni kontributin në kombëtare edhe për edicionin e ardhshëm?
– Jo, nuk është kështu. Në fund të këtij edicioni e mbyll me kombëtaren. Kam folur për këtë edhe me presidentin e FSHF-së, Armand Duka, si dhe me trajnerin Kuzhe, ndonëse ky i fundit më tha se duhet ta bisedojmë më vonë.
– Kjo deklaratë juaja vjen si e papritur…?
– Të gjithë duhet të largohen një ditë dhe t’u hapin rrugë çunave të rinj. Edhe Lala e ka deklaruar se do ta mbyllë me kombëtaren, por kështu edhe unë jam në moshë për t’i dhënë fundit. Duhet t’i mbyllim sa më mirë këto eliminatore, pastaj të mendohet për të ardhmen e kombëtares.
– Si mund t’ia lini vendin një më të riu, kur ai nuk është më i mirë se ju?
– Unë po them që do ta mbyll në fund të edicionit dhe shpresoj që të gjithë lojtarët që do ta veshin fanellën e kombëtares pas tërheqjes së më të vjetërve ta justifikojnë atë.
– Pak më parë thatë se nuk jeni riaftësuar 100% nga dëmtimi në kavilje, ndërkohë që po troket ndeshja e kombëtares…?
– Pikërisht edhe prej kombëtares po bëj gjithçka që të jem 100% në formë fizike, ndryshe e kisha mbyllur këtë sezon edhe me Çezenën dhe kisha marrë pushimet.
– Çfarë mund të presim me Bosnjën?
– Atë që kemi bërë me Bjellorusinë. Me trajnerin Kuzhe kemi zhvilluar ndeshje shumë të mira dhe kemi marrë rezultate po kaq të mira. Edhe më parë ky grup ka bërë ndeshje të mëdha si me Holandën Portgualinë, Danumarkën etj., apo më vonë në Rumani dhe së fundi me Bjellorusinë.
Duhet të jemi të gjithë të bashkuar, të japim gjithçka në fushë dhe sigurisht të kemi edhe fatin me vete. Nëse fitojmë, mund të zëmë më pas vendin e dytë dhe të luajmë në “play-off”.
– Besoni vërtet se mund t’ia dalim?
– Pse jo? Ne kemi treguar se mund të arrijmë shumë gjëra bashkë.
– Dhe nëse kualifikohemi…?
– Të mos flasim para kohe.
Sporti Shqiptar
Comments are closed.
Cesena eshte e shpetuar perfundimisht.
Me ne fund!!!
Shyqyr qe ike se nuk I ben dy lek si lojtar
Tani qe po iken ti mund te ket fat dhe kombetarja
Vetem ti te ikesh se ka sa te duash me mire se ty
sikur te them se nuk vlen dy lek si komentues do te ishte me e sakte.
Po cfar dreq ”bombe” flisni se nuk po kuptojme fare.Bogdani nuk ka qene KURRE lojtar i mire.
Jam shum i lumtur qe do largohet.
po shyqyre se kemi kohe qe po presim duhet te kishe ikure
Sportin e ndiekin tifozet dhe ”TIFOZET” e me duket qe parashkruesit bejne pjese ne te dyten.Kane te drejten e tyre per preferencat dhe opinionet te gjithe,por keto duhet te behen ne menyre te kulturuar dhe pa lenduar ndienjat dhe personalitetin e nje sportisti qe se fundi eshte njeri.Jam i sigurt qe edhe shkruesit e mesiperm dikur kur kane duartrokitur e brohoritur per skuadren e kane bere kete edhe per Bogdanin qe ka qene pjese e saje.. Koha ben te sajen dhe kete po e ndjen dhe vete Bogdani, ndaj po kerkon te largohet,e ne te gjitheve na takon ta falenderojme per kontributin dhe kenaqesine qe na ka dhene dhe ti urojme gjithe te mirat, Jam i sigurt qe edhe ju do te bashkoheni me urimin tim.Ju pershendes edhe juve Niko.