Milani të shtunën do të festojë titullin e 18-të në historinë e vet përballë tifozëve kuqezinj, të cilët kanë shtatë vjet që e presin një titull të tillë. Merita kryesore për këtë titull është e drejtuesve, të cilët mund të fërkojnë duart nga gëzimi, pasi kanë qenë në gjendje që të ngrejnë ekipin në nivelin maksimal, duke mos kryer shpenzime të çmendura, të paktën deri për momentin. Boateng, Van Bomel dhe Ibrahimoviç, të cilët kanë qenë lojtarët kyç në fitimin e titullit, janë marrë pa asnjë shpenzim deri më tani. Edhe Robinjo pothuajse nuk kushtoi fare, pasi paratë e paguara për të u përfituan nga shitja e Huntelar dhe Borielos në momentet e fundit. Pra, një titull i fituar me pothuajse zero kosto. Le të nisim nga Ibrahimoviç. I cilësuar si njeriu që fiton vetëm tituj në Itali, pasi këtë gjë e ka bërë me të gjitha ekipet ku është aktivizuar, Juventus, Inter dhe së fundmi Milan, i ka kushtuar kuqezinjve vetëm rrogën që i ka paguar. Shifra modeste, po të kihet parasysh shuma e madhe e paguara nga ana e Barcelonës për ta marrë suedezin nga Interi, të cilin e shiti vetëm një vit më pas. Milani do të fillojë të paguajë shumën për marrjen e tij nga Barcelona vetëm sezonin që vjen, duke filluar me një shifër prej 8 milionë eurosh. Surpriza e këtij kampionati ka qenë padyshim Kevin-Prince Boateng. Lojtari ganez u mor në pronësi me Xhenoan për vetëm një milionë euro. Tashmë ai është një bast i fituar nga ana e drejtuesve të Milanit. Për ganezin, Milani do të duhet tashmë që të paguajë një shifër mes 6-7 milionë euro. Edhe më e zgjuar ishte marrja e mesfushorit holandez, Mark Van Bomel, me parametra zero në merkaton e janarit. Mesfushori arriti që të bëhej një pikë kyçe në ekipin e drejtuar nga ana e Alegrit, sidomos në aspektin mbrojtës. Me të në fushë, Milani ka pësuar një numër shumë të vogël golash. I njëti diskutim mund të bëhet edhe për Robinjon, i cili është edhe shpenzimi i vetëm i Milanit për këtë kampionat. Kuqezinjtë e morën atë nga Mançester Siti për një shumë prej 18 milionë eurosh, por arritën që ta kompensonin atë me shitjen e Huntelar tek Shalke dhe të Borielos tek Roma, i cili është në bashkëpronësi. Por, Milani arriti që të merrte edhe të tjerë lojtarë me kosto zero, të cilët nuk kanë qenë shumë deçizivë, por gjithsesi kanë dhënë kontributin e tyre. Bëhet fjalë për portierin Amelia, mbrojtësit Jepes dhe Legrotalie, mesfushorin Emanuelson dhe sulmuesin Antonio Kasano. Duket se drejtuesit kanë ndjekur të njëtën rrugë që ndiqte kohë më parë drejtori sportiv i Juventusit, Luçiano Moxhi, i cili ishte mjeshtër në gjetjen e lojtarëve me parametra zero, me të cilët arriti që ta ngrinte ekipin bardhezi në majën e futbollit italian dhe atij evropian. Për këtë arsye, Milani do të festojë të shtunën një nga kampionatet më “ekonomike” të historisë.
Comments are closed.
eh per momentin duket qe ka patur kosto por te jesh i sigurte qe kredia eshte me e rende se blerja ?
Per Ibren duhet te paguaje miliona euro Barcelones ne fund te vitit dhe nqs do te bleje kartonin
do shtoje akoma me shume miliona euro…plus kostoja e lojtarit qe eshte teper e larte…
Milani e mbylli kampionatin me 30 e ca lojtare ku doli me – 400 milion euro borxhee…:)
prandaj te thuash qe mori kampionatin me kosto zero sikur nuk te kane dale mire llogarite…
tung