Kaka për Ibrahimoviç. Kjo është ideja e çmendur e teknikut portugez të Realit, Hoze Murinjo. Kështu bën me dije “Mundo Deportivo”. Sipas kësaj të fundit, Murinjo i ka kërkuar presidentit të Realit, Florentino Perez, që të bëjë ç’është e mundur për të sjellë sulmuesin suedez në Madrid, pasi sipas portugezit, me Ibrahimoviç Reali do të ishte shumë më i fortë dhe do të kishte mundësi që të luftonte me Barcelonën. Suedezi do ta pranonte me kënaqësi një transferim të tillë, pasi do të kishte mundësinë që të hakmerrej ndaj Pep Guardiolës, i cili e “flaku” nga Barcelona vetëm pas një sezoni, në të cilin sulmuesi u aktivizua shumë pak. Nga ana tjetër, Kaka do të rikthehej me dëshirë tek Milani, pasi nuk po kalon një periudhë të mirë tek Reali. Megjithatë, vështirë se Milani do ta pranonte një shkëmbim të tillë, duke qenë se Ibrahimoviç ka qenë lojtari deçiziv për rikthimin tek titulli. Për më tepër, edhe Barcelona nuk do ta pranonte një transferim të tillë, pasi siç dihet, ende vlera e kartonit të suedezit i takon pikërisht katalanasve. Megjithatë, merkatua ka gjithmonë të papritura dhe ky shkëmbim edhe mund të ndodhë.